Nuk ka më me një këmbë para dërrasës së zezë. Thupra është harruar. Tani ka puthje në ballë dhe flamur në faqe. Motivimi i nxënësve, si po evoluon edukimi i brezit të ri. Një orë mësimi në klasën e parë A, në shkollën “Edith Durham”, me mësuese Dhuratën dhe nxënësit e saj
Nuk është fort e lejueshme, por tregon afeksion, dashuri, një lloj të veçantë motivimi që të shtyn t’i bësh gjërat edhe më mirë se herën e parë. Kur të puth mësuesja në ballë do të thotë se sot ke qenë shembull, ke qenë më i miri dhe kështu duhet të jesh gjithmonë. Për nxënësit e klasës së parë, buzëkuqi i mësueses në ballë është çasti më i lumtur gjatë orës së mësimit. Puthja e mësueses është e pakrahasueshme për nga merita edhe me yllin, flamurin apo diellin që mund të marrësh në fletoren e detyrave të klasës.
Mësuese Dhurata, e di mirë se çdo të thotë të motivosh një fëmijë. Ajo ka një eksperiencë të gjatë pedagogjike mbi supe dhe përveç rolit edukues i duhet të jetë shpeshherë edhe psikologe me nxënësit. Fëmijët e sotëm janë shumë të ndryshëm. Si i thonë asaj fjalës të japin ujë në bisht të lugës. Ata janë shumë më të ndryshëm nga brezi i fëmijëve të sistemit. Janë më të çiltër. Komunikojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, madje të habisin me batutat që nxjerrin nga goja. Jo vetëm kaq, por dinë të jenë edhe xhelozë. Mërziten shumë shpejt dhe nuk ngurrojnë ta shprehin hapur mospëlqimin nëse mësuesja nuk u jep hakun.
Për një mësuese të ciklit të ulët është shumë më e vështirë të mbajnë sus një klasë sot sesa 20 vite më parë. Nuk ka më qëndrim me një këmbë para dërrasës. Ka përfunduar koha e persekutimit në dhomën e hartave të gjeografisë. Nuk ka më shuplaka nëse nuk mëson apo bën gabime. Mësuesi nuk mban më thupër apo pallaskë në tavolinën e punës. Është gjithçka ndryshe, sa edhe vetë çuditesh me evoluimin e brezave.
Kështu ka ndryshuar edhe forma e motivimit. Nuk ka më yll me pesë cepa në ballë, por një puthje nga mësuesja do të thotë shumë më shumë. Sot buzëkuqin në ballë e merituan Lora, Fjona, Dhorim, Arbes dhe Jonathan. Kur të ikin në shtëpi ata kanë çfarë të kujtojnë nga ora e mësimit. Ata do t’u tregojnë prindërve se janë sjellë mirë dhe kanë dalluar nga shokët dhe shoqet e tjera. Pasi i puth në ballë mësuese Dhurata, nuk përton që buzëkuqin akër të ndezur ta lërë edhe në fletën e punës të nxënësve të dalluar. “Me fëmijët sot është gjithmonë e më vështirë të komunikosh. Gjithmonë mësuesit, sidomos në klasat e ulëta, janë në kërkim të formave të ndryshme të motivimit. Një puthje në ballë ndoshta nuk është shumë e lejueshme, por i jep të kuptojë një nxënësi se ai sot ka punuar shumë mirë, ka qenë i shkëlqyer dhe kështu duhet të vazhdojë më tej”. Puthja në ballë është vetëm një formë motivimi. Mësuese Dhurata mundohet që të stimulojë të gjithë nxënësit.
Dikujt i shënon në doçkë “Të lumtë dora e vogël”. Një tjetri i vendos në fletën e punës një diell që ndriçon. Nëse ndodh që mësuesja të vendosë edhe diell, edhe flamur, atëherë do të thotë se sot në mësime ke qenë i shkëlqyer. Nuk mungon si formë motivimi edhe ylli me pesë cepa, paçka se tani shikohet diçka më rrallë. Po kështu ka ndryshuar edhe komunikimi. Nuk ka më të bërtitura, aq sa të duket se ata që komandojnë në të vërtetë në klasë nuk janë më mësuesit me vrazhdësinë e tyre por nxënësit. “Një formë tjetër motivimi është edhe komunikimi gojor.
Gjatë orës së mësimit ne si mësues përpiqemi që t’i nxisim nxënësit të japin më të mirën e tyre duke u dhënë vlerësime të herëpasheshme si “Bravo”, “Të lumtë”, “Shikojeni shokun apo shoqen”. Edhe vetë fëmija ndjen se duhet të japë më shumë. Ne përpiqemi që të mos i kritikojmë, por t’u tregojmë me anë të formave stimuluese se si mund të ecin përpara”. Një formë tjetër stimulimi është edhe vendosja e emrave të gjithsecilit në bankën përkatëse.
Nxënësit në klasën e mësuese Dhuratës, megjithëse kanë vetëm pak ditë që qëndrojnë së bashku, i dinë fare mirë emrat e shokëve dhe shoqeve, madje edhe më mirë se mësuesja e tyre, të cilën e korrigjojnë në çast. “Këta janë fëmijë shumë intelegjentë. Vendosja e emrave në bankë është një formë motivimi që ata ta ndjejnë veten të afërt me njëri-tjetrin. Ne përpiqemi që nxënësit të mos i thonë shoku-shokut “Ej ti”, por të dinë të komunikojnë me emër.
Vetëm në këtë formë ata do të dinë të mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin, po kështu të njohin edhe vlerësimet që mësuesja ka për gjithësecilin”. Edhe fëmijët vetë ndihen më mirë me format e gjetura të motivimit. Ata janë shumë më të llastuar se kolegët e tyre të brezit të para viteve 90’, por ama sidoqoftë ata mbeten sërish fëmijë dhe si të tillë meritojnë të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, qoftë edhe me buzëkuq në ballë.
Dje dhe Sot
Nga dje në sot, shumë gjëra kanë ndryshuar. Ne ishim të ndrojtur. Flisnim kur na e kërkonin. Këta jo. Ta thonë përgjigjen pa hapur gojën mirë. Mësuesi sot e ka shumë më të vështirë të komandojë. Nëse dikur ekzistonte një formë standarde sjellje, sot mësuesit duhet të kërkojnë në vazhdimësi forma të reja motivimi. Me nxënësit e klasave të para është gjithmonë e vështirë të gjesh gjuhën, por me të sotmit është edhe më e vështirë. Duhet të kesh durim të fortë, pasi në të kundërt nuk ia del kurrë mbanë.