Historia e një prej të fundmëve të ish-drugdhendësve të Gjirokastrës. “U ktheva në qytetin tim pas 11 vjetësh emigrim dhe ndihem mirë këtu”
Dikur, gdhendësit e drurit, të formuar në ish-ndërmarrjen artistike ishin të shumtë. Por, pas viteve 1990 pjesa më e madhe e tyre emigruan dhe nuk u kthyen më në Gjirokastër. Pjesa tjetër ndërroi zanat, duke u bërë thjesht mobilierë. Kështu, si shumë profesione të tjera edhe ai i gdhendjes u venit. Anastas Petridhi është ndër të paktët mjeshtra shqiptarë të gdhendjes së drurit të mbetur në Gjirokastër.
Kanë kaluar gati 30 vjet nga dita kur mësoi të skalitë figurën e parë mbi një copë druri. Por ai ka mundur të gjejë forcat për të vazhduar të punojë me të njëjtin pasion. Anastasin e gjejmë në punishten e vet, ndërsa është duke punuar një prej porosive të shumta që i mbërrijnë çdo ditë.
Ditën që e takojmë ka një “përvjetor”. “Sot mbushen plot 5 vjet nga dita kur vendosa të rikthehem nga emigrimi në Gjirokastër, - thotë dhe shton me keqardhje - dhashë mjaft nga vetja dhe profesioni im në vitet e gjata që kalova jashtë Shqipërisë. Në fakt, asnjëherë nuk e kam menduar të ardhmen time larg prej këtej”.
Në 11 vitet e kaluara në Greqi, profesioni i gdhendjes së drurit, i mësuar dikur në ish-ndërmarrjen artistike, u perfeksionua. “Fillimet ishin mjaft të vështira. Punën e nisa në banesën e marrë me qira dhe dalëngadalë fillova të krijoja klientelën time, megjithëse modeste. Më tej, vetë punimet e mia më bënë më të njohur dhe gjatë dy viteve të fundit hapa edhe dyqanin tim, ku prodhoja dhe tregtoja. Megjithatë ndjeja se diçka më mungonte dhe rikthimet e shpeshta në Gjirokastër më treguan se çfarë duhet të bëja”, tregon Anastasi.
E ndërsa kaluan 5 vite, Anastasi thekson se asnjëherë nuk është penduar për vendimin e marrë. “Megjithë problemet që kemi pasur këtu, për asnjë moment nuk jam penduar. Jam me njerëzit e mi në vendin tim, ku ushtroj edhe profesionin. Jam mjaft i kënaqur, njerëzit më njohin dhe respektojnë”.
Megjithëse punishtja e gdhendjeve të drurit ndodhet në një zonë shumë pak të ekspozuar të qytetit, derën e saj e gjejnë dhjetëra banorë të rajonit jugor që vijnë të porositin diçka, një kornizë fotografish, një kuti për mbajtjen e stolive, një ikonë me figurën e një shenjtori etj.
“Pjesa më e madhe e kërkesave janë për pjesë zbukuruese në tavane, si rozeta, korniza apo edhe cepa të gdhendur tavanesh, kryesisht për shtëpitë e reja që ndërtohen. Por kërkojnë gjithashtu edhe punime të ndryshme zbukuruese jo funksionale, si dhe ikona të ndryshme. Një pjesë e mirë e porosive vijnë nga Greqia, kryesisht për pjesë të ndryshme në kisha apo manastire. Me tepër punë për matanë kufirit kam tani, sesa kur jetoja atje”, tregon më tej Anastasi.
Porositë e shumta, përveç fitimeve sjellin edhe kënaqësinë e profesionit dhe pasionit njëkohësisht.
“Ka raste kur nuk i mbaroj dot në kohë porositë që kam, megjithëse mundohem gjithmonë të jem korrekt me klientët. Prej disa kohësh është kthyer po nga Greqia edhe vëllai im i vogël Plutoni, duke më lehtësuar mjaft. Herë pas here kam dëshirë të bëj një punim për kënaqësi dhe thjesht për ta ekspozuar, por nuk kam kohë. Porositë e vazhdueshme nuk më lejojnë”.
Përvoja në Greqi do ta ndihmonte të bëhej pjesë e një sërë punimesh të kryera në disa kisha si në atë të lagjes Varosh në qytetin e Gjirokastrës, në kishën e Fierit si dhe në fshatin Vodhinë po në rrethin e Gjirokastrës.
“Janë punime që kërkojnë përqendrim dhe durim shumë të madh për shkak të elementëve të shumtë që përmbajnë. Gjithsesi, kur gjithçka realizohet siç e ke menduar, atëherë edhe të gjitha vështirësitë harrohen”.
Disa nga punimet e Anastasit janë të ekspozuara në njërin prej dyqaneve të prodhimeve artizanale të vendosur në Pazarin Karakteristik të qytetit të gurtë, por sipas tij ende nuk mund të flitet për një treg të ngritur për turistët.
“Punimet dhe gdhendjet në dru, për shkak të specifikës dhe vështirësive që kanë kushtojnë. Por, ajo kategori turistësh që vizitojnë qytetin tonë, mendoj nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha dhe kështu pjesa më e madhe e punimeve që blihen prej tyre janë kala të vogla prej druri dhe gjëra zbukuruese, për të cilat ata janë të interesuar, - përfundon bisedën e tij Anastasi.
“Një gjel që nuk ... shitet”
Në muret e punishtes janë të ekspozuara një pjesë e mirë e punimeve, të gjitha pothuajse të porositura. Korniza të ndryshme fotografish apo pasqyrash, ikona të formave e madhësive të ndryshme, zbukurime të ndryshme, rozeta etj. Ndërmjet tyre spikat edhe një gjel i gdhendur, të cilin megjithë kërkesat e vazhdueshme, nuk ka pranuar ta shesë. ‘Është punimi im i parë pas rikthimit në Shqipëri dhe kam vendosur ta kem si hajmali. Kam pasur kërkesa për ta shitur, por nuk e kam dhënë”, rrëfen këtë detaj të punës së tij drugdhendësi Anastas Petridhi.