Premte, 08 Gusht 2008 02:30:25
    

Lexoni versionin Print

Petrich: Serbia të mos përzihet në Kosovë

Ish-ambasadori i Austrisë në OKB në Gjenevë, Wolfgang Petrich, i tha BBC-së se zgjedhjet lokale serbe në territorin e Kosovës, nuk mund të menaxhohen nga Beogradi.

Shtune, 10 Maj 2008 14:50:00

Ish-ambasadori i Austrisë në OKB në Gjenevë, Wolfgang Petrich, i tha BBC-së se zgjedhjet lokale serbe në territorin e Kosovës, nuk mund të menaxhohen nga Beogradi.
Ai ka thënë se edhe në rast të mbajtjes së tyre, rezultati përfundimtar do të jetë i pavlefshëm.

Zoti Petrich ka thënë se tani ju takon vendeve perëndimore, dhe atyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të mos e lejojnë përzierjen e Serbisë në Kosovë.

Ish-ambasadori austriak ka deklaruar se shpreson që pjesa pragmatike e udheheqjes serbe do të mbizotërojë dhe do ta pranojë realitetin në terren, meqë në të kundërtën, ka thënë ai, do të jetë e vështirë për Serbinë që t'i afrohet BE-së.

Ambasadori Petrich ka thënë se tani ju takon evropianëve që të krijojnë mundësitë dhe të jenë në rend të parë me qëllim që të stabilizojnë rajonin.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Petrich.

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë nuk mund të menaxhohen nga Beogradi.

BBC: Si e vlerësoni ju situatën e krijuar para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Serbi?
Zoti Petrich: Është fakt se kjo është një situatë e komplikuar, por besoj se bashkësia ndërkombëtare, në këtë mes edhe OKB-ja dhe në përgjithësi BE-ja duhet ta mbajnë qëndrimin e tyre se zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen në një shtet fqinj, siç është Kosova tani në raport me Serbinë. Politikisht është një lëvizje e kuptueshme nga ana e Beogradit që të provojë të vendos një pushtet të caktuar.

Jozyrtarisht ata e kanë këtë dhe unë besoj se në një afat të gjatë një zgjidhje duhet të gjendet për një marrëdhënie të rregullt ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe të territorit të Serbisë. Por tani për tani kjo nuk është e mundur të bëhet për shkak të bojkotimit të të gjithë marrëveshjes nga Serbia. Dhe sërish zgjedhjet lokale serbe në Kosovë nuk mund të menaxhohen nga Beogradi.

BBC: Por kemi parë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për këto zgjedhje lokale mirëpo edhe këmbënguljen e Serbisë që t'i mbajë ato në Kosovë. Si mund të parandalohet mbajtja e tyre në territorin kosovar?
Zoti Petrich: Mbase do të jetë një sfidë e madhe për bashkësinë ndërkombëtare që aktualisht dhë në fakt t'i parandalojë zgjedhjet. Por unë besoj se ato do të shpallen të pavlefshme.

BBC: Kjo nënkupton se do të shohim një situatë sikur në disa pjesë të tjera të botës ku bashkësia ndërkombëtare nuk ka pranuar rezultatin?
Zoti Petrich: Natyrisht se kjo nuk mund të pranohet dhe do të ishte plotësisht kundër çdo gjëje që Evropa, SHBA-ja dhe gjithë të tjerët kanë punuar. Është e qartë se ka një dobësi sepse nuk kemi një vendim të OKB-së për këtë për shkak të bllokimit të KS nga Rusia, në veçanti.

Kjo është pika e dobët në këtë çështje, por besoj se u takon vendeve perëndimore, pra atyre që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës që të merren me këtë dhe të mos lejojnë përzierjen e Serbisë tani. Derisa nuk ka një një marrëdhënie kontraktuese mes Beogradit dhe Prishtinës unë nuk shoh asnjë mundësi që të kemi lidhje të serbëve të Kosovës me Serbinë.

BBC: Në Beograd ka një skenë politike të përzier. Nga njëra anë kemi grupin demokrat dhe nga ana tjetër atë radikal dhe nacionalist. Ku e shihni Serbinë tani. Drejt Rusisë apo BE-së?
Zoti Petrich: Unë shoh një gjendje të vazhdueshme të konfuzitetit të thellë tek qytetarët serbë, që është e kuptueshme. Qytetarët për shumë vjet nuk e dinë se në çfarë shteti jetojnë, kufijtë ishin të diskutueshëm që nga viti 1989, që kur Milosheviqi filloi rrugën e tij në Kosovë dhe pastaj pamë trazira dhe një konflikt të përgjakshëm që ndodhi. Për ta prandaj është e kuptueshme që konfuziteti dominon nëshoqërinë e tyre. Ky është një problem i madh dhe nuk do të zgjidhet deri sa nuk ka një pranim nga Beogradi se Kosova është humbur.

BBC: Por ne nuk kemi parë këtë pranim nga ana e Beogradit. Konsideroni se ky qëndrim mund të ndryshojë pas 11 Majit?
Zoti Petrich: Unë dyshoj se do të ketë ndryshime të shpejta rreth kësaj cështjeje. Mendoj se në disa vite të ardhshme do të kemi një lloj situatë mikse. Me shpresë, në fund, pjesa pragmatike e udhehqjes serbe do të mbizotërojë dhe do të pranojë faktin në terren. Kjo sepse në të kundërtën do të jetë e vështirë për Serbinë që t'i afrohet BE-së.

Përkundër faktit të nënshkrimit tash të marrëveshjes së stabilizim asociimit, kjo vazhdon të jetë më shumë teorike gjithnjë përderisa nuk ndërmerren hapa të ndryshëm nga Beogradi dhe kjo nënkupton pranimin e fakteve në terren. Qoftë kjo formalisht apo faktikisht mbetet cështje tjetër. Politika me shumë gjasa do të ndikojë që kjo të mos jetë një pranim zyrtar i Kosovës. Por për interes të saj, Serbia duhet të gjejë rrugën ndërmjet Kosovës, që në fakt e ka humbur, dhe të ardhmes së saj. Prandaj ata duhet ta marrin këtë vendim pra cila është e ardhmja e Serbisë pa Kosovën.

BBC: Ambasadori Petrich, ka deklarime të ndryshme se Prishitna dhe Beogradi do të duhej të bisedonin sërish, por thuhet ndoshta jo për statusin. A është koha për bisedime të sërishme?
Zoti Petrich: Kam frikë se ky nuk është mjedis i mirë tash për tash. Besoj se tani ju takon BE-së dhe SHBA-së që të menaxhojnë këtë situatë të vështirë që mbretëron. Më vonë kur të bëhet pranimi, nëse do të ketë, atëherë kjo do të hapte rrugën për një dialog të domosdoshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kjo duhet të bëhet duke e njohur faktin se Kosova tani është një shtet i pavarur.

BBC: Kur thoni se duhet që tani BE-ja dhe SHBA-ja ta menaxhojnë situatën ne kemi parë një bllokadë në KS të OKB-së. Dhe Rusia nuk ka hequr dorë nga qëndrimi I saj. Si të menaxhohet tani situata e bllokuar?
Zoti Petrich: Personalisht unë tani shoh një detyrë më të madhe për evropianët që kur KS i OKB-së është bllokuar. Besoj se ju takon evropianëve që të krijojnë mundësitë dhe të jenë në rend të parë me qëllim që të stabilizojnë rajonin. Është e qartë se Kosova është vetëm pjesë e saj, por shumë e rëndësishme në kuptimin e konflikteve të mundshme, por ne gjithashtu kemi Bosnjë Hercegovinën dhe Maqedoninë, që në mënyrë të tërthortë janë të ndikuara nga situata e përgjithshme. Para së gjithash stabilizimi I rajonit duhet të jetë përparësi në Bruksel dhe pastaj më vonë OKB-ja dhe Rusia mund të luajnë sërish një rol më konstruktiv.


 


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML