Në Birmani megjithë katastrofën e shkaktuar një javë në parë nga stuhia tropikale "nargis", ka filluar referendumi për një kushtetutë të re.
Në pjesën më të madhe të vendit janë hapur lokalet e votimit. Të përjashtuara nga votimet për referendumin janë vetëm rajonet e prekura më rëndë në të cilat do të votohet më 24 maj.
Partia e lideres së opozitës Aung San Su Ki e cila ndodhet në arrest shtëpie kërkoi pa rezultat shtyrjen plotësisht të referendumit me të cilin sipas kritikëve, qeveria ushtarake në Birmani kërkon të forcojë pushtetin e saj.
Rreth 100.000 vetë e ndoshta edhe më shumë kanë humbur jetën nga pasojat e stuhisë tropikale, qindra mijëra të tjerë kanë humbur gjithçka. Qeveria ushtarake në Birmani e ka bërë të pamundur ndihmën nga jashtë për viktimat e katastrofës. Kancelarja gjermane Merkel i ka bërë thirrje qeverisë në Birmani të veprojë menjëherë për t'u ardhur në ndihmë viktimave. Dje në Dyseldorf Merkel u shpreh:
"Nuk arrij aspak të kuptoj sjelljen e qeverisë birmaneze. Gjermania është e gatshme të ofrojë ndihmë, ndihma është gati dhe tani duhet që qeveria birmaneze të veprojë më në fund, ndryshe askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të tregojë mirëkuptim për këtë sjellje."