Merkure, 03 Dhjetor 2008 08:58:02

Lexoni versionin Print

Lugina e Preshevës, pjesa e mbetur “jashtë”

Lugina e Preshevës... E vizitojmë pas gjashtë vjetësh duke kujtuar se udhëtimi ynë i parë në Luginë asokohe u konsiderua si ngjarje me rëndësi për popullsinë shqiptare të Luginës së Preshevës, pasi për herë të parë shkeli një grup gazetarësh nga Shqipëria.

Bashkim Shala
Hene, 13 Tetor 2008 10:09:00

Udhëtim në Luginën e Preshevës. E bukur, e egër dhe plot histori të çuditshme. Troje shqiptare, që jetojnë në një zonë të mbetur "e vetme" në territorin e Serbisë, pasi më 17 shkurt të këtij viti, Kosova u vetëshpall e pavarur. Mikpritje. Janë bërë shumë pak ndryshime, megjithësekthehemi gjashtë vjet pas vizës sonë të parë

PRESHEVË-BUJANOC - Lugina e Preshevës... E vizitojmë pas gjashtë vjetësh duke kujtuar se udhëtimi ynë i parë në Luginë asokohe u konsiderua si ngjarje me rëndësi për popullsinë shqiptare të Luginës së Preshevës, pasi për herë të parë shkeli një grup gazetarësh nga Shqipëria. Sot udhëtojmë me të njëjtin personazh, Metali Krasniqin, i gatshëm gjithnjë për të pritur e përcjellë për në Luginën e Preshevës (të mbetur në territorin e Serbisë) shqiptarët e Shqipërisë apo Kosovës. Që në momentin e takimit me Metaliun në Dheun e Bardhë kemi vënë re ndryshimin. Tashmë ai nuk ka atë veturën e vjetër të prodhimit “Zastava” të Kragujevcit, por një automjet tip “Golf 2” të prodhimit gjerman.

Në postbllok nuk janë forcat ruse, si gjashtë vjet më parë, por Shërbimi Policor i Kosovës dhe Shërbimi Doganor. Nisemi drejt Bujanocit. Kalojmë postbllokun e Shërbimit Policor të Kosovës pa ndonjë kontroll për dokumente. Pas pak kilometrash rrugë me kthesa nëpër disa shpate të thepisura, në një kodrinë përballë duket pika kufitare serbe. Rruga ka mjaft kthesa deri atje dhe mjaft shenja që rrëfejnë afrimin e zonës së ndaluar. Një tabelë e bardhë ku shkruhet serbisht "Kosova", është treguesi që kësaj zone i kanë mbetur metrat e fundit.

Mbërrijmë në postën kufitare serbe të vendosur në fshatin Konçul. Gjatë pritjes në radhë vëmë re të hyjnë e dalin automjete të ndryshme, ku shumica mbajnë targën e qytetit të Vranjës në Serbi (VR), por ka edhe automjete me targa “KS” dhe targat e vjetra të Gjilanit të kohës së paraluftës. Këto automjete janë të serbëve të Kosovës të cilët nuk pranojnë t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa të Kosovës, megjithatë ato lejohen të qarkullojnë me automjete pa pasur asnjë dokument. “Shkijet (serbët) janë të privilegjuar si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi”, -thotë Metaliu ndërsa presim.

Pasi serbi i Kosovës që mban ende targat e vjetra të Kosovës (GL) kalon në postbllok i ngarkuar me lëngje freskuese, prodhime të fabrikës së Bujanocit, radha i vjen automjetit tonë. Një police serbe afrohet në dritaren e autoveturës dhe pyet drejtuesin se çfarë ka në makinë. “Nishto”(asgjë), i përgjigjet Metaliu në serbisht. Kaq mjafton që policja serbe të bëjë shenjë për të vazhduar rrugën drejt Kosovës Lindore, të mbetur në territorin e Serbisë pas zhvillimeve të viteve të fundit në rajon. Metaliu ka vënë në autoveturën e tij logon “Press”. Ai thotë se ka një udhëzim të pashpallur të qeveritarëve serbë që gazetarët të gëzojnë njëfarë statusi, të njëjtë me atë të pushtetarëve vendorë.

Teksa hyjmë në zonën tjetër shqiptare, ndiejmë lehtësimin që ndien njeriu kur kalon një kufi, po që këtë radhë ishte një kufi shqiptar i ruajtur nga serbët. Menjëherë pas atij kufiri shfaqet ajo, Lugina e shumëpërfolur e Preshevës. E bukur, e egër dhe plot histori të çuditshme… Gjatë rrugës për në Bujanoc filloj përsëri të pyes Metaliun për personazhet e shkrimit tonë të prillit të vitit 2002 në gazetën “Shekulli”. Shuaip Kamberi, ish-veprimtar i KLMDNj-së, prej më pak se një viti drejton komunën e Bujanocit. Sevdail Hyseni ose Baci, siç i thërrasin ndryshe në Bujanoc, pas “mbretërimit”prej katër vjetësh në krye të Asamblesë Komunale ishte rikthyer në revistën e vetme shqipe në Luginë, që tashmë e kishtendërruar emrin nga “Jehona” në “Perspektiva”.

Baci i kishte lëshuar vendin mikut tij Jonuz Musliu, ish-lider politik i UÇPMB-së, ku ky i fundit prej një viti drejtonte Asamblenë Komunale të Bujanocit. Por edherevista “Jehona”, pasi kishte ndërruar emrin, kishte ndërruar edhe selinë. Tashmë zyrat e saj nuk ishin në hyrjen e ngushtë të një pallati të banuar me serbë, por në pallatin e kulturës së qytetit që mban emrin e Vuk Karagjiçit.

Në rrugët e Bujanocit dhe Preshevës pas gjashtë vitesh nuk shikon vetëm forca të sigurimit serb, por edhe policë shqiptarë që mbajnë në kraharor emblemën e flamurit serb dhe mbishkrimet “Policia” me alfabetin cirilik. “Pas ardhjes në pushtet të Boris Tadiçit diçka ka ndryshuar në kuadrin e lirive dhe të të drejtave të njeriut”, na sqaron Metaliu, që përveç profesionit të mësuesit, është edhe drejtor i revistës “Perspektiva” e korrespondent i së përditshmes kosovare “Koha Ditore”.

Pas gjashtë vjetësh, ndryshimi përkufizohet me fjalën “diçka”. Pavarësia e shumëpritur e Kosovës, veç gëzimit, ka nxjerrë në pah edhe probleme për zonën e mbetur të “shënuar” brenda territorit të Republikës së Serbisë, një “shënim” që për vetë banorët dhe krerët e Luginës, nuk është i lehtë. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, shpjegon problemet që po kalon rajoni i Luginës së Preshevës nën pushtetin e Serbisë.

Preshevasit presin një reagim nga MASH për numrin e studentëve në universitete

Mustafa: Një ditë do të jemi bashkë me Kosovën

Zoti Mustafa, cila është gjendja social-ekonomike e komunës së Preshevës?

Ekonomia në këtë trevë të komunës nuk është e zhvilluar. Për këtë arsye po ndodh eksodi i shqiptarëve në drejtim të Evropës Perëndimore për të gjetur punë, për të mbajtur familjet e tyre. Kemi diku rreth 15 mijë banorë shqiptarë të komunës së Preshevës që aktualisht ndodhen me punë të përkohshme në vende të ndryshme të botës. Për momentin, rreth 70% të atyre që jetojnë këtu dhe janë të aftë për punë, janë të papunësuar.

A ekziston një trupë koordinuese për të zgjidhur problemet e shqiptarëve?

Është një trupë koordinuese, e themeluar nga dy qeveritë e mëparshme, të Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 2001. Megjithatë nuk i ka përmbushur detyrimet që kishte marrë për Luginën e Preshevës. Trupa duhet të mundësonte zgjidhjen e problemeve që atakojnë shqiptarët në organet përkatëse shtetërore të qeverisë serbe. Mirëpo, vetë qeveria serbe, që është themeluese e këtij organi, nuk ka përcjellë në masë të konsiderueshme trupin koordinues dhe nuk u ka dhënë as ndihme, as kompetenca për të vepruar apo funksionuar. Ndërkohë, nuk mund të mohojmë se trupi koordinues ka punuar në komunat ePreshevës, Bujanovcit apo Medvegjës në sferën e investimeve në infrastrukturën rrugore, ku ka pasur disa përmirësime.

Si ka ndikuar pavarësia e Kosovës në Luginën e Preshevës?

Pavarësia ka krijuar një ndjenjë të veçantë kënaqësie dhe entuziazmi edhe tek shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por ka dhe reflektime negative, pasi qeveria serbe tani do të hakmerret në njëfarë mënyre ndaj shqiptarëve...

Në ç’drejtim konsiston hakmarrja?

Le të përmendim veprimin më të fundit të papranueshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës... Ministri serb i Arsimit, Tadoliç, doli dhe deklaroi se tani e tutje diplomat e studimeve universitare në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të njihen, qofshin ato edhe me vulën e UNMIK-ut. Ky është një shqetësim i madh për ne dhe mund të krijojë një shpërngulje të heshtur, përkatësisht pjesës intelektuale të shqiptarëve prej Luginës së Preshevës, në pamundësi të krijimit të marrëdhënieve të punës. Këto lloj deklaratash kanë reflektim shumë negativ dhe për këtë kemi ngritur zërin e arsyes dhe kundërshtimit.

Këtu është bërë një referendum dhe populli ka votuar për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën...

Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, shqiptarët e Luginës së Preshëvës votuan 99% lidhur me tekstin e referendumit për një autonomi territoriale-politike, kulturore në Luginën e Preshëvës, me të drejtë edhe bashkimin me Kosovën. Ndërkohë, kemi deklaruar se njohim edhe parimet e grupit të kontaktit për mosndryshimin e kufijve të Kosovës.

Përderisa kemi një mbështetje të faktorit ndërkombëtar lidhur me ndarjen e territorit të Kosovës, është e pashmangshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të ngrenë zërin edhe më lart për bashkimin me Republikën e Kosovës. Kujtoj se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është një zgjidhje më e mirë, por e bazuar me metodat e dialogut, mirëkuptimit dhe të gjitha atyre përpjekjeve për një zgjidhje paqësore të problemit. Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është i pashmangshëm nëse bashkësia ndërkombëtare ndan një pjesë të Kosovës, domethënë veriun e Mitrovicës.

Para dy muajsh, zhvilluat një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Çfarë u diskutua në këtë takim…?

Kryeministrit të Shqipërisë i paraqitëm shqetësimet tona lidhur me numrin e studentëve të rinj nga Lugina e Preshevës që do të shkollohen në universitetet e Shqipërisë, ku kemi kërkuar ndryshimin e kuotave, pasi ato aktuale janë tejet të pamjaftueshme. Kryeministri Berisha ra dakord me kërkesat tona, por natyrisht që është një procedurë që zhvillohet në Ministrinë e Arsimit. Megjithëse nuk kemi asnjë përgjigje nga ky institucion, shpresojmë se një çështje e tillë do të zgjidhet pozitivisht.


Preshevë, rruga “Enver Hoxha”, tashmë me emrin “Koçi Xoxe”

Një rrugë në qytetin e Preshevës mban emrin e funksionarit komunist në Shqipëri, Koçi Xoxe, pushkatuar nga shteti komunist shqiptar për veprimtari antiparti dhe si agjent i jugosllavëve. Halil Halili, banor i kësaj rruge në qytetin e Preshevës, thotë se rruga mban emrin e Koçi Xoxes, por shpreson se ky emërtim do të hiqet. “Deri në vitin 1947 kjo rrugë ka mbajtur emrin e Enver Hoxhës, por pas pak vitesh u ndërrua me atë të Koçi Xoxes. Mixha (xhaxhai) im e ka letërnjoftimin ku rruga mban emrin e Enver Hoxhës. Kur u bë nderrimi i emrit të rrugës nga Enver Hoxha në Koçi Xoxe, thonin se ky është më i mirë se Enver Hoxha”,- shprehet Halil Halili.

Ndërkohë, Skënder Destani, kryetar i Partisë së Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, njëherësh edhe këshilltar në Asamblenë Komunale në Preshevë thotë për “Shekulli”-n se deri në vitet 1981-‘82 nuk e kanë njohur figurën e Koçi Xoxes. “Pas vdekjes së Titos arritëm të marrim informacione se Koçi Xoxe kishte qenë bashkëpunëtor i afërt i sistemit komunist jugosllav dhe i Titos”, thotë ai.

Por edhe pas viteve ’90, pas rrëzimit të regjimit komunist edhe në ish-Jugosllavi, sipas Destanit, nuk kishte pasur ndonjë reagim publik për emrin e kësaj rruge. “Pëlqimin për ndërrimin e emrave e japin entet republikane. Ne bëjmë vetëm propozimet. Megjithatë, asambleja komunale nuk ka marrë ndonjë nismë ligjore për ndërrimin e emrit”, shprehet lidhur me këtë problem këshilltari Skënder Destani. Vendosja e emrit të Koçi Xoxes në një nga rrugët e Preshevës, sipas Destanit, ka pasur mbështetje nga sistemi komunist në Preshevë dhe ka qenë i imponuar nga Beogradi. “Emri i kësaj rruge është vendosur pas pushkatimit nga ana e regjimit të Enver Hoxhës të Koçi Xoxes.

Ky emërtim është bërë me porosi të Beogradit. Pushtetarët komunistë të Serbisë kanë qarë asokohe për Koçi Xoxen”,- sqaron në vazhdim kryetari i PBD-së së Luginës së Preshevës. Megjithatë, sipas tij, në Preshevë figura e Koçi Xoxes, por edhe ajo e Enver Hoxhës, kanë qenë pak të njohura. “Ne Enver Hoxhën e kemi njohur si zot i shqiptarëve, mbrojtës i shqiptarëve”, -thotë Skënder Destani.


Gazetarët shqiptarë, anëtarësim në Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë

Një klub rinor me qendër në Beograd kishte iniciuar një takim mes gazetarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë. Takimi u zhvillua në qytetin e Preshevës dhe u mbajt në gjuhën serbe, ku si përkthyes shërbeu një gazetar i komunitetit rom të Bujanocit. Gazetarët e Luginës së Preshevës, të inkuadruar në klubin e gazetarëve “Etika” në Bujanoc presin që të anëtarësohen në Shoqatën e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), me kusht që të mos shuhet klubi i tyre i gazetarëve “Etika”.

Gazetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës,në takimin që mbajtën me përfaqësuesit e NUNS-it, diskutuan për antarësimin e tyre në Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë. Në takim u trajtuan problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët e Preshevës e Bujanocit rreth çështjes së informimit të tyre, kuadrit ligjor, por edhe të mbrojtjes institucionale të gazetarëve. “Gazetarët mbeten njëra nga kategoritë më të rrezikuara dhe pa mbrojtje në Luginën e Preshevës”, thotë Belgzim Kamberi, botues i revistës së përkohshme “Hapi” në Preshevë. “Kjo vjen ngaqë ata raportojnë nga provinca me një shoqëri tradicionale, me ndikime të ndryshme sociale të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punën e gazetarëve”.

Debati mes gazetarëve shqiptarë të Luginës dhe atyre serbë konsistoi në faktin se problemet nuk ishin edhe aq të ndryshme, por janë të përbashkëta, posaçërisht kur kemi të bëjmë me mbrojtjen institucionale të gazetarëve, problematikave ligjore me të cilat ato përballen. Gazetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë hezituar që të inkuadrohen në Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë duke mbetur të paorganizuar nga keqkuptime të natyrës politike, të cilat shpeshherë janë kamufluar nga ideologji nacionaliste. Për herë të parë gazetarët shqiptare morën qëndrim dhe ranë dakord që të anëtarësohen në Shoqatën e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), ku përfaqësuesit e NUNS-it do të organizojnë një takim treditor rreth procedurave të anëtarësimit të gazetarëve të Luginës së Preshevës në NUNS.


Serbia ndërton pa shumë bujë Korridorin e 10-të

Punimet për ndërtimin e korridorit të 10-të kishin kohë që kishin filluar. Puna në zgjerimin e rrugës magjistrale fillonte nga Leskovci në Vranjë për të vazhduar në Bujanoc e Preshevë deri në Kumanovë, kufi me Maqedoninë. Lugina e Preshevës konsiderohet si kryqëzim i korridoreve. Intelektualë të Luginës sqarojnë se Serbia e ka paraparë që një ditë do ta lëshonte Kosovën. Kjo ka qenë arsyeja që Lugina e Preshevës në kohën e Titos u shkëput nga Kosova, për t’iu bashkëngjitur Serbisë, në këmbim të Zveçanit e Zubin Potokut, që ishin me Serbinë dhe kaluan me Kosovën. Është pikërisht “lufta e korridoreve” që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pesimistë për një bashkim të mundshëm me Kosovën.

Mesatarja e pagave të mësuesve, rreth 500 euro

Mësuesit e arsimit shqip në Luginën e Preshevës ndiheshin relativisht të kënaqur përsa u përket pagave. Qeveria e Serbisë kishte bërë rritje pagash në sektorin e arsimit, ku ishin përfshirë edhe arsimtarët shqiptarë të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës. “Nga 150-200 euro që merrnin para dy vjetësh, aktualisht një mësues me një vjetërsi mesatare merr 500 euro”, thotë Metali Krasniqi, mësues i gjuhës shqipe në shkollën e mesme “Sezai Suroi” të Bujanocit. Ndërkohë, kostoja e jetesës në Luginë e Preshëvës është gati e njëjtë me atë në Shqipëri.



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Merturi USA: - 10-18-08
    Bota do te pyesin.Pse!?

    Kuriozitet.Kombi shqiptar do te kete jo nji date pavarsie qe kane te gjithe vendet e botes,po 5 data historike.Dy u kryene mbeten edhe tri.Krahina e Presheves,Cameria,shqiptaret e Maqedonis dhe ato te Malit te Zi.Ky do jete kurioziteti qe bota e huaj do te quditet per cdo te pa drejt qe i eshte bere keti kombi i lindur ne keto troje jo ma pake 12 mije vjet aq sa dhe rraca e bardhe,thot arbereshi Gjuzepe Katapano kur flet per gjuhen shqipe e krahasue me datelindjen e rraces se bardhe mbi Toke.

  • Lec Neli: - 10-14-08
    Presheva duhet te jet qeshtje e ransishme komtare

    Presheva-Maqedonia-Camria-Mali i Zi duhet te jet qeshtje e ransishme komtare pamvarsisht rrethanave nerkomtare

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML