Analizat e qumështit kinez dalin në rregull. MBUMK akuzon segmente të panjohura për shpifje dhe diversion
Siguria e produkteve është e lartë. Ministria e Bujqësisë rreh gjoksin për arritje të larta në mbrojtjen e jetës së konsumatorëve
Qumështi kinez është në rregull. Misri pa kokrra është intrigë dashakeqëse. Vaji me përmbajtje nafte është sajim. Çdo produkt në Shqipëri është i sigurt, ndërsa ata që thonë të kundërtën jo vetëm që ia fusin kot, por nuk janë mirë as nga trutë e kokës. Për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit çdo gjë shkon si vaji në sallatë, ndërsa lepuri duket se flet gjetiu, po se ku vetëm drejtuesit e këtij institucioni e dinë. Dje në një deklaratë për shtyp, ministria në fjalë, u përpoq të gjejë grupe armiqësore dhe jo të japë fakte mbi sigurinë e jetës së konsumatorëve.
Pasi u vetëkënaq me rezultatet e analizave të mbërritura nga Italia të qumështit Panda kinez, Ministria e Bujqësisë nisi diversionin e radhës duke akuzuar në tym segmente dashakeqëse, që nuk na e dashkan të mirën e popullatës. Në këtë deklaratë, MBUMK thotë se ndjehet e shqetësuar nga presionet e segmenteve, që gjoja flasin në emër të mbrojtjes së konsumatorëve. Pa fyerje, edhe një lexues me pesë klasë shkollë, nëse do t’i binte në dorë deklarata për shtyp e Ministrisë së Bujqësisë, do të pyeste “vallë kush të jenë këta surretër që shqetësojnë ministrinë”.
Lexuesi do ta kishte marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje nëse në prononcimin për shtyp do të ishin të ftuar edhe pjesëtarë të medias, gjë që në fakt nuk ndodhi. “Në plotësimin e këtyre detyrave e përgjegjësive përballemi dendur me presione të atyre segmenteve, që gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve, në fakt na rezulton se bëjnë avokatinë e grupeve të veçanta të interesit duke diskriminuar grupe të tjera, duke shkaktuar konfuzion dhe klimë pabarazie në treg”. Kjo është një frazë e shkëputur nga deklarata e djeshme për shtyp, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Konsumatorëve.
Sipas kësaj logjike, për t’i plotësuar tekat këtij dikasteri, nevojitet heshtja ose tundja e kokës në shenjë aprovimi. Në deklaratë MBUMK vazhdon të interpretojë diversionin si formën më të mirë për të mos thënë asgjë nga ato që ka për detyrim ligjor të sqarojë. Kurajo e këtij institucioni shkon deri aty sa të kërcënojë, sërish pa deklaruar se kush janë, segmentet e dyshimta, se nëse dalin edhe njëherë bllof mund të përballen me pasoja, format e të cilës i di vetëm Ministria e Bujqësisë. “Atyre që bëjnë avokatinë e dyshimtë për qytetarët dhe konsumatorët, gjoja në emër të tyre, por në fakt kundër qeverisë dhe standardeve të arritura, ju kujtojmë sot se është e disata herë që dalin bllof si me këtë rastin e qumështit, të vajit, misrit etj”. Shumë bukur!
Për çfarë standardesh pretendon se flet Ministria e Bujqësisë, që mban nga pas edhe llagapin e Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit? Mos e ka fjalën për gjalpin, qumështin, djathin, gjizën që shiten në qiell të hapur? Apo mos e ka për gjënë e gjallë që theret në trotuare si qëmoti? Meqë ra fjala, cili është kontrolli që ushtron ky dikaster te shitësit ambulantë që me gomar zbresin nga fshatrat më të afërt të Tiranës për të shitur qumësht me pagure në kryeqytet. Në deklaratën për shtyp përmendet misri. Ministria e Bujqësisë thotë se është bllof. Se sa bllof është misri pa kokrra, drejtuesit e MBUMK, bënin mirë të mos vegjetonin në zyra, por të shkonin vetë në terren dhe të shikonin katrahurën e ndodhur.
Nëse misri pa kokrra ishte bllof, atëherë me siguri që edhe fshatarët që u çanë duke u ankuar në mediat vizive duhet të kenë qenë sipas mendimit të dikasterit të Bujqësisë, dordolecë arash që trembin mëllenjat. Së fundi në deklaratën për shtyp për hir të qumështit Panda kinez, ka një të pavërtetë të madhe, të cilën Ministria e Bujqësisë bën mirë ta përtypë sa më shpejt dhe të mos marrë merita që nuk i takojnë. “Pa pritur udhëzime, urdhra apo porosi nga askush, duke iu shmangur panikut, që shpesh mbase edhe nga padija, duan ta përcjellin tek konsumatorët, po risqarojmë se para të gjithëve ka qenë dhe është MBUMK që e ka ndjekur problemin sapo është shfaqur në origjinë të tij. Janë mbajtur lidhjet non stop me institucionet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore dhe është monitoruar rreptësisht situata”.
Ky citim është kaq i pavërtetë sa edhe vetë misri pa kokrra, që Ministri i Bujqësisë dëshironte ta bënte më zor me kokrra. “Jepini Cezarit, atë që i takon Cezarit”. Nëse ka dikush që duhet falënderuar, në radhë të parë është konsumatori dhe më pas media e cila me punën e saj informuese qoftë edhe pa pëlqimin e dikasterit të bujqësisë, është munduar të përcjellë realitetin lakuriq. Të vërtetat janë të hidhura, por ato duhen pranuar ashtu sikurse janë. Këtë duhet të bëjë edhe Ministria e Bujqësisë dhe jo të gjejë grupe armiqësore.