Prishtinë-Në një deklaratë të përbashkët për shtyp krerët më të lartë të shtetit të Kosovës kanë bërë të ditur sot emrin e përfaqësuesit ligjor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai është britaniku Michael Wood i cili do të kryesojë ekipin ligjor të Kosovës. “Ky është një vendim i përbashkët i
institucioneve më të larta shtetërore kosovare, si iPresidentit Fatmir Sejdiu, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi”, u shpreh Thacci.
Sipas Kryeministrit të Kosovës, përgatitjet dhe procedimet për të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë bërë pas konsultimeve me krerët e institucioneve kosovare. “Është një vendim i përbashkët i yni që grupi mbrojtës të kryesohet nga Michael Wood”, shtoi ai.
Një javë më parë, Asambleja e OKB-së votoi rezolutën e Serbisë për Pavarësinë e Kosovës. Sipas ministrit të Jashtëm serb akti i Pavarësisë është antiligjor. Por këtë pritet ta vertetojë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Nga ana e tij Kryeministri i Kosovës është shprehur se nuk do të ketë hapa prapa.
Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Comonwealth-it të Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1999 deri në 2006. Në emër të Britanisë sw Madhe, ai mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999. Ai është paraqitur disa herë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.