Shqipëri - Suedi 0 - 0
Shqipëria: Beqaj, Dallku, Beqiri, Curri, Vangjeli, Duro, Cana, Lala, Hyka, Skela (Teli 83'), Salihi (Berisha 73').
Trajner: A.Han
Suedia: Isakson, Nilson, Melberg, Majstroviç, Hanson, Linderoth (S.Larson 7'), Uend (Stor 76'), Anderson, Kallstrom (Hozmen 82'), Larson, Ibrahimoviç. Trajner: L.Lagerbak
Gjyqtarë: A.Malenko, F.Ibanez, J.Imenez (Spanjë)
Duke ditur vështirësinë e ndeshjes, një nisje 0-0 me Suedinë vlen shumë për kombëtaren kuqezi
Kombëtarja shqiptare i ka nisur me një rezultat pozitiv eleminatoret e Botërorit 2010.Ndaj një rivali të fortë si Suedia, një barazim vlen shumë për Shqipërinë. Natyrisht që tifozët do të ishin të kënaqur me fitore dhe kjo mund të vinte, por ja që më mirë "copën e vogël" sesa pa asgjë. Ka ndodhur jo rrallë të ndëshkohemi në minutat e fundit, prandaj një barazim 0-0 përballë një emri si Suedia, nuk është pak. Nuk duhet të harrojmëqë djemtë kuqezinj treguan një lojë konstante kësaj radhe, duke pasuar saktë, depërtuar nga krahët dhe goditur në qendër. Gjithashtu ata kanë ditur të mbrohen mirë për gati gjatë gjithë lojës, pa harruar pak edhe fatin, që kësaj here anonte në krahun tonë.
Tanët e kanë nisur mirë lojën, duke i treguar kundërshtarit që nuk do të mbrohej gjatë gjithë ndeshjes. Çdo gjë shkon sipas porosive të trajnerit Han, topi pasohet tek organizatori Skela, apo edhe te Duro, nga ku fillon edhe fantazia. Nuk kemi teprime të mbajtjes së topit, madje tentohet edhe porta, teksa fitohen edhe goditjet e para të këndit. Por Suedia "ngjallet" shpejt dhe është pikërisht Ibrahimoviç, rreziku numër një i tanëve, ai që provon dy herë. Herën e parë nxjerr të lirë shokun e skuadrës, ndërsa më pas me një harkim fantastik topi prek shtyllën.
Ky ishte momenti më i mirë i 90 minutave në "Qemal Stafa". Por kuqezinjtë nuk "tkurren", mbrohen mirë dhe dalin herëpashere në sulm, kërkojnë të godasin, megjithatë pa rrezikun real të shënimit të golit. Shpesh topi përfundon lehtë në duart e portierit kundërshtar, pa pasur forcën e duhur dhe pa gjetur cepin e portës. Hyka në krah shkon mirë deri në kufijtë e zonës, por në pjesën e parë ka munguar pasimi i fundit. Duro dhe Skela krosojnë disa herë në zonë, por Salihi i vetëm nuk ka mundur dot të koordinohet ashtu siç duhet.
Ndërsa në mesfushë Lala ka zhvilluar edhe njëherë një nga ndeshjet e tij më të mira, duke treguar se mbetet lider dhe grinta e tij përcillet në të gjithë fushën e lojës. Për të ardhur te mbrojtja, reparti problematikyni, por që kësaj radhe ia ka dalë mbanë. Beqiri ka rezultuar zgjedhje e mirë për Hanin, duke qenë së bashku me Currin të pathyeshëm. Dallku nuk ka gabuar dhe ka shtyrë si gjithmonë përpara.
Ndërsa Vangjeli në krahun tjetër ndonjëherë edhe është treguar i pasigurt, por gjithsesi pa panik. Beqaj me pritjet e tij mbetet i pazëvendësueshëm, duke qenë në lartësinë e duhur, pa asnjë gabim. Në fund Cana, shtylla kryesore e lojës së kuqezinjve, që së bashku me Lalën e shihje në çdo cep të fushës duke pastruar zonën, duke thyer dhe në mesfushë sulmet e miqve, pa harruar tentativat nga jashtë zone, apo kërcimet në zonë për të goditur në portën e Suedisë. Megjithatë, një pjesë e parë që mbyllet pa gola, por me një supremaci të lehtë të kombëtares sonë.
Pjesa e dytë nis qetë, por miqtë tregojnë se kanë një Ibra, që nga momenti në moment të ndëshkon. Dhe ai e ka provuar dy herë këtë, në të parën ka qenë Beqaj që i është kundërpërgjigjur me një pritje po kaq fantastike, ndërsa në gjuajtjen e dytë, për fatin tonë, topi nuk ka gjetur kuadratin. Edhe pse më vonë suedezët kanë zbritur sërish në portën tonë, duhet thënë që ata nuk kanë rrezikuar më kaq seriozisht sa në rastet e Ibrahimoviçit. Larson është bllokuar shumë mirë dhe ai nuk ka qenë problem për mbrojtjen tonë.
Në mesin e pjesës dytë shfaqet Hyka, lojtari të që trajneri holandez Han i besoi deri në fund. Dhe Hyka ia shpërbleu. Filluan depërtimet, madje trondit edhe portierin kundërshtar me një gjuajtje të fortë. Edhe Skela mudn të kishte shënuar, në rastin tonë ndoshta më të mirë të takimit, por gjuajtja e tij ishte jo aq e fortë dhe qendrore, kështu pa problem për portierin. Zëvendësimet vijnë vonë, por kanë rezultuar efikase për Shqipërinë.
Fillimisht largohet Salihi dhe hyn Berisha, më pas largohet Skela dhe në vend të tij futet Teli. Berisha lëviz mirë përpara, merr 3-4 faulle dhe shtyn ekipin sa më shumë në zonën mike. Largimi i Skelës në mesfushë ul disi fantazinë, por në minutat e mbetura futbollistët tanë mbrohen mirë, ndërsa Suedia sikur pajtohet edhe ajo me barazimin.
Një nisje me një pikë, me një lojë ndoshta jo nga më të mirat e ekipit tonë kombëtar, por një lojë konstante dhe jo sporadike, pa gabime foshnjarake. Mungoi goli, megjithatë ai ishte fare pranë. Me këtë lojë fitorja me Maltën nuk duhet të diskutohet, pa harruar që në stol janë edhe disa alternativa sulmuese. Themi në sulm, sepse ndaj Maltës sigurisht që do të kërkohet fitorja dhe lojtarët ofensivë, si Kapllani, Bogdani, apo edhe Berisha nuk kanë harxhuar energji, prandaj pritet që ata të shënojnë. Kuqezinjtë e nisën mirë, le ta vazhdojnë kështu, por me një ndryshim, ndaj Maltës me tre pikë.
Renditja e grupit 1
1. Portugalia 3 pikë
2. Danimarka 1
3. Suedia 1
4. Shqipëria 1
5. Hungaria 1
6. Malta 0