Premte, 21 Nentor 2008 23:19:55

Lexoni versionin Print

David Ensor, një rrëfim “shqiptar” për gazetarinë dhe politikën amerikane

Impenjimi i ri i David Ensor, për tri dekada korrespondent i rrjeteve ABC dhe CNN. Karriera me lajmet e mëdha që ndryshuan botën, nga rënia e komunizmit, sulmet e 11 Shtatorit dhe lufta në Irak dhe Afganistan. 27 vite në zemër të politikës amerikane, pranë udhëheqësve të Shtëpisë së Bardhë. Për t’u pasuar nga dorëheqja dhe pakënaqësia për gazetarinë e sotme amerikane.

Arben Rrozhani
Shtune, 14 Qershor 2008 08:12:00

 

Impenjimi i ri i David Ensor, për tri dekada korrespondent i rrjeteve ABC dhe CNN. Karriera me lajmet e mëdha që ndryshuan botën, nga rënia e komunizmit, sulmet e 11 Shtatorit dhe lufta në Irak dhe Afganistan. 27 vite në zemër të politikës amerikane, pranë udhëheqësve të Shtëpisë së Bardhë. Për t’u pasuar nga dorëheqja dhe pakënaqësia për gazetarinë e sotme amerikane. Si dhe optimizmi për misionin e ri në Shqipëri.

 

David Ensor ngutet. Pas dy orësh i ikën avioni i shoqërisë “Lufthansa”, që do ta çojë në Londër. Një impenjim me të njëjtën natyrë, por me mision tjetër. Ndryshe nga 27 vitet e karrierës si gazetar i rrjeteve ABC dhe CNN. Tani, si njeri i biznesit. Portreti i korrespondentit të televizioneve amerikane nuk ka ndryshuar, megjithëse ka rrjedhur shumë ujë. Bashkëbisedimin e bëjmë në pjesën e pasme të makinës që ngutet të kapë çekinin e biletave në terminalin e aeroportit të Rinasit. Një bisedë për gazetarinë e sotme amerikane, kthime në të shkuarën dhe dialog për administratën në ikje të presidentit Bush.

“Unë kisha një karrierë të mrekullueshme në televizion, por ndoshta kërkoja diçka tjetër”,- thotë jo pa keqardhje David Ensor, deri dy vite më parë korrespondent i CNN-it në Uashington për Sigurinë Kombëtare. Një detyrë që i dha më shumë se lidhjet e drejtpërdrejta televizive me “Mekën” e gazetarisë së sotme televizive, sepse “të gjithë e shohin CNN”. Pati mundësinë të jetë në vatrat më të nxehta të botës, brenda kulisave të politikës së kryeqytetit amerikan, brenda gjithçkaje që nesër mund të jetë shumë e vlefshme për të shkruar kujtimet. Sepse ditë pas dite, Ensor e komenton karrierën në gazetari si një kujtim të bukur, por edhe që të vret paksa.

“Punova fillimisht për ABC, raportova nga Moska për rënien e komunizmit, triumfin e Boris Jelcinit. Jetova luftën e parë kundër Çeçenisë. Por kisha patur parapërgatitje, sepse para kësaj detyre unë isha në Romë, duke mbuluar udhëtimet e Papës. Disa kohë mbulova ngjarjet në Lindjen e Mesme. Isha gjithashtu edhe në Varshavë të Polonisë, ku mbulova grevën e Solidarnostit, të drejtuar nga Leh Valesa”.

***

Emri i David Ensor është i lidhur me lajme të rëndësishme. Sigurisht, në ngjarjet e mëdha të jetës politike të Washingtonit dhe vijon të ketë kontakte me zyrtarë të lartë të administratës. Dhjetë vite më parë militoi në CNN, si korrespondent për Sigurinë Kombëtare, duke raportuar për çështje që lidheshin me inteligjencën amerikane, sigurinë në SHBA, terrorizmin ndërkombëtar, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, debatin për mbrojtjen antiraketore dhe luftën në Irak apo Afganistan, krizën diplomatike SHBA-Rusi në mars 2001 me dëbimet respektive të diplomatëve, për të cilën gabimisht parashikoi se “do të helmonte marrëdhëniet mes dy vendeve”. Shërbimi i fundit, mbulimi i vizitës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Kondoleca Rajs në Europë. Shkurt, lajme të rënda, që nuk kanë të bëjnë sot me ato televizionet amerikane, po përpiqen t’i servirin publikut. “I’m old fashion man”. Jam tradicional, e justifikon Ensor rebelimin e tij ndaj gazetarisë së sotme në SHBA. “Një gjë prej të cilës unë jam i palumtur është kjo vrima e madhe e blogeve dhe bota e madhe e internetit”.

Po pse kaq agresiv ndaj “new giornalism”, siç po quhet rëndom puna e blogerëve?

“Po kjo është mirë, - pranon Ensor, dhe shton,- “por unë jam për stilin e vjetër të gazetarisë. Unë dua të jem tradicional. Unë besoj te gazetaria që nuk përpiqet të fitojë mbi një argument, por të ndihmojë votuesit apo lexuesit. Unë isha i lumtur kur si republikanët ashtu edhe demokratët, të thonin të njëjtën gjë për lajmin tim dhe unë të kisha prezantuar të dyja palët”.

Dekadën e fundit të angazhimit në CNN ishte pjesë e një ekipi të famshëm korrespondentësh si Kristian Anampur, apo Wolf Blitzer i zyrës në Uashington DC. “Për mua CNN përfaqëson të mesmen e artë të medias amerikane”,- thotë Ensor. Më tutje... i rikthehet kritikës së mësipërme: “Por janë disa trende në gazetarinë amerikane për të cilat jam i pakënaqur, siç janë shumë aspekte të gazetarisë së lajmeve tani, të cilat sipas opinionit tim nuk e ndihmojnë demokracinë. P.sh., nëse CNN tani i kushton vëmendje lajmeve për Hollivudin, ajo i kushton më pak kohë lajmeve serioze, për sigurinë në SHBA apo asaj globale, programit bërthamor të Iranit, apo rritjes së çmimeve”,- thotë gazetari i lajmeve të “forta”.

Por gjithsesi gazetaria amerikane për Ensor nuk e ka humbur kryesimin e ranglistës botërore të të bërit pushtet të katërt. “Gazetaria amerikane për mua është një model i të bërit gazetari, për të paraqitur raportime të balancuara. Nëse ju ndiqni një histori në CNN, apo lexoni “New York Times”, ju merrni fakte dhe mund të bëni gjykimin tuaj. Kjo nuk do të thotë se është 100 për qind objektive, sepse seicili ka pikëvështrimin e tij, por ana e mirë e gazetarisë amerikane është ajo që i lë lexuesit apo shikuesit të bëjnë gjykimin e tyre”.

David Ensor vjen për herë të tretë në Shqipëri brenda pak javësh, dhe nuk di shumë gjëra për Shqipërinë, përveç atyre që kishte studiuar në Universitetin Berkli të Kalifornisë, kur u laureua për histori europiane. Po gazetaria shqiptare? Ensor ishte pak ditë më parë në një konferencë shtypi dhe komenton: “Gazetaria shqiptare? Do të thoja se është e gjallë. E pashë nga moria e televizioneve, e shoh nga gazetat e shumta”. Dhe si për ta vërtetuar këtë në kioskën e aeroportit blen të gjitha gazetat e ditës, ku mes lajmeve të shumta politike është edhe lajmi për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës ARMO, me të cilën do të lidhet këtej e tutje emri i David Ensor. “Mercuria” është pjesë e konsorciumit amerikano-zvicerian që bleu 85 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës. “Pas 27 vitesh në gazetari vendosa të dorëhiqem dhe të futem në biznesin e energjisë. Sepse pëveçse të shkruaj për gjërat, unë dua t’i bëj ato. Pastaj më pëlqen të ndryshoj, sepse ndryshimi të bën mirë. Kompania që unë përfaqësoj tani do të investojë në Shqipëri. Ne besojmë te Shqipëria”-thotë me ngut Ensor para se tëkalojë te kontrolli i bagazheve, mes të cilave ka dhe shumë gjëra nga Shqipëria.

 

Xhorxh Tenet? Një mesdhetar nuk është tipik për CIA-n

Xhorxh Tenet? David Ensor thotë se ka patur mundësinë ta takojë shpeshherë figurën më të njohur të shërbimit inteligjent amerikan që punoi për presidentët Klinton dhe Bush. “E njoh shumë mirë, z.Tenet sepse kam takuar shumë herë”-rrëfen Ensor.

Drejtori i CIA-s, me origjinë nga Himara dha dorëheqjen më 3 qershor 2004 , pas kritikave të shumta për çështjen e informacioneve të zbulimit që i paraprinë ndërhyrjes amerikane në Irak dhe dështimin për të parandaluar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti e cilësonte z. Tenet “një udhëheqës të fuqishëm dhe të aftë” dhe se i vinte keq të shikonte largimin e tij nga detyra. Numri një i shërbimit sekret amerikan, në lamtumirën emocionale, këtu e katër vite më parë, pëpara punonjësve të CIA-s, tha se vendimi i tij për të dhënë dorëheqje ishte i bazuar thjeshtë në mirëqënien e familjes së tij.

David Ensor edhe sot nuk e shikon gabimin e CIA-s vetëm te qëndrimi i Tenet.

Tenet, sipas tij kishte një minus të madh: “Ai është një burrë shumë i këndëshëm. Por nuk është udhëheqësi tipik i shërbimit sekret amerikan. Sepse është shumë mesdhetar, i butë”.

 

Kritikat

“Terrorizmi, Europa të bëjë të paktën sa Shqipëria”

Ju ishit korrespondet i CNN për sigurinë kombëtare. Sa e sigurt është Amerika tani?

SHBA-të janë ende shteti më i fuqishëm në botë. Por, pas sulmeve të 11 shtatorit,mënyra se si ne e përkuzojnë sigurinë tani ka ndryshuar. Nëse ne kemi betejë idesh mes linjës së ashpër të përfaqësuar nga Al Kaeda, unë mendoj se ne kemi fituar.

Presidenca e re amerikane duhet të bashkëpunojë me aletët më shumë. Unë si amerikan mendoj se qeveria amerikane duhet të shikojë përtej interesave amerikane. Unë jam proamerikan. Por kam lidhje të shumta me Europën. Im atë është lindur në Britani. Unë flas frëngjisht, italisht, polonisht, rusisht. Qeveria amerikan duhet të dëgjojë aleatët e saj, të punojë me ta. Sepse bashkëpunimi nuk ka qenë i mirë. Le të marrim Afganistanin. Vendet e NATO-s duhet të çojnë më shumë trupa atje. Vendet europiane janë të lumtura të mbrohen nga SHBA-të, por nuk duan të çojnë trupa atje. Unë jam i lumtur që p.sh. Shqipëria ka dërguar trupa atje dhe është një aleat i ngushtë i SHBA-ve.

Cili është opinioni juaj për administratën e Bushit?

Nëse flitet për administratën e Bushit, patjetër që ke një ide mikse. P.sh. lufta. Administrata kishte planin për të pushtuar Bagdatin, por nuk kishte plan për ta mbajtur Bagdadin.

Armët biologjike të shkatërrimit në masë, ku ishin?

Sadam Husein kishte bërë botën të besonte se ai i kishte armët, dhe kështu besuan edhe shërbimet sekretë të SHBA-ve, Francës, apo Rusisë. Sadam ishte një njeri misterioz.

Ishte një diktator i madh?

-Për çfarë?

Një diktator siç kanë patur shqiptarët Enver Hoxhën, që mbajti të bashkuar vendin, sunitët dhe shiitët...

-Ai vriste këdo që ishte kundër dhe ne jemi shumë të lumtur që ai nuk është më.

Besoni te lidhja e Al Kaedas me rregjimin e Sadamit?

-Në të vërtetë jo. Ishin disa informacione të CIA-s

Kotoja e luftës në Irak është shumë e lartë apo jo?

-Po, vërtet shumë e lartë, shumë gjak dhe shumë fonde. “Blood and money”. Siç e patë tema e luftës ishte shumë e ndjeshme gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Z.Obama është shprehur se do të përpiqet t’i kthejë trupat në shtëpi brenda dy viteve të ardhshëm, zoti Mekein thotë se do të shkurtojë trupat. Është një çmim i lartë që po e paguan vendi. Por unë mendoj se është e nevojshme ta ndihmojmë Irakun që të ndërtojë demokracinë.

 

Si i njoha bashkëpuntorët e ngushtë të presidentit Bush

Ju keni patur mundësinë që të shoqëronit gjatë punës tuaj lidershipin e qeverisë amerikane. Komenti juaj për të. Kondoleza Rajs?

Ajo është një grua e jashtëzakonshme dhe shumë e fortë. Ajo që dua të them është se mund të ishte sekretarja e shtetit më e mirë që ka patur Shtëpia e Bardhë, sepse ajo është një grua shumë e zgjuar, e jashtëzakonshme, dhe një zyrtare e devotshme.

Kolin Pauell?

Një njeri i jashtëzakonshëm. Edhe ai shumë i devotshëm për vendin e tij. Tragjedia për të ishte ai fjalim në Kombet e bashkuara...

Pse e quani tragjedi?

Sepse ai tha se ne kemi të dhëna për armët e shkatërrimit në masë.

Por nuk ishte ideja e tij, apo jo?

Ndoshta, por ai vuri emrin dhe prestigjin e tij pas saj. Mua ende më vjen keq për të sepse ishte një amerikan i madh dhe ashtu vijon të mbetet.

Zoti Donald Rumsfled?

Edhe ai ka meritat e veta të pamohueshme, por atij nuk iu realizua plani për të mbajtur Bagdadin. Idea për të pushtuar Bagdadin, dhe për ta vënë nën kontroll dhe pastaj njerëzit të plaçkitnin muzeumet...unë do ta quaja çmenduri. Ushtarët amerikanë duhej të vendonin ndalimqarkullimin dhe të thonin se kushdo të plaçkitë muzeumet kombëtare do të qëllohet, duke iu dhënë përgjigje atyre që donin të thyenin ligjin.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML