Raporti mjedisor ndërkombëtar: Tirana qytet i pastër. Bashkia synon që më 2011, kryeqyteti të jetë më i pastri i Shqipërisë
Raporti i fundit ndërkombëtar mbi mjedisin e cilëson Tiranën qytet të pastër dhe brenda normave të lejuara të shkallës së ndotjes. Konstatimi u përshëndet ditën e djeshme edhe nga kryebashkiaku Edi Rama, i cili në prononcimin për mediat, shprehu kënaqësinë që vlerësimi mbi rezultatet e raportit është përshëndetur edhe nga qeveria. “Duke iu referuar fakteve të pamohueshme si dhe raporteve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare mbi gjendjen e mjedisit, Qeveria u detyrua më në fund të pranonte dje (të shtunën) përmirësimin e ndjeshëm të pastërtisë e të cilësisë së ajrit në Tiranë.
Ky rezultat i padiskutueshëm lidhet me efektet e punës kolosale të Bashkisë së Tiranës qysh nga viti 2000 për rritjen e përmasës së gjelbër të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së pastrimit. Fakti se sot në kryeqytet kemi 4.3 m2 gjelbërim për frymë nga 3.1 që kishim 8 vite me parë, është njëri ndër treguesit më kuptimplotë të kësaj pune, po jo i vetmi”, u shpreh kryetari i bashkisë Rama.
Në bazë të statistikave të publikuara nga Bashkia e Tiranës, kryeqytetit në 8 vitet e fundit i janë shtuar 450 mijë m2 sipërfaqe të gjelbërta si edhe 19 mijë pemë dhe gjelbërim i ulët, çka tregon për rritjen e ndjeshme të përmasës së gjelbërt në qytet. Po gjatë kësaj periudhe kohore, kryeqytetit i janë shtuar1 283 000 m2 asfalt si dhe janë shtruar 440 000 m2 trotuare. Punë kolosale është bërë edhe në rehabilitimin e 220 ha blloqe banimi dhe 160 ha të tjerë brenda lagjeve deri në skajet më periferike janë në proces rehabilitimi.
Një tjetër sukses i bashkisë së Tiranës që ka ulur ndjeshëm nivelin e ndotjes në kryeqytet është edhe venia tërësisht nën kontroll mjedisor e fushës së mbeturinave të Sharrës. Kryebashkiaku Rama bëri të ditur për publikun se në fund të vitit, Tirana do të ketë më shumë gjelbërim. “Sot është dita për të thënë se këtë fund viti (që nis edhe stina e mbjelljeve), do të mbjellim 6 mijë pemë të reja, 3 500 brenda në qytet dhe 2 500 në Parkun e Liqenit ku do nisim edhe projektin tonë të madh të rehabilitimit të parkut, fillimisht me rrugët e brendshme, korsitë e biçikletave e të vrapuesve”.
Për të pasur një qytet sa më të pastër, kryebashkiaku Rama,preemtoi se po në fund të vitit do të futen në përdorim 120 makineri pastrimi më cilësore sesa ato që kanë punuar deri tani si dhe do të shtohen 400 punëtorë në pastrim, duke rritur kështu fondin e punësimit në dobi të mjedisit. “Objektivi ynë i shpallur një vit më parë se Tirana do të jetë në vitin 2011 qyteti më i pastër i Shqipërisë, do të realizohet përpara afatit që u kemi dhënë qytetarëve”, premtoi në përfundim të prononcimit për shtyp, kryetari i bashkisë Edi Rama.