Qeveria premton falje gjobash dhe kamatëvonesash, në këmbim të detyrimit doganor, për makinat e importuara me regjim të përkohshëm
Programi synon të falë 130 milionë euro detyrime në këmbim të 250 milionë eurove pagesë taksash
Që nga kohët kur shqiptarët filluan të përdorin makina, përpjekja e qytetarëve për të shmangur pagesën e detyrimeve doganore, ka qenë mbinjerëzore. Sot, të gjithë në Shqipëri njohin kuptimin e fjalëve “dokumente varreze”, “makinë e futur me targa të huaja”, “makinë me shasi` të ndërruar”, etj. Fakti që një sasi jashtëzakonisht e madhe makinash qarkullojnë me dokumente të tilla dhe se asnjë qytetar nuk i dorëzon targat dhe dokumentet e makinës, kur kjo e fundit del përfundimisht nga qarkullimi, ka bërë që qeveria të heqë dorë nga përpjekja për të ditur se sa është numri i makinave që qarkullojnë në vend sot.
Por në mungesë të kësaj, qeveria ka vendosur t'u ofrojë shqiptarëve që kanë makina të tilla një mundësi të dytë. Një projektligj i propozuar së fundmi e që është dërguar në Parlament, premton të falë “detyrimet doganore, gjoba e kamatëvonesa për makinat e importuara deri në vitin 2000”, si dhe të falë gjobat dhe kamatëvonesat, por jo detyrimet doganore, për makinat e importuara pas kësaj date, me kushtin që qytetarët të paguajnë detyrimet doganore deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Falet edhe taksa e qarkullimit
Relacioni i projektligjit në diskutim, vë në dukje se 45% e mjeteve që teorikisht qarkullojnë në Shqipëri, nuk paguajnë taksat. Për këtë arsye, është vendosur që pronarëve të këtyre mjeteve, ku falen disa vite pagese taksash, në këmbim të pagesës së taksave për tre vitet e fundit. Zyrtarët e Ministrisë së Transporteve thonë se gjatë 20 viteve të fundit, janë lëshuar dokumente për 350 mijë makina, por nga këto, vetëm 192 mijë makina shlyejnë detyrimet çdo vit. Në fakt, projektligji i propozuar nga qeveria, është më shumë një procedurë pastrimi bilanci sesa një amnisti fiskale. Edhe në relacionin përkatës, qeveria pranon se detyrimet e pashlyera për makinat është e pamundur që të mblidhen. “Vështirësia e mbledhjes së këtij detyrimi shtohet edhe më shumë në rastet kur këto automjete kanë ndërruar pronar”, - thuhet në relacion.
Falje miliardash te doganat dhe tatimet
Projektligji thotë se qeveria do të falë gjoba e kamatëvonesa për të gjitha subjektet që kanë detyrime doganore e tatimore të pashlyera. Detyrime të tilla, sipas kontabilistëve të qeverisë, arrijnë në shifrën fantastike të 45 miliardë lekëve, (370 milionë euro). Nga këto, qeveria premton të falë 16 miliardë lekë, me kushtin që debitorët të paguajnë 29 miliardë lekë principal. Këto janë paratë e doganës së papaguar, të të gjitha automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri me dokumente të rreme. Vlerësohet se më shumë se gjysma e makinave që qarkullojnë në Shqipëri, kanë dokumente të tilla.
Propozimi fal edhe gjobat e kamatëvonesat e sigurimeve shoqërore që nuk janë shlyer nga të vetëpunësuarit që kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike, si dhe kamatëvonesat e gjobat e sigurimeve për të vetëpunësuarit në bujqësi.
Morali i fabulës
Projektligji i ri duket se nuk i fal askushit asgjë që nuk e ka, e sipas të gjitha gjasave, nuk do të shtojë në Arkën e Shtetit asnjë lek detyrim të prapambetur. Të gjitha faljet e propozuara, kanë të bëjnë me raste detyrimesh të pashpresa për arkëtim dhe që zakonisht në logjikën e bilanceve, thjeshtë fshihen si para të humbura. Por ka një nen në atë ligj që mund të nxjerrë fitues subjektet që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore. Neni 5, fal detyrimet doganore e tatimore, gjobat e kamatëvonesat për të gjitha ndërmarrjet me kapital shtetëror në masën 100%. Këto detyrime rezultojnë rreth 6 milionë euro, para që falen totalisht, por qeveria nuk ka bërë të ditur se kush janë ndërmarrjet nën pronësi publike që kanë detyrime të tilla.