Kreu i partisë kryesore të opozitës në Serbi, Tomislav Nikoliq, ka dhënë dorëheqjen nga posti pasi udhëheqja e partisë së tij refuzoi të mbështeste përpjekjet e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Në një hap që përbënte ndryshim të madh në politikën e ndjekur prej tij, javën e shkuar z. Nikoliq e bindi partinë e vet që të miratonte ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit Asociimit të Serbisë me BE-në.
Ai është zyrtarisht zëvendëspresident i partisë Radikale serbe, por de facto, drejtuesi i saj. Udhëheqësi i radikalëve, Vojislav Seselj, është i burgosur në Hagë, ku përballet me akuzat për krime lufte para Gjykatës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Gjatë pesë vjetëve të fundit, z. Nikoliq e ka drejtuar partinë drejt qendrës së politikës serbe, duke u fokusuar në çështjet sociale, si papunësia e varfëria dhe jo në nacionalizmin e zjarrtë të së shkuarës.
Por mbështetja që ai i dha marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të nënshkruar më herët gjatë vitit, por që pret ratifikimin në parlamentin serb, për shumë nga kolegët e partisë së tij, e kaloi masën. Në një takim të udhëheqjes së partisë të premten në mbrëmje, ajo e ndryshoi vendimin e tij për ta miratuar marrëveshjen me Brukselin.
Përfaqësues të vijës së ashpër në parti, mes tyre dhe Vojislav Seselj, besojnë se nënshkrimi i marrëveshjes do të thotë braktisje e pretendimit të Serbisë për Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme nga Serbia në muajin shkurt. Z. Nikoliq ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste, si nga pozita e tij de facto e kreut të partisë, ashtu dhe nga ai i kreut të grupit të saj në parlament. Vota në parlament për marrëveshjen me BE-në pritet javën e ardhshme.