Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs deklaroi sot në një intervistë për rrjetin televiziv ''Bloomberg'' se ishte ''krenare'' për pushtimin e Irakut nga SHBA-ja, ndërkohë që situata në Lindjen e Mesme ishte përmirësuar që nga ardhja e presidentit, George W. Bush në Shtëpinë e Bardhë.
Në të njëjtën intervistë ajo iu referua progresit në Korenë e Veriut dhe në Kinë si një provë e arritjeve të administratës Bush, që përfundon mandatin në fund të vitit.
''Jam krenare për vendimin e kësaj administrate për të rrëzuar Sadam Huseinin nga pushteti, jam krenare për çlirimin e 20 milionë irakianëve'', deklaroi Rajs.
''Gjendja në Irak ka qenë e vështirë, aq e vështirë sa asnjëri nga ne nuk mund ta imagjinojë. Ne nuk mund t'i zëvendësojmë kurrë ata që kanë vdekur, nuk mund t'u lehtësojmë dhimbjen familjeve dhe miqve që kanë lënë pas, por shohim se situata në Irak është përmirësuar'', deklaroi ajo.
Intervista, sipas ATSH-së, u bë publike, kur SHBA-ja po kremtonte festën kombëtare.
'Pas 11 shtatorit asnjë kërcënim për paqen nuk duhet të ekzistojë'', theksoi ajo.
Sipas saj ''Irani ka pësuar disfatë dhe al-Kaeda është në gjendjen më të vështirë të saj, ndërkohë që demokracia ka bërë hapa përpara me votën e grave në Kuvajt, forcat demokratike emergjente në territoret pelestineze dhe një demokraci në qendër të botës arabe, në Irak''.
''Ne po shohim se ndoshta nuk është aq e çmuar të jesh kamikaz, ne po shohim se njerëzit pyesin veten për të ditur nëse Osama bin Laden mund të përfaqësojë me të vërtetë natyrën e islamit'', vazhdoi ajo.
''Koreanoveriorët po tërhiqen nga gara e bërthamoreve, ky është një hap i madh për mospërhapjen e tyre, ndërsa Kina na u gjend pranë për çështjen e Darfurit'', tha ajo duke përsëritur se presidenti Bush do të merrtet pjesë në ceremoninë e Lojërave Olimpike të Pekinit.
Së fundi, 53-vjeçarja Rajs mohoi çdo ambicie të saj politike duke deklaruar se ajo mund të shkruante një libër dhe të kthehej të punonte në arsim, pas përfundimit të mandatit të administratës Bush.