Bashkëjetesë e çuditshme. Besnik Macuku dhe 3 anëtarët e tjerë të familjes jetojnë në një dhomë të vetme, së bashku me 16 zogj të racave të ndryshme. I fiksuar pas zogjve, 40-vjeçari pretendon se është i pari që ka bërë të mundur zbutjen e bilbilit në kafaz, ndërkohë që synon të bëjë një gjë të tillë edhe me zogj të tjerë
Ka për borxh që të mos i flasë edhe gruas kur vjen puna për zogjtë. Që të tregojë se sa shumë i do, Besnik Macuku, shitës fruta-perimesh në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet, e nis bisedën me një ndodhi të cilësuar apokaliptike, kuptohet për të, disa vite më parë. Periudha për të cilën flet, bën fjalë për kohën kur ai jetonte me familjen e tij në shtëpinë e prindërve.
Në mungesë të të atit, djali i madh i Besnikut merr përsipër t’u mësojë notin kanarinave. “Atë ditë sa nuk më ra pika. Vij në shtëpi dhe shkoj direkt te kafazi i kanarinave dhe nuk i gjej. Pyes babanë dhe thotë shko se i kam lënë të thahen në tel”. Merret vesh që kanarinat e shkreta kishin dhënë shpirt me vakt. Për dy ditë me radhë Besniku nuk i foli askujt me gojë, duke mbajtur zi për kanarinat e gjora. 40-vjeçari është i fiksuar pas zogjve.
E gjithë shtëpia e tij nuk është laj-thaj, veçse një dhomë. Këtu Besniku jeton me bashkëshorten dhe dy djemtë, dhe jo vetëm. Në dhomë, bashkë me ta, jetojnë në kafaze edhe 16 zogj të ndryshëm, një për çdo racë, madje ca që edhe emrin ua dëgjon për herë të parë. Aq e ngushtë është hapësira ku jeton familja Macuku, sa Besnikut i është dashur ta ndajë kubaturën e dhomës në dy pjesë, lart në dhomë gjumi dhe poshtë për ndenje.
Po qe për zonjën e tij, ajo nuk i ka fare përzemër zogjtë. Madje këtë e shpreh hapur. Edhe djemtë nuk janë shumë të dhënë. Por, në fund të fundit, nuk kanë çfarë të bëjnë. Pasioni i të parit të shtëpisë meriton respekt. Për të rritur shkallën e sigurisë në dhomë, Besniku megjithëse i do kafshët, nuk ka preferuar të ketë në banesë mace.
Kuptohet, gjithë ato zogj në kafaz, në mos njëherë, herën tjetër do i kishin shkelur syrin maces, kështu që është parë më e udhës për të mos pasur një të tillë. I vetmi që ka të drejtë të lëvizë në dhomë është Reksi, qeni i racës franceze spic. Në mungesë të të zotërve të shtëpisë, është ai që të vjen e të jep dorën dhe të puth në faqe. “Kur jetoja në një shtëpi me babanë, mbaja krahas zogjve edhe pëllumba.
Kisha të paktën 300 copë. Tani kuptohet, me kushtet ku jetoj, nuk kam mundësi të mbajë zogj të tjerë. Por, nëse do kisha një shtëpi më të madhe, e sigurt që do të kisha edhe më shumë zogj”. Besniku dhe familja e tij janë mësuar me erën e zogjve. Madje habitet kur i thua se sado që i mban pastër, sërish aroma jo fort e këndshme, të çan flegrat e hundës. “Ndoshta nuk jeni mësuar, por ne si familje nuk e kemi problem.
Me zogjtë merrem të paktën tri herë në ditë. I pastroj herë pas here dhe u hedh ushqim, kuptohet një herë në tri ditë, pasi në të kundërt zogjtë mund të kalojnë në obesitet”. Përgjithësisht ushqimi është i zgjedhur dhe kushton, por kjo përpara kënaqësisë që të dhurojnë, nuk përbën problem. “Kanarinat i ushqej me fara luledielli, ku një kile kushton 9 euro. Çdo zog do ushqimin e tij.
Për shembull, bilbili do ushqim të veçantë, që nga krimba derri, flutura, insekte”. Këtu vlen të ndalesh. Besniku pretendon se është i pari person që po zbut një bilbil duke e mbajtur në kafaz. Fillimisht ia ka marrë dorën me zogun e racës avdos, për të cilin i është dashur dy vite të mira pune për ta zbutur. Dhe të mendosh që zogu me emër të çuditshëm këndon vetëm në pranverë, pasi në stinët e tjera e ka pushim.
Stresi, faktor që prek edhe zogjtë
Komunikimi me zogjtë është po aq i nevojshëm sa edhe te kafshët. Si njohës i mirë i tyre, Besniku rrëfen se edhe zogjtë përfshihen në jetën e tyre nga stresi. “Kur një zog është i stresuar, apo nuk është mirë nga ana shëndetësore, i kuptoj nga kënga ose nga lëvizjet që ai kryen në kafaz”.
Në këtë rast është e nevojshme të njohësh gjuhën e zogjve. Është interesante, por Besniku di të fërshëllejë çdo këngë. Di të bëjë edhe si kanarinë, edhe si bilbil. Në shtëpi ka vërdunj, dhjamca, gardelina, gushëkuq, kanarina, por ai që këndon më bukur thotë se është bilbili.
Madje, kënga e bilbilit nuk mund të krahasohet as me avdesin, i cili shquhet për melodinë e tij. Zogu që rron më shumë është kanarina, 15 vjet, kurse ai që kushton më shumë, por që rron më pak, është gardelina. Ky zog në dyqan blihet me 250 mijë lekë dhe e ka ciklin jetësor deri në 9 vjet.
Hibridi, zogu që del nga çiftëzimi i kanarinës me gardelinën
Fiksimi i tij është të ketë në shtëpi një papagall që flet. “Kam dëshirë të kem edhe një papagall, por me papagajt është bela, pasi çfarë dëgjojnë ua thonë të tjerëve, ose më e keqja, shajnë mbarë e prapë”. Krahas ushqimit të zgjedhur, Besniku i kushton rëndësi të madhe edhe kujdesit veterinar.
Pa këtë kujdes, është e pamundur të jetosh në një dhomë me zogj. Çdo mëngjes, Besniku u hedh në ushqim zogjve ilaç me pika, që rrit imunitetin në trup. Krahas kësaj, i spërkat vazhdimisht kafazet me ilaç për mikrobet dhe parazitët. “Do ishte e pamundur të jetoje në një dhomë me zogjtë, nëse nuk i kushton rëndësi pastërtisë dhe anës shëndetësore.
Zogjtë, përgjithësisht preken nga sëmundja e pseudopestit, ose ndryshe gripi i shpendëve”. Me zogjtë në kafaz mund të përfitohen edhe hibridë me anë të çiftëzimit. “Bëj edhe çiftëzime. Për shembull, nga çiftëzimi i kanarinës dhe gardelinës, mund të dalë një hibrid, i cili është vetëm për këngë”, - tregon Besniku