Disa orë para nisjes për në Pekin për të marrë pjesë në hapjen e Lojrave Olimpike, Presidenti Bush ka kritikuar abuzimin e të drejtave të njeriut në Kinë.
Gjatë një fjalimi që mbajti në Tajlandë për politikën amerikane në Azi, zoti Bush tha se kritikat e tij nuk synonin anatagonizëm me udhëheqjen kineze, por bëheshin me qëllim që ta ndihmonin në realizimin e potencialit të plotë të popullit të saj.
"Amerika e kundërshton me forcë ndalimin në Kinë të disidentëve politikë, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve fetarë. Ne bëjmë thirrje për shtyp të lirë, lirinë e grumbullimeve dhe të drejtat e punës. Këtë nuk e bëjmë për t'ju kundërvënë udhëheqësve kinezë, por sepse lejimi i më shumë lirive për popullit e vet, është e vetmja rrugë që Kina t'i zhvillojë plotësisht potencialet e veta. Ne kërkojmë transparencë dhe drejtësi, jo për të imponuar besimin tonë, por për të lejuar që kinezët të shprehin besimin e tyre", tha Presidenti Bush.
Ai vlerësoi reformat e tregut në Kinë dhe përparimin ekonomik, por korrespondentët thonë se përmbajtja e fjalimit pritet të shkaktoje irritim në Pekin, në prag të Olimpiadës.
Duke iu referuar zhvillimeve për Birmaninë, zoti Bush bëri thirrje t'i jepej fund edhe asaj që e përshkroi si "tirani".
Ceremonia e hapjes së Olimpiadës në Pekin përkon me 20 vjetorin e lëvizjes për demokraci, e cila u shtyp nga ushtria. (BBC)