Skuadra e Ranierit është mundur në Torino nga Palermo, kurse kryeqytetasit kanë humbur minimalisht në Siena
Bien Juventusi dhe Roma. Ndërsa Udineze kap Lacion dhe Interin në krye të klasifikimit. Ka qenë e mbushur me gola dhe surpriza mesdita e javës së gjashtë e Serisë A. Juventusi është mundur 2-1 në fushën e saj nga Palermo. Pas avantazhit të shënuar nga Mikoli dhe barazimit të Del Pieros, ndeshja është vendosur në pjesën e dytë nga gjeorgjiani i ri Mkelidze. Nuk ka bërë më mirë dhe Roma, e cila ka pësuar humbjen e tretë radhazi në transfertë kundër Sienës, pas një goli të Frik.
Gjithsesi, java e gjashtë e Serisë A ndoshta do të mbahet mend si më argëtuesja e të gjitha kohërave. Pas barazimit të Lacios me Leçen dhe fitores së Interit kundër Bolonjës, ditën e shtunë, Napoli kishte mundësi të dilte e vetme në kreun e renditjes në transfertën kundër Xhenoas, por ëndrra e tyre ka zgjatur vetëm 40 minuta, me pak fjalë koha që ndan golin e Lavecit të shënuar në minutën e parë me atë të barazimit, për vendësit, të shënuar nga Papastathopulos, në minutën e 44-t të pjesës së parë.
Gjithë kjo, para se Paladino në të 54-n dhe Milito në të 73-n, të konfirmonin pathyeshmërinë e Xhenoas në fushën e saj. Qesh Udineze që me anë të një dygolëshi të Kualjarelës mund Torinon dhe ngjitet në majën e tabelës në kuotën e 13 pikëve duke iu bashkëngjitur kështu Interit dhe Lacios. Kthehet te fitorja në transfertë edhe Fiorentina, e cila falë golave të Kuzmanoviç dhe të të përhershmit Xhilardiono ka marrë tri pikët në stadiumin Bentegoti kundër Kievos, ndërsa Juventusi befason në fushën e vet kundër një Palermoje në formë të shkëlqyer, që ka arritur të fitojë në minutat e fundit falë golit të parë sezonal të Mkelidzes.
Një tjetër humbje e Romës, e cila në fushën e Sienës jo vetëm që humb ndeshjen, vendimtar Frik, por edhe dy lojtarë të rëndësishëm, si: Mekses dhe Panuçi, të cilët kanë marrë kartonin e kuq dhe do të mungojnë në ndeshjen e ardhshme kundër Interit. Bie edhe Sampdoria në fushën e Atalantës me rezultatin 4-2, duke i çuar dëm dy golat e parë të Kasanos për këtë sezon, ndërkohë që në fund të renditjes është i rëndësishëm goli i Kostës në minutën e 80-të, që i ka lejuar Rexhinës të marrë një pikë kundër Katanias së zakonshme të Zengës.