Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:16:06

Lexoni versionin Print

“Shkolla e burgut? Në fund, të le në klasë...”

Arif Zela, tashmë e fiton jetesën me punë krahu. Është nga Lushnja, por punon në Kosovë, si riparues shtëpish. Zanatin e ka mësuar në... burg. Arifi është një ish-hajdut profesionist, i dënuar për krimet e tij. Tashmë që ia ka kthyer borxhin shoqërisë, ai mundet të nxjerrë disa përfundime për jetën e vet të pazakontë.

Mark Brunga
Diel, 12 Tetor 2008 10:44:00

Një personazh i pazakontë që ka kaluar 25 vite të jetës së tij burgjeve. Ka provuar vjedhjen dhe drogën për t’iu kthyer në fund jetës së zakonshme dhe punës së krahut

Arif Zela, tashmë e fiton jetesën me punë krahu. Është nga Lushnja, por punon në Kosovë, si riparues shtëpish. Zanatin e ka mësuar në... burg. Arifi është një ish-hajdut profesionist, i dënuar për krimet e tij. Tashmë që ia ka kthyer borxhin shoqërisë, ai mundet të nxjerrë disa përfundime për jetën e vet të pazakontë.

Arifin e takojmë rastësisht në një lokal në Durrës, teksa na duhet të shkëmbejmë çakmakun. Në shkëmbimin e parë të fjalëve, mësojmë se ka kaluar burgjeve mbi 25 vite jetë.

Nisim ta pyesim pak si në stilin e pyetjeve që bëhen zakonisht në zyrat e hetuesisë. Duket që është mësuar dhe nuk i bën përshtypje. Siç thotë vetë ai,“Shkolla e burgut është një shkollë tepër e rëndë e që gjithsesi në përfundim të lë në klasë…”

Si quheni?

Arif Zela

Datëlindja?

18 shkurt 1957

Profesioni juaj?

Punoj në Kosovë. Riparoj tavane të varura banesash dhe riparime të tjera shtëpish. Kur gjej punoj edhe si korrës bari… Bëj çdo punë të rastësishme që kam mundësi.

Ku e ke mësuar profesionin?

Në burg

Ç’punë ke bërë para këtij profesioni?

Hajdut!

Nga jeni?

Nga e gjithë Shqipëria se s’kam lënë kamp burgu nga veriu në jug pa qëndruar. Po për të lindur kam lind në Dushk të Lushnjës

Çfarë ke vjedhur për herë të parë?

Laboratorë shkollash, pajisje.

Ç’bëje me ato që vidhje?

I shisja. Alkoolin që kishin laboratorët e Kimisë e Fizikës për shembull, e blinin prodhuesit e rakisë e të verërave që e shisnin më pas nën dorë. Me të rrisnin cilësinë dhe gradacionin që preferohej, pasi atje kishte alkool ushqimor të cilësisë së parë.

Përse vidhje?

S’doja të punoja për 30 lekë në arat e Myzeqesë. Isha i ri dhe dëshiroja të jetoja mirë.

Cili ka qenë dënimi më i madh që ke marrë në jetën tënde?

17 vjet.

Përse u dënove kaq shumë këtë radhë?

Për hapje kasafortash. Më kapën kur hapa kasafortat në Dushk të Lushnjës. Vodha gjithsej 370. 000 lekë të asaj kohe. Më ndihmoi fati që s’kishte më shumë se, atëherë ka pasur një limit ligjor në këtë lloj vjedhjeje. Po ta kaloje të dënonin me pushkatim. Dhe ata ta jepnin plumbin pa kursim. 80 lekë kushtonte një fishek. Kështu që s’do të ishim bashkë në këtë kafene…

Ku i ke kaluar vitet e dënimit?

Fillimisht në Ishull të Lezhës, Më pas në Fishtë, Tarovicë, Batërr, Bulqizë, Tërnovë të Dibrës, Spaç, Bardhorë të Kavajës, Shën Vasi të Sarandës. Ndërsa burgjet e Peqinit e të Rrogozhinës i provova pas ’90-s. Edhe pas ‘90-s ke bërë vjedhje?

Jo. Më arrestuan për hashash…

Mendove se kjo është më e mirë se hajdutllëku?

Shiko.. Në ambiente të ndryshme dëgjoja për të tjerë që kishin bërë hajër me të, biles edhe politikanë me emër kishin bërë prokopi prej saj. Unë s’kisha ç’humbisja se i humbur isha. Edhe komisarët e Enverit në burgje na e kishin thënë këtë, se proletariati s’ka se ça të humbasë përveç prangave. Mua prangat më qenë bërë pjesë e gjymtyrëve, kështu që mendova se më erdhi dita të bëhem zengjin…Po fitova vetëm 5 vite të tjera burgu.

Sa vite je dënuar gjithsej në jetën tënde?

Mbi 50, por kam bërë vetë 25 pasi kam përfituar nga amnistitë.

Tani që ke hequr dorë dhe që bën një punë normale, si do ta konsideroje jetën tënde?

Një jetë me andralla pafund. Shkolla e burgut është një shkollë tepër e rëndë e që gjithsesi në përfundim të lë në klasë…

A të ka mbetur ndonjë peng ndaj saj?

Unë e kam pranuar jetën kështu dhe s’kam pishman për ç’kam vuajtur. I vetmi peng që kam e që s’e gëlltis dot është dhimbja që ndjej për mungesën e fëmijëve të mi. Kur u dënova për drogën, u ndamë me gruan dhe kam 8 vjet pa i parë djalin e vajzën. Ata janë në emigrim dhe kam mall për to. (Arifi hap portofolin ku ka fotografitë e fëmijëve mjaft simpatikë që mund të konkurrojnë pa frikë për miss e mister). Vajza është 17 vjeçe thotë ai, ndërsa djali 16. E kam lënë 8 vjeç kur e mbaja kaliboç mbi supe…



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML