Një grua ndryshe! Feride Arriku, nënë e dy fëmijëve, transporton me qindra njerëz në ditë, duke ngarë vetë 8-vendëshen në linjën e Kamzës. 40-vjeçarja është gruaja e vetme që drejton furgon pasagjerësh në Tiranë. E bën këtë punë prej 10 vitesh, ndërsa na rrëfen peripecitë që heq një grua e regjur shofere, në kaosin e metropolit më të madh të vendit. Nga Tirana në Kamëz, historia që thyen mentalitetin maskilist se gratë janë mirë vetëm për punë shtëpie.
Shpirtin në majë të hundës ia ka sjellë timoni, po çfarë të bëjë. Duhet të ushqejë familjen. Ka dy vajza për të rritur, ndërsa hesapi, nuk është se i del të rrijë në shtëpi. Feride Arriku, është nga të vetmet gra që drejton furgon pasagjerësh në metropolin kaotik shqiptar, ku, ligji për shoferët, është bërë për t’u thyer. 40-vjeçarja ka 10 vite që merr dhe zbret pasagjerë në linjën e Kamzës. Ajo e nget furgonin më mirë se një burrë i regjur me këtë punë. Pasagjerët, hipin e zbresin nga furgoni pa pasur frikën se po udhëtojnë me një grua. E përse të kenë frikë? Ferideja është gjithmonë korrekte në timon. Ajo nuk pi alkool. Makinën nuk e nget kurrë me më shumë se 80 kilometra në orë, e për më shumë, është e përpiktë në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Kur kalojmë rrethrrotullimin e doganës, Ferideja nuk e ka për turp t’u bërtasë pasagjerëve të paduruar. Nuk ka faj, e bija e botës ngul këmbë të zbresë o në mes të rrugës o s’ka, ndërsa makinat “fluturojnë” në krahun tjetër. “Qejfe, qejfe kjo dynjaja”, thotë një fjalë e urtë. Ky është stres më vete. Ferideja duhet t’i bëjë sytë katër, në të kundërt, mund ta pësojë keq. Deri më tani, në gjithë këto vite punë, nuk ka bërë vaki të përplaset ndonjëherë. Sikur thonë: ia ka hedhur paq me ndonjë gërvishtje të vogël. Nuk është e lehtë të drejtosh furgon pasagjerësh në Tiranë, aq më shumë kur je grua fillikat. Ajo vetë ia bën të gjitha shërbimet furgonit tip “Benz”. Vetë ndërron gomën, vetë vajin, pothuaj është ustalleshë në këtë zanat. Të vetmet ditë pushimi për Feridenë janë ato kur furgoni është në servis. Ditët e tjera, janë punë dhe vetëm punë. Ajo e nis udhëtimin në mëngjes herët, dhe fik çelësin e kuadrit në mbrëmje vonë. Punët e shtëpisë ia bëjnë vajzat. “Shyqyr që janë ato”, thotë. Gruaja me shtat të shkurtër, e ka mësuar makinën në vitin 1988. Në atë kohë, sapo kishte mbushur 18 vjeç. Shtysë për të vazhduar kursin e shoferëve, thotë se u bë i vëllai. Në fillimet e saj Ferideja ka ngarë taksi në kryeqytet. Këtë punë, nëna e dy fëmijëve e ka bërë për shumë kohë, edhe gjatë viteve të para të demokracisë. Po taksia është telash më vete. Të del tjetri para pa licencë, dhe ta prish gjithë ditën e punës. Ferideja vendosi të heqë dorë nga shërbimi taksi, por jo nga puna me pasagjerë. Në vitin 1998, ajo la taksinë, për t’u gjendur në timonin e furgonit të pasagjerëve, në linjën e Kamzës, ku shërben edhe sot e kësaj dite. Bashkëshorti i gruas së vetme që drejton fugon pasagjerësh në rrugët e Tiranës, është polic, ndërsa vajzat, kanë ecuri tejet të kënaqshme në shkollë. Vajzat janë gëzimi më i madh që Ferideja ka në jetë. Ato janë shtysa për të mos u ndalur kurrë, megjithëse, sikurse thotë vetë 40-vjeçarja, nuk ka punë më të vështirë se të jesh grua në drejtimin e një furgoni pasagjerësh. Nga një anë, taksat e shumta, nga ana tjetër nafta që po fluturon në stratosferë, ia kanë bërë Feridesë punën ferr sa nuk ka ku të vejë më. Ndonjëherë i vjen të shajë me sa fuqi që ka në kokë, por përsëri bën si bën dhe mundohet ta përtypë mllefin që mban në shpirt. “Ku vete more, si lopa”, shan me gjysmë zëri, ndërsa pikas me cepin e syrit, një makinë që i fishkëllen pasqyrat e furgonit. “Kjo punë është gjithë ditën. Duhet të merresh me lloj-lloj shoferësh”, thotë e nevrikosur. Një xhiro, nga ish-përmendorja e Enverit në qendër të Tiranës, në Kamëz e anasjelltas. Ferideja e bën për 40 minuta. Kuptohet, kur nuk ka shumë trafik, pasi në rastin më të keq shkon edhe një orë e kacafiu. Gruaja timoniere nuk do që fatin e saj të kenë edhe vajzat. Burri i thotë shpeshherë të heqë dorë. Duke e ditur sa e vështirë është për një femër qenia në rolin e drejtueses së makinës, aq më shumë me pasagjerë sipër, Ferideja ka vendosur hëpërhë të mos ua mësojë makinën të bijave. “Nuk do të doja kurrë të bëheshin si mamaja. Unë e di se ç’po heq me makinën. Të më besosh, naftën e kam marrë borxh në mëngjes, dhe do ta shlyej në darkë. Të mos llogaris licencën, që ta ha kokën, apo shërbimet që do furgoni. Për fat të mirë, vajzat i kam shumë të mira, dhe mësojnë shumë, kështu që kanë kohë të mësojnë makinën”. Ama, nëse do të gjente një punë tjetër me rrogë më të mirë, Ferideja nuk do të mendohej kurrë dy herë. Tani e nget furgonin sa për një çapë bukë. Po nuk ka ku të shkojë. Gjithandej është keq për punë. Më mirë se të rrijë në shtëpi, gëzohet me dhuntinë që i ka falur natyra, ndryshe nuk i dilet, në një jetë që sa vjen e bëhet më e vështirë.