Premte, 12 Mars 2010 17:48:15

Lexoni versionin Print

Teleskopi mbush 400 vjeç

Vatikani kërkoi publikisht falje. 15 vite më parë, i pari që ndërmori një akt të tillë ishte Papa Vojtila, ndërsa së fundi pasuesi i tij Papa Benedikti i XVI.

Entela Resuli/Dritan Laci
Hene, 05 Janar 2009 09:59:00

Mbushen 400 vite nga 1609-a e largët, kur Galilei ktheu për herë të parë drejt qiellit teleskopin. UNESCO dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve shpallin 2009-n si vitin botëror të Astronomisë. Agjenda e aktiviteteve do të përfshijë edhe Shqipërinë, ku departamenti i Astrofizikës do të organizojë përgjatë gjithë vitit vëzhgime yjore, ku pjesëmarrës do të jetë edhe publiku i gjerë

Vatikani kërkoi publikisht falje. 15 vite më parë, i pari që ndërmori një akt të tillë ishte Papa Vojtila, ndërsa së fundi pasuesi i tij Papa Benedikti i XVI. Ndoshta është rastësi, ndoshta jo pa qëllim, por heqja e anatemimit kishtar, vjen pikërisht në vigjilje të 400-vjetorit të teleskopit të parë, meritë e cila i atribuohet njeriut që aq shumë vuajti mirësinë për t’i dhënë botës dhe gjithësisë vendin që i takon. Galileo Galilei tani mund të prehet në jetë të jetëve i qetë.

Nga zbulimi i kratereve të hënës dhe më pas të Jupiterit e deri më sot janë shënuar me qindra zbulime kozmike, kurrë të menduara 4 shekuj më parë. Jo më kot viti 2009 është cilësuar i veçantë dhe do të njihet përgjatë gjithë ecurisë së tij kalendarike si Viti Ndërkombëtar i Astronomisë.

Astronomët në të gjithë botën kanë nisur me kohë përgatitjet për festimin e vitit jubilar. Një bashkim befasues prej 135 vendesh po bashkëpunojnë për ta sjellë universin afër Tokës. Do të jenë 365 ditë të ardhshme të mbushura plot me surpriza, ku priten të ndodhin shumë ngjarje dhe aktivitete, të cilat do të përmblidhen në një shfaqje gjigante me përmasa kozmike.

Ceremonia zyrtare e hapjes së IYA2009 (Viti Ndërkombëtar i Astronomisë 2009) do të mbahet në Paris, më datat 15 dhe 16 janar 2009. Në këtë simpozium global do të flasin shkencëtarë të dëgjuar, ndërmjet tyre edhe nobelistë, ndërsa një pjesë tjetër e shkencëtarëve do shprehen nëpërmjet videos nga vendet e largëta ku ndodhen. Shumë vende do t’i mbajnë ceremonitë e hapjes përgjatë gjithë muajit janar dhe shkurt, duke ofruar mbështetjen e tyre për këtë vit të veçantë.

Por, shumë gjëra do ndodhin më parë. Teleskopët kanë dalë në rrugë në qytetet kryesore botërore që ditën e Vitit të Ri. Grupi i Fizikës Diellore në IYA2009 ka zhvilluar fushatë mbarëbotërore në mbi 30 vende. Në 150 rrugë e bulevarde në qytetet kryesore të botës astronomët amatorë do të ngrenë teleskopët në trotuare për t’i bërë kalimtarët të vrojtojnë Diellin nëpërmjet pajisjeve speciale.

“Ditari Kozmik” është shembull tjetër aktivitetesh globale që do ndodhin gjatë vitit 2009. Për të sjellë sa më pranë kozmosin, iniciuesit e Vitit Ndërkombëtar të Astronomisë 2009 (IYA2009) do të hapin në ditën e parë të vitit faqen zyrtare të internetit të Ditarit Kozmik. Projekti do të ketë të bëjë me jetën e përditshme të astronomëve me kohë të plotë.

Mbi 50 vetë, profesionistë nga 35 vende të ftuar të punojnë për këtë projekt nga organizma të tillë si ESO, NASA, ESA dhe JAXA, kanë filluar të përgatisin përmbajtjen, duke shkruar për jetën e tyre, punën dhe sfidat që ata përballojnë. Publiku mund të shikojë se ç’është një astronom dhe si kryhet puna shkencore.

Një tjetër projekt që do të zhvillohet në 400-vjetorin e teleskopit të parë është “365 Ditët e Astronomisë”, ku në çdo ditë të vitit do të publikohet një podcast, në të cilin episodet do të shkruhen, regjistrohen dhe prodhohen nga njerëz të kudondodhur në rruzullin tonë. Në muajin prill, përkatësisht në datat 2 dhe 5, publiku do të ketë mundësi të shijojë një tjetër ngjarje botërore që lidhet me jetën e kozmosit. “100 orë Astronomi”.

Kështu quhet projekti bazë i IYA2009, ku publiku do të ketë mundësi të jetë pjesëmarrës në shumë aktivitete, të shikojë filma mbi gjithësinë, të kryejë vrojtime etj. Qëllimi kryesor i projektit është afrimi i sa më shumë njerëzve pranë teleskopit, ashtu siç bëri Galileo Galilei për herë të parë 400 vite të shkuara. Projekti tjetër madhor që do të shënohet në Vitin Ndërkombëtar të Astronomisë është “Nga Toka në Univers”.

Ekspozita e organizuar nga IYA2009, do të sjellë imazhe astronomike për publikun e gjerë në vende jotradicionale si parqe e kopshte, muze arti, qendra tregtare dhe stacione metroje. Në disa vende të Evropës, projekti do të fillojë që në muajin e parë të vitit 2009, ndërsa aktualisht 30 vende janë në fazën zhvilluese të tij, për të dhënë deri në 100 imazhe astronomike nëpër ekrane.

Agjenda e aktiviteteve do të përfshijë në vitin botëror të Astronomisë edhe Shqipërinë. Departamenti i Astrofizikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të organizojë përgjatë gjithë vitit 2009, vrojtime yjore ku do të ftohen jo vetëm specialistë të fushës, por edhe njerëz të apasionuar pas gjithësisë dhe mistereve që ajo fsheh.


Në 2009-n, shfaqet eklipsi më i gjatë diellor i shekullit 21

Gjatë 2009-s, qielli do të shfaqë disa dukuri interesante, përfshirë edhe eklipsin më të gjatë diellor për shekullin 21, që do ndodhë me 22 korrik 2009 dhe do zgjasë 6 minuta e 39 sekonda në një korridor të ngushtë vendesh ku futen India, Bangladeshi dhe Kina. Një shi i fortë meteorësh leonidë pritet në mesin e nëntorit 2009, me një numër të pabesueshëm prej 500 yjesh rënëse në orë.

Në mesin e tetorit, në hemisferën veriore, Jupiteri do të ketë një pozicion perfekt për t’ia treguar publikut bashkë me hënat e tij. Do të jetë pamje shumë mbresëlënëse, qoftë për t’u parë edhe me teleskop të vogël.

Alarmi, qielli po humb pastërtinë dritore

Ndotja mjedisore po dëmton edhe qiellin. Astrofizikanët ngrenë me jo pak shqetësim këtë dukuri. Një nga objektivat kryesor të vitit ndërkombëtar të Astronomisë, që nis në muajin janar, është ndërgjegjësimi për ndotjen dritore, se si bukuria e qiellit të natës është prishur progresivisht në qendrat urbane. Projekti “Alarmi i Qiellit të Zi” do të prekë pikërisht këtë çështje. Një nga mënyrat është numërimi i yjeve nga njerëzit në një zonë të qiellit dhe krahasimi me numrin e tyre në një qiell tamam të zi.


Projektidea

Observatori yjor, ëndrra shqiptare në sirtar

Mbetemi ende në shpresë se viti ndërkombëtar i astronomisë 2009 nuk do të lerë pa trokitur edhe në Shqipëri. Ëndrra e astrofizikanëve në vendin tonë është e shtrenjtë, por jo e parealizueshme; të kemi një observator tonin, me anë të të cilit të shikojmë universin. Mimoza Hafizi, shefe e departamentit të Astrofizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, thotë në intervistën për gazetën “Shekulli” se gjithçka është e mundur dhe, pse jo, edhe shqiptarët mund të kenë, qoftë edhe modestisht, qendrën e tyre të vrojtimit yjor.

Zonja Hafizi, çfarë është viti astronomik?

Viti 2009 është viti botëror i astronomisë, i shpallur nga UNESCO, në bashkëpunim me Bashkimin Ndërkombëtar të Astronomëve. Ideja është që përgjatë një viti të zhvillohen aktivitete në mbarë botën, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi ta njohin sa më mirë planetin, universin në përgjithësi. Viti Botëror i Astronomisë është një aktivitet shumë i madh, në të cilin janë atashuar 135 vende në të gjithë botën.

Në çdo vend është ngritur nga një nyje kombëtare, një pikë kontakti. Ky është një bashkim i të gjithëve për të aktivizuar afërsisht 6 miliardë banorë të tokës për të hedhur sytë nga qielli. U zgjodh ky vit duke qenë se është 400-vjetori (1609-2009) i drejtimit të teleskopit për herë të parë drejt qiellit nga Galileo Galilei.

Viti 2009 është thjesht jubile, apo do të ndodhë diçka e paparashikueshme në yjësi?

Jo nuk do të ndodhë asnjë ngjarje qiellore e cilësuar e veçantë. Do të ketë një eklips dielli shumë të gjatë në Kinë, më 22 korrik, i cili do të zgjasë 6 minuta dhe do të jetë shumë i bukur për t’u parë nga njerëzit që ndodhen në këtë pjesë të globit. Në muajin nëntor do të ketë rënie masive të meteorëve. Jupiteri do të ketë disa momente ku do të jetë shumë i madh dhe shumë i bukur për t’u parë. Pastaj janë ngjarje të zakonshme.

Gjithsesi qielli ka gjithmonë momente të tilla dhe është shumë i bukur, por publiku nuk ka informacion. 2009-a është një vit që është i lidhur me njerëzit, jo me inversin. Ne na kujton diçka; gjithë këtë punë të madhe që kanë bërë shkencëtarët për të arritur deri në këto njohje të sotshme që kemi për universin.

Një moment i rëndësishëm ka qenë teleskopi i parë dhe ky ishte i Galileit, me të cilin ai pa krateret e hënës dhe të Jupiterit. Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për njeriun, se është hapi më i madh drejt njohjes së universit për t’u përkujtuar dhe për ta bërë astronominë sa më të prekshme për të gjithë. Ngjarjet e tjera janë pothuajse normale që ndodhin çdo vit.

Po në Shqipëri çfarë do bëhet, cilat janë mundësitë për të gjitha ata që duan të shohin qiellin?

Ne këtu në fakultetin e Shkencave të Natyrës kemi ngritur një ekip njerëzish që do punojmë për të bërë sa më shumë aktivitete. Ne do të kërkojmë mundësisht edhe financime. Kemi hapur faqen tonë në internet, ku do të ketë vazhdimisht informacione dhe do të organizojmë vazhdimisht aktivitete me nxënësit, me studentët, me publikun e gjerë, për t’i ftuar qoftë në mjediset tona, qoftë të shkojmë diku.

Idenë e kemi të organizojmë një konferencë nga pjesa e fundit e vitit tjetër për arritjet e astronomisë. Po kështu kemi në projekt ngritjen e një observatori në tarracën e degës së Astrofizikës, por që sigurisht kërkon fonde, pasi në të kundërt realizmi është i pamundur.

Do të kemi fenomene të çuditshme kozmike në vitin 2009, sikundër mund të jetë rënia e asteroidëve?

Jo, jo, pa frikë. Asteroidet janë objekte të frikshme, por nuk është se mund të parashikohen me kaq saktësi sa të vendoset të ketë një vit për asteroidet. Nuk do të ndodhë asgjë, është vetëm ideja për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt qiellit, për ta njohur atë. Dihet që njerëzit janë shumë të interesuar për të ditur, është ai misteri që na e shton kureshtjen.

Është zgjedhur një vit ku gjithë bota do t’i drejtojë sytë nga qielli. Edhe në Shqipëri do të ketë gjëra interesante, aktivitete, kryesisht në Tiranë, se ne jemi grup shumë i vogël dhe i pambështetur, kështu që do të bëjmë aq sa të kemi mundësi.



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML