Mesfushori kuqezi thekson se është e vështirë ta ndryshosh mentalitetin. Ai thotë se Shqipëria humbi shansin për të bërë hapin e madh
Mesfushori i kombëtares, Lorik Cana, më i kthjellët pas dështimit me Hungarinë, ka argumentuar humbjen. "Goli na shthuri,"thotë 25 vjeçari midis të tjerash, në intervistën e dhënë dje nga hotel "Aeroport Budapest". Pavarësisht dhimbjeve në gju, Loriku thotë se të mërkurën do të jetë patjetër në fushë ndaj Portugalisë.
Lorik, të gjithë janë të zhgënjyer për lojën e kombëtares me Hungarinë...?
Natyrisht, është më se e drejtë. Në bazë të nivelit të kundërshtarit, ishte një rast i bukur për të arritur një rezultat pozitiv. Barazimi do të ishte një rezultat i mirë. Në disa momente kyçe të lojës bëmë disa gabime. Në fillimin e pjesës së dytë Hungaria u fut më mirë në lojë. Pika jonë e dobët është që kur e pësojmë, humbim organizimin. Kundërshtari i shfrytëzoi këto pika të dobta që kemi. Kur jemi të organizuar, jemi të qetë prapa. Pësuam në një moment kur nuk e prisnim. Janë disa episode, ku nuk ke çfarë të thuash. Jemi të gjithë të mërzitur.
Në syrin tuaj, u përgatit mirë kjo ndeshje?
Nuk e përgatitëm mirë ndeshjen. Për lojën dua të shtoj se kemi pasur shumë shanse për arritur, të paktën barazimin. Pjesa e parë e ekipit ishte në një nivel të mirë. Fizikisht ishim gati për ta mbajtur lojën në kontroll dhe të mbyllnim hapësirat e kundërshtarit. Goli na shthuri, madje ramë shumë nga ana fizike. Edhe unë vetë personalisht, pas golit të parë, nuk dija ç'të bëja, të mbroja apo të sulmoja. Ishte një moment ku nuk dinim çfarë të bënim në fushë.
Kur hapemi, nuk e përballojmë dot. Mund të them se Bogdani ishte vetëm në sulm dhe i izoluar. Me pak fat do t'i çonim gjërat ashtu si donim. Për disa detaje të vogla na prishet puna e gjithë ndeshjes. Akoma nuk kemi bërë hapa përpara.
Pas ndeshjes trajneri ju mori veç bashkë me Lalën. Çfarë ju tha?
Kemi biseduar me trajnerin në aspektin se çfarë do të ndodhë gjatë lojës, pasi duhet të mbajmë organizimin. Jemi munduar, bashkë me Skelën dhe Lalën, por është shumë vështirë të ndryshosh mentalitetin. Trajneri na pyeti si po e ndienim skuadrën. "Duhet të jemi të përqëndruar në çdo moment. Elementet e vogël kushtojnë". Na kërkoi mendim për këtë, por për Shqipërinë është e vështirë. Bëjmë dy lojëra të mira dhe pastaj u kthehemi gabimeve.
Mendoni se në ndeshjen me Hungarinë mund të bëhej një hap i madh?
Dje mund të bënim një hap shumë të madh. Nëse merrnim rezultat, do të thonim se e kaluam një shkallë. Rinovimi i kombëtares besoj se do të zgjasë edhe pak. Kam shumë shpresa për të ardhmen, pasi kemi një kombëtare të re. Pas dy tre viteve mund të flasim ndryshe. Jam optimist për ta nisur nga e para me çunat.
Në ndeshjet e kaluara keni dhënë disa topa për sulmin, ndërsa me Hungarinë asnjë...?
U mundova të bëja lojën që bëj te Marseja. Unë e kam të vështirë të organizoj. Jam lojtar fizik dhe depërtoj. Nuk e bëj dot pasin e fundit.
U vu re një dëshpërim i jashtëzakonshëm dje, madje dhe nga lojtarët e stolit...?
Lojtarët që s'kanë qenë në fushë janë shumë të dëshpëruar. Ekipi ynë po jep maksimumin, të jeni të sigurt. Disa herë vrapoj aq shumë sa që duket sikur do t'i bie murit.
Këtë herë edhe tifozët u zhgënjyen jashtë mase, pasi shpresonin në një rezultat pozitiv?
Eshtë e vërtetë që tifozët po zhgënjehen, por do të mundohemi për të mbajtur kokën lart. Unë e ndiej shumë, por fakti që kemi disa lojtarë të rinj jam shumë optimist. Jam shumë kurioz të shoh Shqipërinë pas dy tre viteve.
E mbyllët ndeshjen i dëmtuar...?
Pas ndeshjes me Atletikon e Madridit më krijoi probleme gjuri, edhe dje u përplasa. Tani më ka mbledhur pak ujë, por nuk ka problem për të qenë në ndeshjen e radhës. Jam plotësisht i gatshëm.
Tani Portugalia. Duket sikur shkoni të dorëzuar?
Nuk do të shkojmë të dorëzuar në Bragë. Do japim gjithë zemrën, pastaj t'ia lëmë fushës. Kemi shanse, por Portugalia ka lojtarë cilësorë dhe nuk diskutohet që është favorite. Do të bëjmë gjithçka për pikë. Më bezdis shumë fakti që nuk po fitojmë, pasi e urrej humbjen. Kam shpirt luftarak dhe dua të fitoj gjithnjë.