Zgjedhjet
Gara më e nxehtë u shënua për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës. Duka dhe Kule akuza ndaj njëri-tjetrit
Gara për zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve ka përfshirë dje gjithë arsimin elartë në vend. E ndërsa interesi ka qenë i madh për të votuar, sidomos nga stafi akademik, pasi rreth 90 për qind e tyre kanë votuar edhe studentët për herë të para janë përfshirë në këtë proces, dhe pjesëmarrja e tyre ka qene rreth 40 për qind. E ndërsa ethet e garës kanë përfshirë arsimin e lartë janë shënuar edhe disa incidente, por pa bllokuar procesin zgjedhor. Ndërkohë gara më e nxehtë ka qenë për drejtuesit e Universitetit të Tiranës ku procesi i numërimit të votave ka vazhduar shumë gjatë.Këtë pohon kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve për UT-në, Enver Roshi, i cili thekson se ky proces po vazhdon normalisht. Gjithashtu ai pohon se rezultatet e para të votimit kanë qenë në favor të Dhori Kules dhe deri rreth orës 22:30 stafi akademik i disa fakulteteve e ka votuar me 357 vota kundrejt Valentina Dukës me 170 vota. "Procesi po vazhdon normalisht, por numërimi i votave do të vazhdojë gjatë, dhe rezultatet përfundimtare pritet të dalin nesër",- pohon Enver Roshi.
Votat për UT-në
Procesi i numërimit të votave për rektor në Universitetin e Tiranës ka nisur rreth orës 19:00. Komisioni i numërimit të votave ka vendosur që fillimisht të numërohen të gjitha kutitë e votimit të ardhura nga fakultetet ku ndodhen votat e stafit akademik që kanë edhe 75 për qind të peshës së votës së përgjithshme. Ndërkohë numërimi i votave të dy fakulteteve të para për stafin akademik kanë nxjerrë fitues Dhori Kulen. Kështu në Fakultetin e Mjekësisë Dhori Kule nga stafi akademik ka marrë 119 vota ndërsa Valentina Duka 54 vota, Bardhyl Çeku 7 vota dhe Llukan Puka 22 vota. Gjithashtu edhe në Fakultetin e Natyrës kutitë e para të votimit kanë nxjerrë fitues Dhori Kulen me 34 vota, kundrejt 20 votave që ka marrë rivalja e tij kryesore, Valentina Duka, nga stafi akademik.
Votimi
Rreth orës 8:00 të ditës së djeshme pothuajse të gjitha fakultetet në Tiranë kanë hapur kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesit. Gara më e nxehtë ka qenë sidomos për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës ku në garë kanë qenë 4 profesorë, Valentina Duka, Dhori Kule, Bardhyl Çeku dhe Llukan Puka. Ndërsa sa i takon postit të dekanit për fakultetet e Tiranës duket se gara ka qenë më e vakët, pasi profesorët nuk janë tunduar nga ky post dhe shumica e fakulteteve ka pasur vetëm një emër për kandidaturën e postit të dekanit. E ndërsa procesi i votimit në përgjithësi ka vazhduar normalisht 2 pretendentët kryesorë për postin e rektorit të UT-së, Valentina Duka dhe Dhori Kule kanë shprehur replika ndaj njëri-tjetrit. Kështu Valentina Duka ka pohuar se 2 pedagogë po kërcënojnë studentët për të votuar për konkurrentin e saj. Ndërsa Kule i është përgjigjur akuzave të saj duke thënë se me këtë gjuhë flet vetëm dikush që nuk njeh psikologjinë e studentëve.
90 për qind ka qenë pjesëmarrja në votime e stafit akademik për Universitetin e Tiranës
40 për qind ka qenë pjesëmarrja në votime e studentëve për Universitetin e Tiranës
GJIROKASTËR- Kandidati Sala, fitues me mbi 50% të votave
Gëzim Sala është rektori i ri i universitetit "Eqrem Çabej" në qytetin e Gjirokastrës. Rezultati është bërë publik pas numërimit të votave në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë institucion kanë bërë të ditur se Sala ka marrë më shumë se 50% të votave të vlefshme, si nga pedagogët, ashtu edhe nga studentët. Si në të gjitha universitetet shqiptare, procesi i votimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj ka filluar në orën 08:00 dhe është mbyllur në orën 16:00, ndërsa gjithçka ka ecur normalisht dhe nuk është vërejtur asnjë problem. Gëzim Sala, që deri dje mbante postin e dekanit të Fakultetit të Shkencave Shoqërore mban gradat Doktor e Profesor i Asocuar. Përballë tij në garë ishte prof. i asocuar, doktor Ilir Bozgo. Po kështu, dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe atyre të Edukimit është zgjedhur Roland Zisi, ndërsa rektori i deritanishëm, profesor Kristaq Kikina do të drejtojë Fakultetin e Shkencave Natyrore. Gjatë votimit, pjesëmarrja e studentëve ka qenë rreth 50%, ndërsa shumë më e lartë ka qenë ajo e pedagogëve dhe stafit akademik, që llogaritet në rreth 93%.
Elbasan, Varoshi fiton përball Ballhysës
Pas procesit të numërimit të votave për pedagogët rezultoi fitues prof. as. Liman Varoshi i cili grumbulloi plot 110 vota. I dyti në renditje ishte ish-dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Abdulla Ballhysa, me 36 vota dhe e treta Fatbardha Gjini me 10 vota. Ndërkohë janë ende të panumëruara votat e studentëve dhe të administratës. Megjithatë me numrin e votave të marra Liman Varoshi e ka siguruar postin e rektorit të Universitetit të Elbasanit për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë rezultatet shpallën fitues në postin e dekanit të shkencave Humane prof. doc. Roland Gjinin, ndërsa për postin e dekanit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës u zgjodh prof. as. Peçi Nurellari, ndërsa prof. dr. Vilson Kuri i cili do të jetë edhe dekan i Fakultetit të Shkencave të Edukimit.
Shkodër, Harxhi fitore të butë ndaj Sokolit
Në universitetin e Shkodrës janë zhvilluan dje zgjedhjet për organet drejtuese. Kandidati për rektor në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Artan Harxhi, ka fituar kundrejt rivalit të tij Fatbardh Sokoli. Kështu Harxhi fitoi 60 vota nga pedagogët dhe 501 nga studentët, ndërsa rivali i tij më i fortë ka marrë 49 vota nga stafi akademik dhe 729 vota nga studentët. Gjithashtu bëhet e ditur se në Shkodër nga 6098 studentë, kanë marrë pjesë në votime rreth 40% e tyre, ndërsa vendimtare për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese kanë qenë votat e rreth 170 pjesëtarëve të stafit akademik. Për garën e rektorit kanë konkurruar tre pedagogë me titujt prof. dr, përkatësisht Artan Haxhi, Fatbardh Sokoli dhe Sadije Bushati. Është votuar dhe për dekanë të 5 fakulteteve, pasi në Fakultetin e Drejtësisë nuk ka pasur votim për dekanë, për shkak se asnjë nga stafi akademik i këtij fakulteti nuk ka gradën e duhur shkencore për të qenë dekan. Në disa fakultete si ai i Gjuhëve të Huaja, Edukimit dhe Shkencave Shoqërore ka pasur vetëm nga një kandidat për dekan. Procesi zgjedhor ka shkuar në përgjithësi i qetë, nuk ka pasur incidente, ndërsa jashtë ambienteve të votimit nuk kanë munguar përpjekjet për të bindur të tjerët të votonin për persona të caktuar. Presioni ka qenë kryesisht mbi stafin akademik, vota e të cilit është vendimtare në përcaktimin e fituesve, pasi kanë koeficientin e lartë. Këtu janë parë qartë dhe ndërhyrje të politikës, ku militantë e eksponentë të së djathtës i kanë shfaqur hapur preferencat e tyre për kandidatë të veçantë. A.Dushi
Zgjedhjet në Vlorë, rektor Shaskaj
Votimet në universitetin Teknologjik të Vlorës kanë nisur dje në orën 08:00. Ato janë vendosur në dy ambiente, në godinën qendrore si dhe në atë ku gjendet Fakulteti i Mësuesisë. Në garën për rektor kanë qenë ish- zv. rektori i universitetit prof. dr. Spiro Caushi, si dhe prof. dr. Tanush Shaskaj, pedagog në një nga universitetet amerikane, i cili është shpallur edhe fitues. Dy ditë më parë është tërhequr nga gara profesor i asocuar Vladimir Kasemaj, pedagog në fakultetin e ing. navale në teknologjikun e Vlorës. Kandidatura e Kasemaj është hedhur poshtë nga KQZI, pas një shkrese të mbërritur nga Ministria e Arsimit, pasi procedurat e marrjes së titullit janë cilësuar të parregullta për kandidatin në fjalë. Zgjedhjet janë kryer në normalitet, ndërsa duket se më pak të interesuarit kanë qenë studentët, të përfshirë për herë të parë në këto procedura. Sipas kryetarit të KQZItë universitetit Teknologjik të Vlorës, Klajdi Mone, në këtë proces zgjedhor në total janë të përfshirë 6414 studentë, ndërsa nga stafi akademik që përmbush kushtet janë 98 persona, 44 janë jo akademikë.
Korçë, incident nga kandidatët për rektor
Korçë- Universiteti i juglindjes është përfshirë nga procesi zgjedhor i 3 mijë studentëve dhe i rreth 100 pedagogëve, ndërkohë që nuk është shmangur dhe një incident me protagonist njërin prej kandidatëve për rektor. Normaliteti që ka shoqëruar gjithsesi procesin zgjedhor në Universitetin "Fan Noli" të Korçësështë shfaqur edhe në drejtim të pjesëmarrjes në votime si nga studentët edhe stafi pedagogjik. Me hapjen e procesit të votimit, në orën 08:00 e në vazhdim, është vënë re një pjesëmarrje e kënaqshmee studentëve dhe pedagogëve me të drejtë vote. Gjergji Çapollari, kryetar i komisionit të zgjedhjeve në këtë Universitet, ka pohuar për gazetën se procesi i votimit për të zgjedhur strukturat drejtuese, ka ecur normalisht dhe janë regjistruar vetëm dy ankesa, që nuk e kanë cenuar procesin. Sipas tij, komisioni ka ndërhyrë për të larguar një pedagog vëzhgues në qendër votimi, për faktin se ai kandidonte për shef departamenti, si dheështë shqyrtuar një ankesë tjetër për të votuar ose jo një pedagog, i cili, nuk ka vjetërsinë e duhur të punës në Universitet. Fjala ka qenë për kandidatin pedagog për rektor Robert Damo i cili rreth orës 11.00 ka shkuar për të votuar pranë qendrës së votimit në Fakultetin e Bujqësisë. Pasi ai nuk është lejuar të votojë ka plasur dhe incidenti, ku vetë Damo ka nisur të fyejë dhe të shajë anëtarët e komisionit. Ai e ka quajtur të qëllimshme këtë përjashtim për të votuar, ndërsa sipas rregullores pedagogu ndonëse mund të kandidonte duhet të kishte më shumë se 6 muaj në punë.
Fituesit e postit të Rektorit
TiranëDhori Kule
Shkodër Artan Harxhi
Elbasan Liman Vorshi
GjirokastërGëzim Sala
VlorëTanush Shaskaj