Gjashtë muaj pas shkarkimit, ish-prokurori i Përgjithshëm komenton shkarkimin, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe përvojën e re. Si e nisi dhe vijoi karrierën profesionale, ëndrra e parealizuar në sirtar, bilanci i përvojës së shkuar pranë strukturave shtetërore në PD, misioni që mori përsipër si prokuror i përgjithshëm. Pse lufta kundër krimit që evokon qeveria, është thjesht propagandë dhe pse prej 3 vitesh nuk lejohet informimi i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit.
Imuniteti i deputetëve? “Nëse duan ta kufizojnë, asnjë pengesë kushtetuese nuk ka”. Fjalë prej juristi të sprovuar, ato të Theodhori Sollakut, deri gjashtë muaj më parë Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, ndaj të cilit, pasi nuk mbaruan denigrimet profesionale dhe familjare, shumica parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, i bëri për të dytën herë kërkesë Presidentit të Republikës për ta shkarkuar. Një debat aktual ky i imuniteteve që bëhet këto ditë, kur shumica e djathtë në Kuvend po sfidon Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kërkon heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. “Zvarritja në procedurat parlamentare i kërkesave të prokurorisë bën që të dëmtohet hetimi i mëtejshëm sepse nuk mund të nxjerrësh ndonjë gjë nga përgjimi apo kontrolli, pas dhënies së autorizimit, sepse me vënien në dijeni deputeti merr masat për të mos folur në telefon, zhduk gjurmët e provave në ambientet që mund të kontrollohen etj.”,- komenton ish-prokurori i Përgjithshëm, Sollaku.
I votuar në mars 2002 për të qenë numri një i akuzës në vend, rasti i shkarkimit nga detyra të z.Sollaku përfundoi edhe në raportin e sapo publikuar të Amnesty International, si shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ai thotë se tani ndjehet shumë mirë, por nuk përton të rendisë shkeljet antiligjore që PD-ja bëri ndaj tij. Padyshim, më të rëndat, janë sulmet mbi familjen dhe figurën e Kryeprokurorit, për të cilat z.Sollaku shprehet: “Askush, as në moshën e Kryeministrit, nuk duhet të ndihet mirë me veten, me familjarët, me nipërit e mbesat, nga ky pasion i shëmtuar”.
Z.Sollaku, në fund të dhjetorit të kaluar shpreheshit se ishit i qetë, ndërsa linit zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Po tani, pas pesë muajve, si ndjeheni?
Në fakt, kanë kaluar mbi gjashtë muaj. Mund të them se, ndërsa në fillim mendoja se nuk ndjehesha keq, tani mund të them me plot gojën se ndjehem shumë mirë. Kam hapur një studio ligjore dhe vazhdoj edhe si dekan pranë Universitetit “Marin Barleti”.
Emri juaj u përmend sërish nga Gjykata Kushtetuese (GJK), kur ajo u shpreh se ishte i paligjshëm hetimi nga ana e deputetëve i prokurorit, por nga ana tjetër, i dha të drejtë vendimit për shkarkimin. Si e pritët këtë lajm?
Konstatimi i shprehur në pyetjen tuaj, është rrjedhojë e një servirjeje të turpshme dhe banale të dy dispozitiveve të vendimeve nga ana e administratës së Gjykatës Kushtetuese, me një qëllim të caktuar: të krijonte tymnajën se shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm ishte i ligjshëm, kur në të vërtetë absolutisht nuk është kështu. Sigurisht dhe padija e përgjithshme, në veçanti e një pjese gazetarësh, ka kontribuar për të krijuar këtë përshtypje.
Siç mund ta dini, njoftimet e këtyre dy vendimeve nga kjo gjykatë janë hedhur në internet, në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajnë datën 19 maj. Mbas dy ditësh hedhin në internet, të arsyetuar, vetëm vendimin e parë, i cili mban datën 20 maj. Si ka mundësi që vendimi të mbajë datën 20 dhe njoftimi të bëhet në datë 19, pra një ditë para datës së vendimit? Si ka mundësi që vendimi i dytë ende nuk është arsyetuar dhe i jepet publikut paradhënie, duke shkelur Ligjin e GJK, neni 72/6, i cili parashikon që vendimet e kësaj gjykate shpallen veçse të arsyetuara? Përgjigja është e thjeshtë për këdo: t’i mbrojnë sa të mundin në sytë e opinionit publik “nderin” atyre që shkarkuan në mënyrë antikushtetuese Prokurorin e Përgjithshëm.
Nuk ka dalë barazim kjo “ndeshje”, por është rifituar nga Prokurori i Përgjithshëm. Nga institucioni, sepse individi Theodhori Sollaku e kishte fituar betejën morale dhe profesionale me ekzekutivin, gjë që pak ditë më parë u konfirmua edhe nga Raporti Vjetor për të Drejtat e Njeriut i Amnesty International. Ju lutem, lexojeni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 20 maj, dhe do të shikoni se është rishkruar e zeza në të bardhë, duke u deklaruar se Kuvendi nuk ka asnjë kompetencë të merret me vlerësimin e vendimeve të prokurorit, dhe se gjithë veprimtaria e komisionit hetimor, objekt i të cilit ishte veprimtaria e prokurorëve, u deklarua nga Gjykata Kushtetuese në kundërshtim me parimet kushtetuese. Rrjedhimisht, çdo vendim i marrë mbi bazën e kësaj veprimtarie të komisionit, është “nul”. Prisja që vendimi të shpallej më shpejt në kohë, sepse ishte i njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk kishte shumë nevojë për t’u menduar. Për më tepër, me mosdhënien e vendimit të pezullimit të komisionit hetimor, dhe përfundimin në kohë rekord të procedurave, qëllimi u arrit.
Si u ndjetë kur Gjykata Kushtetuese nuk vendosi pezullimin e punës së komisionit?
Të jem i sinqertë me ju, më erdhi shumë keq, sepse ishin të gjitha kushtet ligjore për të pezulluar veprimtarinë e komisionit derisa të jepej vendimi, kur dihej që pasojat nuk mund të riparoheshin në të ardhmen. Kjo gjykatë ka pezulluar akte të Kuvendit që kanë qenë për nga rëndësia shumë më të parëndësishme se çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, siç ishte ai i Akademisë së Shkencave apo zgjedhja e dekanëve. Por tani që jam më i ftohtë, them se mirë kanë bërë. Rasti është i paprecedentë, ku u shteruan të gjitha mjetet; si debati politik, mediatik, mjetet institucionale, dhe këtu kam parasysh mosmiratimin nga presidenti Moisiu të propozimit, u shteruan mjetet legale me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006 ku deklaroi si antikushtetues komisionin hetimor. Kishte mbetur vetëm rruga e konfrontimit fizik, e cila u kishte shkuar në mendje, por që hoqën dorë sepse, sipas deklarimit të tyre, menduan ta zgjidhnin me Presidentin e ri, ashtu siç edhe e zgjidhën në fakt. Në këtë aspekt, them se mirë vepruan që mbajtën një qëndrim të tillë.
Po vendimi i dytë, çfarë përfaqëson?
Është e vërtetë që, pas ikjes nga detyra, unë depozitova pranë Gjykatës edhe një kërkesë tjetër ku pretendoja se edhe procedura e ndjekur ishte në kundërshtim me parimet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Gjykata, këtë kërkesë të dytë, nuk e ka pranuar, nuk dihen arsyet, ende nuk është arsyetuar vendimi. Me sa kam mësuar, jo formalisht, ata kanë arsyetuar se megjithëse ka patur parregullsi në procedurën e ndjekur, ato janë rregulluar dora-dorës. Unë pretendoja në kërkesën e dytë, se komisioni hetimor nuk më dëgjoi dhe nuk më vuri provat në dispozicion, ndërsa gjykata mendon se unë u dëgjova në seancë plenare dhe kjo shkelje është riparuar. Në fakt, këtu ka një të vërtetë pasi unë fola para Kuvendit, pavarësisht se nuk donte të dëgjonte njeri, sepse vendimi politik ishte marrë kohë më parë. Por, iu drejtova për herë të dytë gjykatës, pasi në konceptin tim, bazuar edhe në jurisprudencën e kësaj gjykate, procesi i rregullt ligjor është shumë më i gjerë sesa fakti u dëgjove apo nuk e dëgjove. Gjithsesi, nuk dua ta paragjykoj arsyetimin e këtij vendimi, por të presim vendimin e arsyetuar. Pra, dua të sqaroj që ky vendim nuk ka marrë përsipër të thotë që ishte apo jo kushtetues, vendimi i shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, por ka gjykuar dhe vendosur mospranimin e kërkesës time, në të cilën pretendoja se edhe procedura e ndjekur, ishte jo e rregullt.
Çdo të ndodhte sikur unë të mos kisha paraqitur kërkesën e dytë në gjykatë? S’do të kishte vendim të dytë, pra do të ishte vetëm vendimi që i ka dhënë të drejtë Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, që quhej Theodhori Sollaku. Për ta bërë më të qartë këtë situatë, po perifrazoj një mikun tim, i cili në kohën që po përgatisja kërkesën e dytë, më tha me të qeshur: “Ti po kërkon “thelë mbi bisht”, mos e vë në vështirësi Gjykatën Kushtetuese në një çështje kaq të mprehtë ”. Me sa duket, kishte pasur të drejtë. Personalisht, nuk e mendoja kurrë se kjo gjykatë do të cedonte nga qëndrimet e saj të mëparshme të shprehura në çështje analoge. Por me sa duket, ky është realiteti shqiptar, dhe duhet të mësohemi me të, për aq kohë sa nuk kemi mundësi ta ndryshojmë.
Ju jeni shprehur disa herë, por desha të di nëse e kishit menduar karrierën tuaj kështu, me kaq zigzage, me kaq publicitet dhe sulme...
Askush nuk e mendon se si do t’i shkojë karriera, sepse bëhet fjalë për të ardhmen, e cila nuk varet vetëm nga individi. Gjithsesi, individit i takon të bëjë atë që varet nga ai, dhe unë këtë gjë kam bërë. Karriera ime nuk ka filluar me detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por në katedrën e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ka vazhduar për 10 vjet si Këshilltar i Presidentit të Republikës dhe më pas, afro 6 vjet si Prokuror i Përgjithshëm. Nuk mendoj se ka pas shumë zigzage, përkundrazi, mund të quhet një karrierë e suksesshme. Përsa i përket sulmeve dhe publicitetit, kjo nuk varej nga unë, por nga të tjerët. Natyrisht, për shkak të natyrës së punës së Prokurorit të Përgjithshëm, mendoja se do të kishte sulme dhe publicitet, por, sinqerisht, nuk e kisha menduar se do të ishin të përmasave të tilla.
Cila ishte ëndrra juaj e fshehur në sirtar, nëse ka patur një të tillë?
Kam ëndërruar të bëhesha gjyqtar. Bile, Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1982 e kam nisur me këtë synim. Është një profesion i bukur, pavarësisht se në Shqipëri është shumë i vështirë për momentin.
Çfarë bilanci do t’i bënit tani angazhimit tuaj pas vitit 1992 pranë PD-së dhe z.Berisha, duke patur parasysh sulmet që ju janë bërë familjarisht pas vitit 2005?
Më lejoni t’ju saktësoj. Nuk kam qenë ndonjëherë pranë strukturave të Partisë Demokratike, por pranë strukturave shtetërore (Presidentit) kur në mazhorancë ishte PD-ja. Më duket se gjithë angazhimet e mia, në një karrierë në ngjitje, janë vlerësim i vazhdueshëm i disa cilësive profesionale dhe njerëzore: kam treguar nivel të lartë profesional, kam ruajtur profil të ekuilibruar në pikëpamje politike, pra kam qenë njeri institucionesh, dhe luajal në planin njerëzor, siç mund të konfirmohet jo thjesht nga ata që kanë qenë titullarë të mi, por dhe vartës të mi. Madje dhe vetë Berisha duhet të jetë dakord. Pse më ka sulmuar familjarisht? E kam trajtuar këtë edhe më parë, një histori e turpshme, pasioni për t’u marrë me familjen e kundërshtarit, e rivalit. Askush, as në moshën e Kryeministrit, nuk duhet të ndihet mirë me veten, me familjarët, me nipërit e mbesat, nga ky pasion i shëmtuar.
Çfarë misioni i vutë vetes kur u zgjodhët Prokuror i Përgjithshëm në mars të vitit 2002?
Të hiqja gradualisht çdo hije politizimi në veprimin e organit të akuzës, të rrisja profesionalizmin nëpërmjet injektimit të gjakut të ri të profesionistëve, të inkurajoja ata për të punuar në një institucion të tillë, të godisja krimin e organizuar dhe korrupsionin siç e tregon bilanci i treguesve të punës së prokurorisë, jo me fushata, apo i sinkronizuar me fushata politike, por në përputhje me ligjin, pa shkelur të drejtat e njeriut.
Nëse do të bënit një bilanc të punës tuaj nga ajo kohë deri në dhjetor, cili do të ishte rezultati?
Mendoj se treguesit e punës flasin vetë, vektori rezultant i punës së prokurorisë është shumë pozitiv. Them i prokurorisë, sepse, në radhë të parë, është mundi dhe sakrificat e trupës së prokurorëve, janë ata që janë përballur personalisht me problematikën e ushtrimit të ndjekjes penale. Natyrisht, si drejtues i kam mbështetur dhe inkurajuar për të zbatuar vetëm ligjin, në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Ju keni patur fatin të takoni homologë nga shumë vende të botës. Cila është konsiderata e tyre për Shqipërinë, në aspektin e sigurisë?
Bashkëpunimi me homologët e vendeve të tjera ka qenë i shkëlqyer. Si asnjëherë më parë, kontaktet me ta u shtuan së tepërmi në misionin e përbashkët të luftës kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar, i cili nuk njeh kufij shtetesh në veprimtarinë e tij. Për hir të vërtetës, kolegët tanë në botë kanë qenë avokatët tanë më të mirë, në një kohë që politika në pushtet përpiqej të denigronte çdo ditë në mënyrë të dhunshme punën e prokurorisë. Ata konstatonin se, pavarësisht vështirësive, policia, prokuroria dhe gjykatat ishin në pozicionin e tyre ligjor. Ishte ky qëndrim yni, që krijoi besimin reciprok të bashkëpunimit.
Ju ishit në detyrë në tetor 2005, kur qeveria “Berisha” miratoi moratoriumin për mjetet lundruese. Sa ishte i imponuar nga jashtë, përkatësisht nga Italia, ky vendim që e bën Shqipërinë të vetmin vend të botës të privuar nga mjetet private dhe sa rezultativ ka realizuar ky?
Unë nuk di nëse ishte apo jo i imponuar nga jashtë kjo masë për ndalimin e mjeteve lundruese. Por një gjë është e vërtetë. Qeveritë e vendeve të BE, atëherë, por edhe tani, vazhdojnë t’i kërkojnë qeverisë shqiptare më shumë punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në parandalimin e trafiqeve të ndryshme. Edhe vendimi i marrë mendoj se ka qenë i imponuar nga këto kërkesa. Por nuk besoj se e kanë kërkuar të huajt një ndalim të tillë. Ndërsa ata duan që të marrësh masa që mos t’u shkojnë klandestinë në brigjet e tyre, nuk të imponojnë mënyrën se si do e realizosh një gjë të tillë. Mesa duket qeveria jonë i ka rënë shkurt, nuk është lodhur shumë për të kontrolluar vijën bregdetare, por ka vendosur që të mos lërë asnjë mjet lundrues në det, duke u djegur i njomi (pronarët korrektë) me të thatin, (ata që i kishin mjetet për trafik).
Qeveria vijon të përmendë shkatërrimin e mbi 200 bandave të rrezikshme kriminale dhe eliminimin e trafiqeve. Sipas jush, sa është çliruar vendi nga bandat dhe krimi ordiner?
Kryeministri i vendit është mjeshtër në propagandë dhe në fund të fundit, edhe nuk ka faj, se kjo është detyra e politikanit. Në bazë të Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti kushtetues që informon Kuvendin, për rrjedhojë edhe opinionin publik, për gjendjen e kriminalitetit në vend. Por, duke u dhunuar kjo normë kushtetuese, publikut i serviren vetëm shifrat e Kryeministrit. Që kur ka ardhur në pushtet kjo mazhorancë, nuk ka lejuar informim në Kuvend të Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit. Nuk është lejuar informimi në Kuvend për tre vjet rresht, jo vetëm i Sollakut (2006, 2007), por edhe i pasardhësit (2008). Përse? Është e sigurt që shifrat zyrtare nuk përputhen më ato të propagandës së ditës. Lufta kundër krimit është një detyrë për çdo shtet, dhe të pretendosh se krimi nuk ekziston më, është një utopi. Atëherë nuk do të kishte më nevojë për polici, prokurori, gjykatë, burgje. Por të gjithë e dimë që nuk është kështu. Është tjetër gjë të thuash në propagandë që kjo qeveri ka vullnet për të luftuar krimin, po deshe thuaj edhe “me zero tolerancë” , dhe tjetër gjë të thuash se kemi çliruar vendin nga krimi, për më tepër dhe nga krimi ordiner. Çdo vit, prokuroria ndjek mbi 15 mijë raste, arreston apo dërgon në bankën e të akuzuarve para gjykatës rreth 4000 vetë. Shifra këto që tregojnë se kriminaliteti është i pranishëm. Mendoj se detyra kryesore e çdo qeverie është parandalimi i krimit, dhe ky parandalim nuk matet me numrin e njerëzve që ke futur në burg. Të parandalosh krimin, do të thotë të eliminosh shkaqet e lindjes së tij, ku niveli ulët ekonomik, varfëria dhe niveli i ulët kulturor e arsimor janë nga më kryesorët.
Flitet shumë për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Ju, si do ta komentonit?
Jam dakord me ju, që për këtë çështje flitet shumë. Por ama vetëm flitet. Nëse duan ta kufizojnë, asnjë pengesë kushtetuese nuk ka. Besoj se shumica e deputetëve e dinë një gjë të tillë, ka dhe të tjerë që nuk e kuptojnë saktësisht se çdo të thotë kufizim. Kur flasim për imunitetin, kemi parasysh disa barriera procedurale për organin procedues ndaj personave me imunitet, të cilat janë fiksuar në nenin 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale. Pra, me pak fjalë, nëse regjistrohet një çështje penale, nëse je person pa imunitet, ndaj teje mund të kryhen të gjitha veprimet procedurale. Ndërsa ndaj personit me imunitet mund të kryhet çdo veprim procedural, me përjashtim të disave që listohen në nenin 289 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, organi procedues nuk mund të ushtrojë kontroll banese, zyre, korrespondence, nuk mund të përgjojë, nuk mund të marrë masa sigurimi, nuk mund të ngrejë akuzë, nuk mund të dërgoj në gjykatë, nëse nuk jep autorizim, organi kompetent ( Kuvendi). Pra, prokuroria i ka duart e lidhura në njëfarë mënyre. Të kufizosh imunitetin, do të thotë të shkurtosh listën e këtyre barrierave procedurale. Kam dëgjuar shpesh, të thuhet se “faji është i prokurorisë që nuk ka sjellë këto vite kërkesa për heqje imuniteti në Kuvend dhe jo se ka qenë pengesë imuniteti”. Është e vërtete që kërkesat nga prokuroria për heqje imuniteti kanë qenë shumë të pakta, historikisht. Por që prokuroria të bëjë kërkesë për heqje imuniteti, duhet që ajo të ketë disa fakte (prova) që i atribuohen deputetit apo Ministrit. Duke mos patur mundësi të përdorë mjetet e kërkimit të provës (përgjimet, kontrollet) për shkak të imunitetit, prokuroria ndodhet bosh, ose me prova të pamjaftueshme, për të justifikuar kërkesën e saj drejtuar Kuvendit për dhënie autorizimi. Për më tepër, zvarritja në procedurat parlamentare e kërkesave të prokurorisë (edhe në ato pak raste) bën që të dëmtohet hetimi i mëtejshëm sepse nuk mund të nxjerrësh ndonjë gjë nga përgjimi apo kontrolli, pas dhënies së autorizimit, sepse me vënien në dijeni, deputeti merr masat për të mos folur në telefon, zhduk gjurmët e provave në ambientet që mund të kontrollohen etj.
Në fillim të vitit 2006, pranë Ministrisë së Drejtësisë, misionet e huaja që asistojnë drejtësinë në Shqipëri kanë depozituar draftin përkatës. Po ta kenë seriozisht, miratimi i atij drafti nga Kuvendi me 84 vota (sepse është ndryshim në Kodin e Pr.Penale), mbyll njëherë e mirë shqetësimin për çështjen e imunitetit. Por, ju siguroj se nuk kanë ndërmend ta bëjnë, ose edhe po e bënë, do e formulojnë në atë mënyrë, që ta pengojnë më keq se deri tani prokurorinë, ashtu si bënë me draftin e para dy viteve, që megjithëse valëvitej si kartë politike, ai e përkeqësonte më shumë situatën, duke shtuar barrierat procedurale.
PYETËSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute për ju?
- Ekuilibri i shëndetit fizik me atë shpirtëror.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
-Dëshira për ta jetuar jetën.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
-Ndoshta weekend-in e fundit.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
-Vullneti.
Defekti juaj kryesor?
-Falja dhe toleranca edhe ndaj atyre që nuk e meritojnë.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
-Atyre njerëzore.
Hera e fundit që u përlotët?
-Humbja e babait.
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
-Nuk besoj se më ndodh.
Udhëtimi juaj i preferuar?
-Pushimet e verës me familjen.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
- Balzaku, Cvajk.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
-Burrërinë. Karakterin e fortë.
Tek një grua?
- Ndershmërinë?
Kompozitori juaj i preferuar?
- Bethoveni, Franc List,Verdi.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
- Bessa me mucho.
Piktori juaj i dashur?
-Van Gogh, Mikelanxhelo, Rembrand.
Ngjyra juaj e preferuar?
- Bojëqielli
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
-Mbi 5 vitet si Prokuror i Përgjithshëm.
Pija juaj e preferuar?
- Vera e kuqe.
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
- Kur ndihmoj (ose ofroj miqësi) njerëz të gabuar?
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
- Mosmirënjohjen.
Kur nuk merreni me sport, çfarë ju pëlqen të bëni?
-Nuk para jam shumë tip sportiv, por më pëlqen të kaloj kohën me miq.
Frika juaj më e madhe?
-Dita kur s’do mund të punoj e të kem jetë aktive.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
-Pothuaj asnjëherë ose vetëm kur jam i detyruar të them “white lies” (gënjeshtra për mirë).
Cila është motoja juaj?
- Puno sikur do jetosh 100 vjet e gëzoje jetën sikur të ka ngelur pak ditë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
- Me “këmbë e dorë” e mendje të kthjellët, deri ditën e fundit.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
- Ndoshta të merrej pak më shumë me njerëzimin, në mënyrë që të kishte më pak vuajtje në këtë botë?
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
- I qetë e në paqe me veten.