Qeveria amerikane po blen deri në 250 miliardë dollarë aksione në bankat private dhe po rrit garancitë qeveritare për huatë dhe depozitat në një përpjekje të fundit për të nxjerrë nga situata sektorin financiar në krizë.
Duke folur sot në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Xhorxh Bush tha se plani do të nxisë bankat që të rifillojnë të japin hua. Ekonomistët thonë se bllokimi i tregut të kredive kërcënon ta çojë ekonominë globale drejt recesionit.
Presidenti Bush thotë se ndërhyrja masive e qeverisë ka si synim mbështetjen e sipërmarrjes private dhe jo ta marr nën kontroll atë. Sekretari i Thesarit Henry Paulson thotë se qeveria po e merr këtë masë e detyruar nga kushtet, por se alternativa e mosfinancimit të konsumatorëve dhe bizneseve do të ishte e papranueshme.
Njoftimi pason bisedimet për krizën me udhëheqësit botërorë të ekonomisë. Plani amerikan vjen pas lëvizjeve të tilla të ngjashme nga ana e qeverisë evropiane që janë zotuar të vënë në dispozicion rreth dy trilionë dollarë për të shpëtuar bankat e tyre.
Përpjekja amerikane është pjesë e planit 700 miliardë dollarësh që Kongresi miratoi këtë muaj.
Tregjet kryesore amerikane, evropiane dhe aziatike reaguan ndaj nismës amerikane me rritje të vlerës së aksioneve. Tregjet financiare të Londrës, Parisit dhe Frankfurtit, të gjithë pasuan një rritje prej 5% në orët e para.
Indeksi i Nikeit në Tokio pa rritjen më të madhe brenda një dite duke u mbyllur më shumë se 14% më lart. Edhe bursat e Lindjes së Mesme filluan tregtinë me rritje. (VOA)