Prezantohet Plani i ri Rregullues i Tiranës. Synimi: zhvillimi urbanistik, ekonomik dhe social i zonave informale. Korpus i ri universitar në zonën verilindore. Bregu i Lumit kthehet në park linear ndërsa Dajtit i shtohen dy parqe pyjore në Farkë dhe Paskuqan.
Në 2020 Tirana shtohet me 400 mijë banorë. Trafiku përqendrohet në transportin publik, ndërsa orientimi i lëvizjes së automjeteve private do të drejtohet në korsitë jashtë qendrave urbane duke i kushtuar rëndësi mjedisit
Kryebashkiaku Rama: “Sfida kryesore, integrimi i të gjithë zonave informale duke respektuar procesin e legalizimit”
U deshën 6 vite punë, mund dhe djersë për të krijuar atë që me plot gojë meriton të quhet tani e tutje Tirana e re, kryeqyteti i së ardhmes, i qytetarëve të denjë nga qendra në periferi. Kryebashkiaku Edi Rama nuk e fshehu dot gëzimin. Në mandatin e tij të tretë në krye të bashkisë së Tiranës, pas 18 viteve të vështira postpluralizëm, kryeqyteti ka më në fund Planin e Ri Rregullues, i hartuar në bazë të një procesi të decentralizuar dhe gjithëpërfshirës. Është gëzim mëse legjitim dhe njëkohësisht një premtim që kryebashkiaku u kishte bërë kryeqytetasve, duke plotësuar kështu në mënyrën më të mirë të mundur misionin dhe angazhimin për të pasur Tiranën Evropiane, qytetin që të gjithë ëndërrojmë të kemi.
Dje në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit, në prani të dhjetëra specialistëve dhe qytetarëve të pranishëm u ngrit sipari ose “Dëgjesa e Parë”, sikundër dëshiroi ta cilësojë forumin kryebashkiaku Edi Rama. Në prezantimin që i bëri Planit të Ri Rregullues, kreu i bashkisë i kushtoi vëmendje të posaçme investimeve në zonat informale, duke dhënë një sinjal të qartë për banorët e këtyre zonave se do të jenë vazhdimisht në vëmendjen e bashkisë dhe se tani e tutje nuk do të trajtohen më si qytetarë të dorës së dytë. “Zonat informale në këtë plan nuk janë parë si pengesë, por si një shteg mundësish për një cilësi jete. Në të gjitha zonat informale vërtet ka rrugë të ngushta, por ka oborre të gjera dhe të gjitha ato oborre të gjera janë potencial për rritjen e përmasës së gjelbër.
Një nga sfidat kryesore të qytetit është integrimi i të gjitha zonave të ashtuquajtura informale, në kryeqytetin e së ardhmes, duke respektuar logjikën e patjetërsueshme të procesit të legalizimit dhe njëkohësisht duke konsideruar nevojën e domosdoshme të të gjithë atyre familjeve që sot jetojnë në këto zona, për të pasur një infrastrukturë e cila t’i plotësojë të gjitha nevojat e tyre dhe të fëmijëve të tyre me të gjitha shërbimet publike dhe me një infrastrukturë sociale, si çerdhe, kopshte, shkolla”.
Kreu i bashkisë shprehu keqardhjen për zhvillimet kaotike në zonat me potencial turistik përreth Tiranës, të cilat po vuajnë lejimin e ndërtimeve pa kriter dhe jashtë çdo plani urbanistik. “Është e qartë që Tirana sot do të ishte një kryeqytet me perspektivë shumë më të shkëlqyer, në rast se nuk do të kishin ndodhur zhvillimet barbare në Kashar, në rrëzën e Dajtit, në kodrat e Selitës, zhvillime të cilat kanë marrë parasysh vetëm interesat private dhe nuk kanë marrë absolutisht parasysh interesin publik për një kryeqytet që zhvillohet në mënyrë të balancuar”. I vetëdijshëm për vështirësitë e shumta që do të hasen në realizimin e Planit të Ri Rregullues, kryebashkiaku u shpreh se “Ajo që ne kemi bërë gjatë gjithë procesit dhe në këtë proces konsultimesh, do të përfshijë sigurisht dhe komunat. Kjo është një vendimmarrje në dy nivele: një vendimmarrje për Tiranën administrative sot, por edhe një vendimmarrje për të gjithë rajonin.
Pavarësisht se kush e administron, plani do të jetë i përbashkët. Nuk ka më kufij, por ka më shumë probleme dhe këto probleme mund të zgjidhen vetëm nëse të gjithë aktorët janë bashkë”. Sipas parashikimeve në vitin 2020, Tirana do të ketë mesatarisht 400 mijë banorë më shumë se numri aktual, që ndryshe do të thotë se kryeqyteti do të ketë nevojë për më shumë vende të reja pune. “Ky plan na jep mundësi të garantojmë 200 mijë vende të reja pune. Po kështu na jep mundësi të shtojmë 175 ha gjelbërim, në një qytet ku në vitin 2000 kishte 3.1 metër katror gjelbërim për person dhe sot ka 4.3 metër katror gjelbërim për person ”,- tha kryebashkiaku Edi Rama në prezantimin e Planit të Ri Rregullues
Në zonën verilindore të Tiranës, do të ndërtohet korpusi i ri universitetar si edhe qendra e kërkimit shkencor
Korpus universitar në Shkozë
Plani i Ri Rregullues, përpiqet të harmonizojë kërkesat e qytetarëve në njërën anë dhe biznesit privat në krahun tjetër. Projekti gjigant synon që të zhvillojë Tiranën si një rajon të tërë dhe jo të ndarë në parcela, si edhe të përqendrojë investimet jo vetëm në qendër por edhe në periferi. Tashmë është përcaktuar se në planin e ri rregullues, Tirana do të ketë në gjirin e saj edhe një korpus të ri universitar, si edhe një qendër të kërkimit shkencor. Institucionet akademike janë vendosur të ndërtohen në zonën verilindore, më saktë në lagjen Shkozë.
Vëmendje e veçantë në planin rregullues i është kushtuar edhe zhvillimit të Lanës, e cila vuan mungesën e kujdesit në pjesën hyrëse të saj. Ajo që vlen të theksohet është edhe fakti që në plan periferia nuk do të shikohet më thjesht si një bujtinë, por si një zonë ku do të përqendrohen një pjesë e institucioneve publike. Kjo ndërhyrje bëhet me qëllimin për të afruar nga pikëpamja institucionale qendrën dhe periferinë, ku për hir të së vërtetës zonat jashtë metropolit vuajnë mungesën e zhvillimit ekonomik dhe social.
Plani sjell risi, krijimin e zonave të zhvillimit miks, ku ndërthuren funksione të ndryshme, si strehim, punësim, argëtim, shërbime sociale dhe lehtësira publike. Në vitin 2020, Plani i ri Rregullues, nëse do të realizohet drejt, do t’i japë Tiranës jo pak por 1800 hektarë hapësirë të lirë, të cilat do të shfrytëzohen për zhvillimin urban, ekonomik dhe social të saj. Synim tjetër kryesor i Planit Rregullues është edhe orientimi i lëvizjes së automjeteve. Në përfundim të dekadës së dytë, të mijëvjeçarit të tretë, trafiku në Tiranë do të orientohet jashtë territorit të saj, duke i dhënë prioritet transportit publik me korsi të dedikuara dhe lëvizjes pedonale brenda qytetit.
Bregu i Lumit, park publik
Ndryshime rrënjësore në Planin e Ri Rregullues do të ketë edhe në zonën e Bregut të Lumit, i cili sakaq do të kthehet në park publik linear. Deri tani Bregu i Lumit është cilësuar si një nga zonat më të varfra dhe problematike të Tiranës. Referuar Planit, Tiranës do t’i shtohen me rregullimin e ri që do t’i bëhet pothuajse 340 ha zona industriale dhe 187 ha zona tregtare, duke i dhënë tjetër ritëm zhvillimit ekonomik. Synimi kryesor dhe final është që plani ta shndërrojë Tiranën në kryeqytet policentrik e multifunksional. Plani i ri rregullues do të prezantohet para grupeve të interesit në të gjitha minibashkitë e Tiranës nëpërmjet dëgjesave publike, nga ku pritet të marrë vulën e qytetarëve.
Farkë- Paskuqan dy parqe të reja pyjore
Plani i ri rregullues nuk do të synojë vetëm zhvillimin urbanistik dhe ekonomik të kryeqytetit, por edhe mbrojtjen e burimeve natyrore, zonave delikate si lumenjtë e liqenet si edhe zonat kodrinore, duke kufizuar ndërtimet në to. Ky plan do të përpiqet të përmirësojë gjendjen ekzistuese të strukturës urbane, nëpërmjet krijimit të hapësirave publike, parqe lulishte dhe të krijojë akses në zonat tashmë të formuara, me hapjen e rrugëve të reja.
Qëllim më vete është edhe orientimi në zhvillimet e reja, me krijimin e poliqendrave dhe transformimin e zonave ish– industriale, të degraduara dhe të zonave të pastrukturuara apo pa identitet urban, në vende shkëmbimi të kulturave dhe të mirave materiale.
Njëkohësisht me elementët e mësipërm plani do t’i kushtojë rëndësi të posaçme organizimit të transportit të integruar, që do të thotë, stacione të reja treni, krijim i korsive të dedikuara për transportin publik apo biçikletat si dhe parkimet publike. Tërësia e tyre mendohet të sjellë uljen e lëvizjes së mjeteve motorike private dhe rrjedhimisht aksesimin e menjëhershëm të qendrave të qytetit, nga çdo grupmoshë si dhe uljen e rëndesës së trafikut dhe ndotjes së ajrit.