15 maj / ora 22.34 - Një numër i madh i intelektualesh dhe staf akademik moren pjese sot në forumin e organizuar nga Partia Demokratike Shqiptare në Hotelin "Liraku" në Tetovë. Forumi drejtohej nga drejtori i Qendrës Amerikane për Hulumtime Ndërkombëtare dhe Strategjike dhe njëherësh konsultant i fushatës zgjedhore të PDSH-së, Janush Bugajski, lideri i PDSH-se Menduh Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Qendrorë të kësaj partie, Arbër Xhaferi.
"Unë kam përshtypjen se zoti Bugajski është tash e tutje që të më zëvendësojë mua, për shkak se kjo parti dita- ditës ka nevojë për ekspertë të rangut botëror", ka thënë me këtë rast Xhaferi. Ndërsa lideri i partisë z.Thaçi mes tjerash u shpreh: "Unë kam folur shumë çdo ditë, kurse sot do flasë mysafiri më tepër. Për këtë arsye edhe e kemi ftuar z. Janush Bugajski, sepse në aspektin ushtarak kur koordinatat jepen gabimisht predha nuk bie në vendin e duhur, prandaj është këtu zotëri Bugajski i cili do të na japë koordinatat e duhura", deklaroi Thaçi.
Bugajski: Këshilla për zgjedhjet
"Këtu jam për t'i mbikëqyr zgjedhjet po ashtu edhe për të dhënë këshilla nëse është e nevojshme. Dëshiroj të falënderoj lidershipin e PDSH-së, që më ftoi këtu, po ashtu mezi pres të marr pjesë në fushatën e PDSH-së", tha Bugajski në fillimin të fjalimit. Ai më tej sqaroi se zgjedhjet e 1 qershorit janë të rëndësishme për tre arsye: së pari për kontinuitetin demokratik të shtetit, së dyti për bashkëekzistimi ndëretnik në Maqedoni dhe e treta është integrimi i Maqedonisë në NATO-së dhe BE. "Jam I bindur se zgjedhjet që vijojnë do të rikonfirmojnë qëndrimin se Maqedonia është shtet demokratik dhe zgjedhjet janë zhvillim i lirë i një vendi drejt zhvillim demokratik, mendoj se do të mënjanojnë dhe do të jenë larg nga radikalizmi nacional dhe se është përgjegjësia e dy grupeve nacionale, të gjithë partive edhe PDSH-së që këto zgjedhje të ecin mirë dhe së dyti një qeveri ndëretnike duhet të formohet menjëherë pas zgjedhjeve dhe kjo është shumë me rëndësi duke patur parasysh se Maqedonia është në proces të negocimit për emrin me Greqinë për të hyrë në NATO dhe BE", tha ai. Bugajski është i mendimit se roli i PDSH-së në qeverinë e ardhshme do të jetë i rëndësishëm bile edhe vital, së pari për t'i dhënë një pjesë të madhe popullit shqiptar në ardhmërinë e shtetit, si dhe marrja e obligimit për zhvillimin e mëtejshëm të Maqedonisë, si derivat i Marrëveshjes së Ohrit dhe disa ligje të mëdha kolektive që duhet të arrihen. "Ngritja e popullit shqiptar nuk duhet të kuptohet si kërcënim ndaj shtetit por si një pjesë e rëndësishme e sigurisë dhe stabilitetit të shtetit dhe më në fund e rëndësishme është që Maqedonia të integrohet në NATO dhe BE dhe ky shtet nuk do të demonstrojnë përgjegjësinë e fajit sa i përket sigurisë rajonale duke pranuar pavarësinë e Kosovës menjëherë pas formimit të qeverisë së re", shtoi ai. Sipas Bugajskit Kosova mund të bëhet një faktor i rëndësishëm i sigurisë rajonale dhe të kyçet në të gjitha institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtare. Ai mendon se Maqedonia duke pranuar Kosovën mund t`i dërgojë një mesazh të fuqishëm Beogradit se është pro dhe pjesë e sigurisë rajonale. Maqedonia bëhet pjesë e zgjedhjes e jo pjesë e problemit.
Bugajski: PDSH-ja me qasje amerikane
Sipas ekspertit amerikan arsyeja se pse duhet mbështetur PDSH-në në këto zgjedhje është fakti se një parti si PDSH-ja thërret njerëz të huaj që mbikëqyrin këtë rajon, sidomos ka kontakte me amerikan që kanë dëshirë për një Maqedoni stabile. Lidershipi i PDSH-së, shtoi ai ka një qasje ndaj Amerikës dhe akces ndaj saj. Bugajski më tej sqaroi se ai i kishte parë sondazhet e fundit dhe se PDSH-ja është parti më e preferuar në Maqedoni. "Është parti që ka eksperiencë qeveritare dhe ka kontakte të mira me partinë më të madhe maqedonase dhe koalicioni i ardhshëm i PDSH-së besoj do të ketë rolin më të madh për të ecur proceset përpara", theksoi ai.
PDSH, stabilizator edhe në çështjen e emrit
PDSH mund të luajnë një rol të rëndësishëm edhe për të stabilizuar situatën për të gjetur kompromis mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. "Maqedonasit nuk duhet të frikohen ose të ndjehen të pasigurt nëse ndërrohet emri, nëse modifikohet ai, sidomos nëse për këtë moderim kanë mbështetjen e shqiptarëve dhe kur ky shtet do të jetë në NATO dhe BE nuk do të ketë asnjë kërcënim nga askush, ose shtet fqinj", tha eksperti amerikan Bugajski.
Zgjedhjet, mandat i fuqishëm për koalicionin qeverisës
Drejtori i Qendrës Amerikane për Hulumtime Ndërkombëtare dhe Strategjike dhe këshilltar i fushatës zgjedhore të PDSH-së, Janosh Bugajski konsideron se zgjedhjet do të mundësojnë një koalicion më të madh e më të fuqishëm, do t'i mundësojnë Qeverisë në Shkup që të bëjnë një kompromis me Greqinë me përkrahjen e shumicës së popullatës. "Zgjedhjet janë një ide e mirë një mandat i fuqishëm për koalicionin qeverisës mundëson kompromisin. Të shpresojmë se në mbledhjen e Këshillit të ministrave Maqedonia do të merr ftesën për në NATO dhe tajmingu është shumë i mirë për këtë skenar, ndërsa nga ana tjetër një koalicion më i madh do të bëjë pranimin e Kosovës dhe besoj kjo është në të mirën për kooperimin ndër-rajonal dhe sigurinë e saj", përfundoi ai.
Konflikti i 2001 të mos përsëritet
Bugajski është i mendimit se në konfliktin e vitit 2001 kishte frustracion politik, kombëtar, gjeneratash apo konflikt gjeneratash. "Ndoshta nga vetë rasti me Kosovën u mendua se me një konflikt këtu do të arrihet të formohet një shtet i veçantë në Maqedoni. Kishte një luftë për pushtet mes faktorit shqiptar, nuk përjashtohet mundësia që në konflikt të kishte edhe forca tjera të përziera, por forca të jashtme që do të kishin dashur Maqedoni të destabilizuar dhe shqiptarët e demonizuar", sqaroi eksperti amerikan. Ai më tej shtoi se gjëra më e rëndësishme është që nga kjo të nxirren mësime sepse Maqedonia në atë kohë ka qenë në një cep të një konflikti të madh. "Ai konflikt nuk duhet të përsëritet", porositi Bugajski.