Merkure, 03 Dhjetor 2008 08:47:11

Lexoni versionin Print

Muezinët janë të gjallë

Pesë herë në ditë, muezinët thërrasin ezanin në xhami. Zërat që vijnë prej minareve nuk janë të regjistruar. Në çdo xhami ka njerëz të caktuar që me anë të zërit,

Alma Mile
Diel, 13 Janar 2008 10:35:00

Pesë herë në ditë, muezinët thërrasin ezanin në xhami. Zërat që vijnë prej minareve nuk janë të regjistruar. Në çdo xhami ka njerëz të caktuar që me anë të zërit, ftojnë besimtarët në shtëpinë e Zotit. Paguhen fare pak, por i besojnë shpërblimit hyjnor. Andi Qinami e Shaban Saliaj tregojnë eksperiencat e tyre


“Selam Aleikum!”- “Aleikum Selam!”. Besimtarët përshëndesin përzemësisht njëri- tjetrin. Heqin këpucët, pastrohen dhe ulen në gjunjë mbi tapetin e shtruar dhe pëshpërisin nën zë lutjen drejtuar Allahut. Vijnë çdo ditë aty, sapo dëgjojnë thirrjen e muezinit, ezanin. Ata i dinë shumë mirë oraret, tashmë ka edhe kalendarë me orët e sakta, por thirrja për ta është një moment i shenjtë. Është kjo këmbana e tyre, që bie çdo ditë, 5 herë. Një zë i gjallë, që shumëkush në Tiranë e mendon se është i regjistruar. E vërteta është që pranë çdo xhamie ka nga një muezin. Kështu quhen njerëzit që ftojnë besimtarët të falen. Vjen nga fjala “thirrje”, ashtu sikundër edhe fjala ezan. Caktohen nga Komuniteti Mysliman. Një arsye pse njerëzve u është krijuar ideja që ezani është i regjistruar lidhet me faktin, që ndryshe nga shumë vite më parë, muezinët nuk ngjiten më majë minareve për të bërë thirrjen. Tashmë teknologjia ka avancuar. Mjafton një mikrofon dhe një altoparlant, për të përcjellë në të katër anët thirrjen e Zotit. “Fetarisht nuk është e këshillueshme që ezani të jetë i regjistruar. Kush thërret ezanin ka një shpërblim nga Zoti”, - thotë Imami i Xhamisë së Tabakeve, Elvis Naçi. Ndryshe nga ç’mund të mendohet, muezinët janë besimtarë të zakonshëm, me të vetmen dhunti, atë të zërit. “Është e rëndësishme që të kenë zë të bukur, pasi ka ndikim më të madh tek njerëzit”, - thotë Naçi, ndërsa shpjegon se nuk është e nevojshme që të ketë një formim fetar të madh. Edhe pse një ndër njerëzit më të rëndësishëm të xhamisë, muezini është i veshur si çdo qytetar tjetër i Tiranës. “Profeti thotë që kur të shkojmë në lutje të jemi të veshur bukur dhe pastër. Nuk na thotë të vishemi si arabët, apo në ndonjë formë tjetër”, - thotë Imami i Xhamisë së Tabakeve. Andi Qinami është muezini i caktuar nga Komuniteti, për xhaminë e Tabakeve. Është 27 vjeç. I veshur si çdo bashkëmoshatar i veti, me xhinse, një pulovër bojëqielli e një xhup blu. Nuk ka mjekërr të gjatë. Flokët i ka të prera fare shkurt dhe mban një kapuç. “Ka qenë në Haxh për Bajram”, - shpjegon Imami, duke “justifikuar” flokët e shkurtër të muezinit. Prej 7 vjetësh Andi thërret “zyrtarisht” ezanin 5 herë në ditë, ndërsa ka filluar ta thërrasë shumë herët. Përgjithësisht ndodhet në xhami 15 minuta më herët. Thotë se nuk i duhet ndonjë “stërvitje” zëri, por kryen të gjitha ritet e caktuara. Merr abdes dhe falet. “E kam pranuar Islamin shumë vite më parë, gati 15 vjet më parë. Atëherë kishte shumë pak djem të rinj që vinin në Xhami. Atëherë fillova edhe të provoj të thërras ezanin”, - tregon Andi, i cili rrjedh nga një familje e vjetër myslimane tiranase, por që si çdo familje shqiptare e pati të pamundur të praktikonte besimin. Jo vetëm Imami, por edhe besimtarët që frekuentojnë këtë xhami, thonë se ai ka zërin më të bukur në Tiranë. I është përkushtuar tërësisht kësaj pune, edhe pse paguhet shumë pak. Thotë se është e pamundur që ta bësh këtë punë mirë e të merresh edhe me diçka tjetër. Paguhet vetëm 5 mijë lekë të reja, por Andi thotë se falë kësaj pune ka marrë shumë shpërblime nga ana e Zotit. Imamët e xhamive e pranojnë se pagesa është tërësisht minimale, ndërsa duhet konsideruar si një punë e mirëfilltë. “Jemi në ngushticë financiare. Nuk ri kush të lidhet për një pagë minimale, 5 herë në ditë në xhami. Kështu që ndonjëherë fusim njerëz jo kompetentë për ta thirrur ezanin. Por e mira është që muezini të jetë një njeri i caktuar, me një zë të bukur, që zotëron mënyrën e të kënduarit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi zbut ndjenjat, jo vetëm të besimtarëve, por edhe të ateistëve ”, - thotë Imami i Xhamisë së “Et’hem Beut”, Shaban Saliaj. Kështu që ata që marrin përsipër për të thirrur ezanin nuk nisen nga shpërblimi financiar. “Thirrja e muezinit është fisnike. Grupe shoqërore, apo politike bëjnë thirrje të ndryshme, ndërsa muezini i thërret njerëzit të vijnë tek Zoti, të vijnë në shpëtim”, - thotë Naçi. (Thirrja është: Allahu është më i Madhi/ Dëshmoj se s'ka zot tjetër përveç Allahut / Dëshmoj se Muhamedi është i dërguar i Allahut/ Ejani në namaz/ Ejani në shpëtim/ Allahu është më i Madhi/ S'ka zot tjetër përveç Allahut). Ezani thërritet çdo ditë në orare të ndryshme, që lëvizin nga 1 minutë, në varësi të kalendarit hënor, i cili është 10 ditë më i shkurtër se ai i zakonshmi. Imami i “Et’hem Beut” e shpjegoin këtë me “dëshirën e Allahut për të stolisur me festa fetare të gjitha stinët e vitit. Kështu që festat, asnjëherë nuk bien në një datë të caktuar çdo ditë”). Në xhaminë e Tabakeve ndodh që ezani i mëngjesit (që gjatë stinës së verës të ndodhë të jetë edhe në orën 4.00) të mos thirret me altoparlant, por me zë përpara xhamisë. “Për të respektuar edhe besimet e tjera, apo edhe ata që nuk besojnë nuk e thërrasim me autoparlantë. Kështu nuk prishim parimet fetare, pasi edhe në kohën e profetit nuk ka pasur mjete të tilla, por nuk shqetësojmë edhe njerëzit që herët në mëngjes”, - shpjegon Naçi, duke e quajtur këtë si një element të rëndësishëm për të ruajtur tolerancën fetare që ekziston në Shqipëri. Ndërkohë që në xhamitë e tjera preferojnë të jenë shumë më striktë ndaj kësaj detyre dhe i hapin altoparlantët që në orët e para të mëngjesit. Kur muezini nuk ndodhet në xhami, për arsye të ndryshme (kur Andi ishte në Haxh për tre javë), ezani thirret nga besimtarë të tjerë, por asnjëherë e regjistruar. Nëse tek Tabaket, Andi e kryen këtë punë prej 7 vitesh, në xhamitë e tjera ndodh që ata të ndërrohen më shpesh, apo të zëvendësohen nga besimtarë që frekuentojnë xhaminë. Kjo bën që edhe zërat që vijnë prej minareve të ndryshojnë vazhdimisht. Besnik Manushi është një prej besimtarëve që e ka thirrur ezanin disa herë pa qenë muezin. E gjejmë në xhaminë e “Et’hem Beut”, ku sa ka mbaruar bisedën me Zotin dhe është i gatshëm të të ndihmojë me gjithçka ai di. Teksa flet pikla të vogla uji i rrëshkasin prej mjekrrës së kuqe. (Ka marrë abdes përpara namazit). “Mjafton të kesh zë të mirë”,- thotë ai, teksa shpjegon se muezinët tashmë nuk përbëjnë një profesion të mirëfilltë. Kushdo nga besimtarët mund të thotë lutjen e njohur në arabisht, edhe nëse nuk di gjuhën. Lutja është e njohur për çdo mysliman. Në xhaminë e “Et’hem Beut”, në qendër të Tiranës, janë 3-4 besimtarë që e thërrasin ezanin. Madje mes tyre është edhe një djalë 14-vjeçar, Enes Hyka, që është nxënës në Medrese dhe e thërret shpesh ezanin. Të gjithë thonë se ka zë shumë të bukur dhe Imami i xhamisë e mban pranë, që të praktikohet. Djali edhe pse fare i ri, është ndër të rrallët që e di të gjithë Kur’anin përmendësh. Besimtarët që ndodhen në oborrin e Xhamisë, ngjitur me Bashkinë e Tiranës, thonë që ezani thirret gjithnjë “live” dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë regjistrim. “Kjo mund të ndodhë në qytetet e vogla, ku nuk ka komunitet të mëdha besimtarësh”, - thotë Manushi. Sipas tij zëri është mënyra më e mirë për të komunikuar, ndaj edhe Zoti e vendosi pikërisht kështu qindra vjet më parë. “Në fillimet e islamizmit, u diskutua ideja e thirrjes së besimtarëve me anë të këmbanës, por duke qenë se këtë mënyrë e përdornin edhe komunitetet e krishtera, u vendos që thirrja të bëhej me zë. Asnjë instrument tjetër nuk mund të zëvendësojë zërin”, - thotë Besniku. Thirrja me anë të zërit, ka lindur si e tillë që me lindjen e islamizmit, që me xhaminë e parë. Kjo mënyrë thirrjeje iu shfaq në ëndërr dy nga shokëve të profetit, njëri prej të cilëve ishte Omeri dhe profeti e quajti një mënyrë të mirë. Që atëherë, në të gjitha vendet e botës, ku praktikohet besimi islam, ezani thirret nga muezinët. Një burrë i moshuar, të cilin e gjen gjithnjë në të hyrë të xhamisë së qendrës, thotë se dikur, në kohën e Turqisë janë bërë përpjekje për ta thirrur ezanin në gjuhën turke, por gjuha turke nuk përshtatej me mënyrën e thirrjes, kështu që mbeti në gjuhën origjinale, në arabisht. “Është e pamundur ta përkthesh në shqip”, - thotë i moshuari, pasi fjalët e thirrjes kanë një kuptim shumë më të thellë. Nuk ka një minutazh të caktuar se sa duhet të zgjasë ezani. Edhe këtu muezini nuk ngjitet në shkallët gjarpërushe të minaresë së famshme. Zëri ngjitet në pikën më të lartë të xhamisë përmes mikrofonëve, për tu përhapur më pas me anë të altoparlantëve. Ka katër zyresh në minarenë e “Et’hem Beut”. “Arsyeja pse kemi vendosur altoparlantët është se në Tiranë ka shumë ndotje akustike dhe është e nevojshme që besimtarët kudo që janë ta dëgjojnë këtë thirrje. Ata duhet të luten në çdo vend ku të ndodhen, edhe në rrugë”, - thotë ai.

Saban Saliaj, Imami i Xhamisë së “Et’hem Beut” është i pari që ka thirrur ezanin pas diktaturës, në 18 dhjetor 1990

Saliaj, muezini i parë pas ’90-ës
Shaban Saliaj është i pari që thirri ezanin pas rënies së diktaturës. Sot është Imami i xhamisë së “Et’hem Beut”. Të gjithë besimtarët që hyjnë e dalin në xhami e përshëndesin me nderim dhe i shtrëngojnë duart. Është 74 vjeç. Flokët i ka të bardhë, por mbahet mirë. Edhe pse e dinte të gjithë Kur’anin përmendësh, gjatë viteve të diktaturës, kur si gjithë të tjerët u detyrua të braktiste praktikimin e fesë, edhe pse kishte studiuar për një gjë të tillë, ka punuar si gjeolog. Thotë se ka ecur shumë në këmbë, maleve të Shqipërisë dhe kjo e ka bërë të jetë i fortë. Mosha e lejon të kujtojë se si thirrej dikur ezani, deri në vitin 1967, kur u ndalua besimi fetar. Në vogëli, i ka ngjitur e i ka zbritur sa e sa herë shkallët gjarpërueshe të minaresë së xhamisë dhe në moshën 13-vjeçare e ka thirrur ezanin për herë të parë. “Atëherë nuk kishim mjetet që kemi sot. Tani i kemi eleminuar hipje-zbritjet nëpër shkallët e minaresë, edhe pse gjendja e tyre është shumë e mirë”, - tregon ai. U rrit si besimtar, u arsimua si drejtues shpirtëror, gjë që iu mohua në ’67-ën. Gjatë kohës së regjimit punoi pak kohë si arsimtar, pasi vazhdoi edhe Pedagogjiken pas Medresesë, në ’57-ën. Më tej vazhdoi në Gjeologji, në fushata gjeofizike me sovjetikët, për vetitë magnetike të shkëmbinjve. Për 35 vjet punoi në Ndërmarjen Gjeologo-Topografike të Tiranës, 10 vjet në terren, 25 vjet në laborator duke bërë analizat e lëndëve djegëse, që nxirreshin në minierat e Tiranës. Në vitin 1990, askush nuk mund ta ndalonte, jo vetëm të ushtronte besimin e vet, por edhe t’i rikthehej “profesionit” të hershëm. Atëherë pati rastin të thërresë ezanin e parë të lirisë. “Pas ’90-ës një nga të parët jam edhe unë, që realizuam rimbledhjen e besimtarëve, hapjen e bashkësive besimtare. Data ka qenë 18 dhjetor 1990. Atëherë punoja në Institutin Gjeologjik, në Laboratorin kimik dhe në 23 mars fillova në xhaminë e Pazarit të Ri. Këtu, në xhaminë e “Et’hem Beut” kemi kryer faljet e para, këndonim Kur’anin. Isha Hafizi i parë, pasi që prej regjimit të Zogut nuk kishte dalë asnjë tjetër. U shpalla në ’53-shin, por nuk patëm fatin ta ushtronim”, - tregon Saliaj. Tanimë, në pozicionin e Imamit, Saliaj nuk e thërret më ezanin. Thotë se ky ëhstë një nga proceset më të rëndësishme në ritualin e një besimtari dhe nuk duhet neglizhuar aspak. Sipas tij duhen me doemos zëra të bukur dhe një shpërblim financiar më i mirë për muezinët, të cilët i përkushtohen thirrjes së Zotit 5 herë në ditë, duke lënë mënjanë çdo punë tjetër. “Në radhë të parë duhet të sigurojmë këtë jetë, pastaj jetën tjetër. Prandaj thuhet: “O zot na siguro të mira në këtë jetë e të mira në jetën tjetër”. Po nuk pate anën financiare, nuk ke si punon as për këtë e as për atë jetë””, - thotë Imam Shaban Saliaj.




POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML