VMRO-DPMNE dhe BDI kanë arritur marrëveshje për koalicionim qeveritar dhe vendimet janë konfirmuar nga kryesitë e këtyre dy partive.
Komiteti qendror i VMRO-DPMNE i ka dhënë dritë jeshile mbrëmë koalicionimit me Bashkimin Demokratik për Integrim(BDI). Po ashtu edhe kryesia qendrore e BDI-së mbrëmë ka vendosur koalicionimin, pasi Ahmeti kishte arritur marrëveshjen me mandatarin Nikolla Gruevski.
BDI do të ketë 5 poste ministrore dhe postin e zëvendëskryeministrit përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. BDi do të drejtojë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Pushtetit Vendor, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Punës Sociale dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërsa do të ketë edhe postet e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, zëvendësministrit të Arsimit dhe zëvendësministrit të Financave. Për BDI-në është rezervuar edhe një post, nënkryetar i kuvendit.
Mandatari për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski bisedimet për Qeverinë e re i ka zhvilluar edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit. Në radhët e kësaj partie mbrëmë deklaruan se nuk do të jenë pjesë e qeverisë, shkaku se nuk kanë arritur të merren vesh për 6 kërkesat e marrëveshjes së Marsit.
VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë kësaj fundjave do të zgjedhin kandidatët për kabinetin e ri qeveritar. Data e 12 korrikut është afati i fundit kur në Parlamentin e Maqedonisë duhet të paraqitet për miratim programi dhe përbërja e re qeveritare. (INA)