Premte, 21 Nentor 2008 22:03:23

Lexoni versionin Print

"Largohem nga TVSH pa mëdyshje, pa entuziazëm.."

Kolegë tuaj në gazetari më thanë që ju jeni shumë i zoti në batuta.. Mu përgjigjni me një batutë.. Si është kur një gazetar interviston një gazetar? Batuta lind nga një situatë e caktuar, nuk kërkohet kështu me këmbët e para. Më dukeni si "Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme që merr në pyetje një "prokuror të krimeve të rënda"

Intervistoi Elona Demollari
Shtune, 24 Maj 2008 09:11:00

 

Me Lutfi Dervishin

Kolegë tuaj në gazetari më thanë që ju jeni shumë i zoti në batuta.. Mu përgjigjni me një batutë.. Si është kur një gazetar interviston një gazetar?

Batuta lind nga një situatë e caktuar, nuk kërkohet kështu me këmbët e para. Më dukeni si "Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme që merr në pyetje një "prokuror të krimeve të rënda"

Ndoshta pak njerëz e dinë që vec emisionit Përballë në TVSH, ju keni drejtuar deri pak ditë më parë dhe departamentin e lajmeve në Televizionin Publik.. Por jo më.. Pse nëse na lejohet tju pyesim? Largimi i një drejtuesi lajmesh nga televizioni për të cilin paguajmë taksa, është besojmë një lajm me shumë interes për publikun…

Më shumë se lajm me interes për publikun, kam përshtypjen se është "informacion interesant" për ju që bëni pyetjen. Para një viti kam filluar punë tek informacioni në TVSH pa ndonjë entuziazëm të theksuar dhe me shumë mëdyshje. Pas një viti largohem pa mëdyshje, por dhe pa entuziazëm.

E ndërkohë do vijoni me emisionin Përballë?

Kontrata për "Përballë" përfundon në fund të muajit qershor.

Meqë jemi këtu tek emisioni Përballë.. Ju jeni gazetar me eksperience keni drejtuar disa redaksi mediash, jeni ndoshta nje nga personat me te pershtatshem per tju bere kete pyetje...

Pse kaq shume emisione opinionistike ne Televizionet Shqiptare publikun dhe privatët? E kemi fjalen per emisionet kur flitet e tirren biseda kryesisht politike dhe jo vetem.. Dhe gjithcka ne oraret me te shikuara nga teleshikuesit shqiptarë..

Është kjo vërtet një nevojë e teleshikuesit shqiptar, një tip tradite disi ballkanike e të shtruarit në muhabet, apo gazetaria jonë televizive nuk është në gjendje të prodhojë më shumë se kaq?

Kam frikë se i jeni përgjigjur vetë pyetjes. Po shtoj dy fjalë. Të bësh gazetari politike është më e lehtë dhe të kushton shumë pak! Këtu bashkohen më së miri "gazetarët" dhe "pronarët". Me kalimin e kohës besoj se emisionet politike do të largohen nga "prime time", sepse shikuesi kam përshtypjen se është larguar nga këto emisione. Në mungesë të sondazheve të besueshme jemi në pozitën e atij marinarit që nuk ka dylbi dhe kërkon të shohë tokën duke vënë dorën mbi ballë. Anija ka mbërritur në sterre. Marinarët thjesht duhet të rrotullojnë pak kokën dhe të shohin se kanë mbërritur në stere.

Si është të punosh me lajmet e TVSH.. Kush i bie më shpesh celularit tuaj?

Vështirësia është për të bërë lajm dhe për të mos abuzuar me kohën. Dy prej ngjarjeve më të mëdha të shekullit të kaluar në SHBA u dhanë me nga një fjali me 4-5 fjalë. 1. Presidenti Kenedi u vra sot në Dallas. 2. Njeriu zbriti në hënë.

Celularit më shpesh i binin ata që e dinin mirë se nuk përbënin lajm dhe donin të dilnin në televizor.

TVSH ka qenë gjithmonë një nga institucionet e medias më të ndjeshme në raport me politikën. Përgjatë kohës së punës suaj atje, a "formuluat" ndonjë "recetë", a mund të shpëtohet ish-"gjigandi" dhe si mund të jetë një alternativë e dobishme për publikun këtu? Apo përfundimisht nuk hyn më në punë?

TVSH nuk duhet parë e shkëputur nga realiteti i gjithë medias. Politika në plan të parë është emëruesi i përbashkët i televizioneve dhe gazetave. Kërkohet një paradigmë e re, që publiku të jetë në plan të parë. Formula është e thjeshtë: e mësojnë dhe studentët e vitit të parë të degës së gazetarisë, janë kriteret e një ngjarje për të qenë lajm, objektiviteti, ballanca, ndershmëria. A ka shpresë për të qenë alternativë e dobishme për publikun? Duhet të jesh shumë optimist për t'i dhënë përgjigje pozitive kësaj pyetje.

Mendimi juaj për raportin media-politikë sot në Shqipëri?

Më kujtohen vargjet e Majakovskit. "Partia dhe Lenini, binjakë që historia si mëma që i lindi u dha dashurinë/ Kur themi Lenini nënkuptojmë partia, kur themi partia nënkuptojmë Lenini.

Kush është Lutfiu jashtë ekranit dhe faqeve të gazetave.. I martuar? Me fëmijë? E di që do përgjigjeni prapë me një batutë..

Prap i dhatë përgjigje pyetjes.

PJESA 2

PYETSORI I PRUSTIT

"U përlota ditën e transmetimit nga Gërdeci"

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Kur kthehem në shtëpi dhe shoh dy fëmijët dhe bashkëshorten, të tre të qeshur.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Ideja se sot do të ketë diçka të bukur, në mos të bukur, interesante, në mos interesante, gjithsesi do të ndodhë diçka.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Duke u kthyer nga shkolla e vajzës. Sapo kishe përfunduar festa e fundvitit.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Flas pak.

Defekti juaj kryesor?

Flas pak.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?

Ndaj atyre që i bëj vetë

Hera e fundit që u përlotët?

Më 15 mars, në ditën e transmetimit të drejtpërdrejtë të tragjedisë së Gërdecit.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

Me asnjë.

Udhëtimi juaj i preferuar?

Tani kam zbuluar një intinerar që do t'ua rekomandoja të gjithëve. Rrëshen – Kalimash. Nëse do të shkruaja pse-në, do të merrja një faqe nga gazeta juaj.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Ismail Kadare, Remark, Dostojevski...

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Kurajon dhe përgjegjësinë për të qenë model për fëmijët e tij.

Tek një grua?

Aftësinë për të mos "kuptuar" kur burri gabon.

Kompozitori juaj i preferuar?

Moxarti.

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Nuk di të fërshëllej.

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?

"Seven habits of highly effective people". E kam lexuar më 1995. Libri i fundit është "E ardhmja e lirisë" e Fareed Zakaria

Filmi që ju la mbresë të thellë?

Për fat të keq nuk më kujtohet titulli. E kam para para pak kohësh në Vizion +. Fliste për botën që po shuhej pas një lufte bërthamore të SHBA-së me Kinën.

Piktori juaj i dashur?

Gustav Klimt.

Ngjyra juaj e preferuar?

E gjelbër.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më tëmadh?

Realizimin e disa ëndrrave që tani nuk janë më ëndrra.

Pija juaj e preferuar?

Uji.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?.

Kur ngre zërin ndaj fëmijëve.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Hipokritin.

Frika juaj më e madhe?

Zhgënjimi që më sjell dikush tek i cili kam besuar.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Zakonisht të dielave kur nuk i përgjigjem dëshirës së dy fëmijëve për të lëvizur orë e pa orë nga shtëpia për të shkuar tek lodrat...

Keni dhënë ndonjëherë rryshfet?

Rryshfet jo. Dhurata po.

Cila është motoja juaj?

Jeta është 10% çfarë të ndodh dhe 90% si i përgjigjesh "ndodhive"

Si do të dëshironit të vdisnit?

Duke perifrazuar Gëten: "Edhe fundi përpara qenka"

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?

Faleminderit. A mund të ma japësh pak numrin e celularit 

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

I qetë(suar).





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML