Durrës- Inspektoriati ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit, nisi sot aksionin për prishjen e një sërë muresh rrethuese të banesave private, të cilat pengojnë rikonstruksionin e dy rrugëve në zonën e plazhit dhe Shkozetit. Aksioni, i cili do të vazhdojë disa ditë, ka gjetur mirëkuptimin e banorëve, të cilët nuk kanë kundërshtuar. Mjetet e rënda dhe specialistët që u mbështetën dhe nga policia bashkiake, e shtrinë sot paradite prishjen e mureve rrethuese në të gjithë gjatësinë e tyre prej 200 metrash, në një rrugë në sektorin “Apollonia” në Plazhin e Durrësit. Rruga me gjerësi 7 metra do të rindërtohet plotësisht bashkë me sistemin e kanalizimeve, trotuarët dhe ndriçimin.
Projekti është një investim i bashkisë së Durrësit me vlerë 22 milionë lekësh dhe ka si afat të mbylljes datën 13 prill të këtij viti.