Rrëfim mbi dashurinë për kafshët që mbani në shtëpi dhe për pasionin mbi makinat.
Si ndiheni pranë një bashkëshorti gjinekolog, i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës duke u marrë me problemet e grave të botës. Si e kalon ai kohen e lirë me ju dhe 2 fëmijët?
Ndihem e respektuar, dinjitoze dhe e pushtetshme. Megjithëse ai pjesën më të madhe të kohës e kalon vërtet me "gratë e botës", rëndësi ka që atë pjesë që i mbetet me mua e ka esencë... qetë dhe me humor. Por, nuk mund ta fsheh faktin qe kur ka ndonjë rast që nuk i shkon siç duhet, shqetësimin e tij ma transmeton edhe mua.
Ndërsa përsa i përket fëmijëve, ata tashmë i kemi të moshës 21 e 18 vjeç, kështu që nuk bëhet më fjalë për të kaluar kohë të lirë me "fëmijët". Ka filluar një periudhë të cilën e shikojmë me nostalgji, kohën kur të katërt shkonim me pushime,... tani mjafton duke e shikuar atë periudhë në fotografi me shpresë se do të mblidhemi përsëri kur të bëhemi gjyshër dhe kur atyre ndoshta do t'u duhet përsëri një "dorë"...
Kur ju ka lindur pasioni për kafshët? Sa të tilla keni në shtëpi?
Vështirë të them me saktësi se kur më ka lindur pasioni për kafshët, nuk mbaj mend ndonjëherë të mos i kem dashur ato. Që ky pasion më erdhi vetvetiu, apo i ndikuar nga kushtet në të cilat kam kaluar fëmijërinë time këtë nuk mund ta them... Së bashku me familjen time kam udhëtuar shumë duke shkuar nga kantieri në kantier për të qenë gjithmonë pranë babait tim, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi ndërtimit të hidrocentraleve. Mes një jete plot sakrifica e vështirësi, së bashku me dashurinë për njerëzit e punës, lindën dhe u rritën bashkë me mua edhe pasionet e mia fëminore si për kafshët, ashtu edhe për automjetet e rënda.
Përpara një pamje të mrekullueshme të alpeve tona, atje ku ekzaktësisht bashkohej Drini me Valbonën, në majë të një kodre, ku shihej gjithë hidrocentrali, ndodhej shtëpia jonë. Krahas kujtimeve të mia të një fëmijërie aq të gjallë e të bukur mes njerëzve të sakrificës e të punës, nuk mund të harroj kurrë edhe shoqërinë e qenve që mbanim në shtëpi, “falë” rrethanave në të cilat banonim dhe pasionit për gjueti të babait. Unë, në mënyrë të veçantë i doja dhe kujdesesha shumë për ta, ndërsa ata ma “shpërblenin” duke më shoqëruar për dite në shkollë edhe në ditët e dimrit të egër me borë...
A është e vështirë të bashkëjetoni me to dhe njëherazi të kujdeseni për familjen dhe punën?
Vështirësia varet nga “dimensionet” e qenit dhe numri i tyre. Nuk e kam pasur njëlloj të lehtë si të mbaja një qen shumë të madh, Rodvailer apo një të vogël në shtëpi. Gjithashtu kulmi arriti, kur njëherë numri i qenve kapi shifrën 11, meqenëse kishim një çift që “shkonin “ shumë mirë me njëri-tjetrin, duke na “dhuruar” njëherë katër e më pas pesë këlyshë... Sa herë shkonim me bashkëshortin për të marrë ndonjë nga këlyshët për miqtë që na i kërkonin, vetëm duke parë sytëe nënës së tyre të pikëlluar kur kapnim qenushine vogël e lëshonim prapë... dukee kthyer mikun duar bosh... Situata erdhi duke u vështirësuar në këtë kohë se më duhej të gatuaja si në sbor, për një skuadër, se shyqyr zotit dhe me oreks nuk ishin keq. Më pas i shpërndamë ato në “familje të mira”... Megjithatë kur i do, ndjen më shumë kënaqësinë sesa vështirësinë. Duhet pak punë në fillim sa t’i mësosh të sillen dhe më pas bashkëjetesa me to duket e këndshme dhe argëtuese. Si për çdo gjë mundi i fillimit të mirë të shpërblehet...
Për sa i përket kujdesit për familjen, ai buron jo vetëm nga përgjegjësia, por edhe nga dashuria që ke për të. Po e njëjta gjë ndodh edhe me kafshën që merr në shtëpi, prania e së cilës, për mendimin tim i lezeton shumë marrëdhëniet brenda familjes. Pastaj, s’ka dashuri pa lodhje e vështirësi… Edhe tani më vjen për të qeshur kur ndonjëherë të ikën goja dhe i thërret qenit hajde te mami... Ndonjëherë mendoj sa mirë do të ishte sikur të gjithë të të “kuptonin” si qeni i shtëpisë.
A gjeni gjithnjë mirëkuptimin e bashkëshortit tuaj për të marrë në shtëpi një kafshë të re etj.
Bashkëshorti im gjithmonë është kaq i zënë e kaq i angazhuar me punë, saqë i mbetet fare pak kohë për t’u marrë me të gjithë ne. Dita e nata 24 orë është gjithsej, kështu që o me ne, o me pacientet... Por kam vënë re që sado i lodhur që të jetë kënaqet shumë, ndërsa përkëdhel qenin dhe qeni nga ana tjetër hidhet përpjete nga gëzimi kur ai hyn në shtëpi. Kështu që me sa duket ai i do dhe vetë shumë, prandaj dhe nuk “ndjehet”, kur i gjen pa “aprovimin e tij”, paraprak midis nesh.... Zakonisht, gjërat e reja që ne marrim në shtëpi i vendosim gjithmonë bashkë, ndërsa qentë ai ka pasur “fatin” që, në përgjithësi, t’i gjejë “gati” në shtëpi...Megjithatë them se e kam tepruar pak me këta qentë e rinj dhe për ca kohë nuk do të marr tjetër…
Argumenti i dyte është pasioni për makinat, me pyetje të ngjashme. Çfarë ju pëlqen më shumë tek një makinë, liria dhe komforti që ju dhuron apo emocionet që të krijon shpejtësia?
Siç e thashë edhe në fillim të bisedës sonë, vetë fëmijëria ime ka qenë gjithmonë në lëvizje. Si vajzë e rritur kantiereve të hidrocentraleve kam udhëtuar shumë... Linda në hidrocentralin e Bistricës dhe u rrita në hidrocentralet e tjera të mëdha, Vau i Dejës e Fierzë, atje ku bashkë me mua lindën dhe u rritën edhe pasionet e mia. Me shumë nostalgji kujtoj jetën sa të vështirë e plot tensione, po aq edhe interesante, të bukur e të pasur që unë kam kaluar me familjen time në kantieret e ndërtimit, ku nuk pushonte kurrë zhurma e shpërthimeve apo edhe e makinerive të rënda për ndërtimin e digave gjigante, ku një vend fillimisht i shkretë shndërrohej në sajë të një pune heroike në një vepër madhështore...
Para atyre makinave mjaft të bukura, gjigante e mahnitëse (perlin, çentaur etj), natyrisht që çdo njeri do të impresionohej e jome unë, një fëmijë që nuk arrija as lartësinë e rrotës… Ndoshta kjo është edhe arsyeja që mua edhe sot e kësaj dite më tërheqin më tepër makinat e mëdha e të rënda.
Krahas pasionit që kam për t’i dhënë makinës ndjej edhe komfortin e sidomos sigurinë që të krijon makina e madhe, veçanërisht në trafikun tonë të rënduar dhe pse jo ndonjëherë stresant. Me makinë të madhe e komode më duket sikur edhe “respektohesh” më shumë në qarkullim... Natyrisht shpejtësia është një kënaqësi më vete, nuk kam si e mohoj.
Cili është tipi i makinës që ju pëlqen më shumë dhe pse etj.
Gjithmonë absolutisht më ka pëlqyer BMV-ja. Këtë vërtet nuk e shpjegoj dot përse... sidomos ky tipi i fundit i xhipit... E dalloj që larg dhe vështirë se e ngatërroj. Më tërheq gjithmonë njësoj dhe pa masë, e mbase ndonjë ditë do ta kem… Me pëlqen se i ka të gjitha tiparet që më tërheqin mua tek një makinë. Shumë e bukur, e madhe, e rëndë, e rehatshme, por sa luksoze aq edhe sportive. Natyrisht, kështu më duket mua.
A keni problem gjatë qarkullimit me makinë në rrugët tona, me trafik të rënduar?
Kam kuptuar sekretin e qarkullimit në rrugët tona: duhet të kuptosh se çfarë ka në kokë ai që drejton makinën para teje... Shoferi i mirë nuk është ai që di të drejtojë makinën, por ai që edhe di të shmangë aksidentet.
Derisa isha thjesht pasagjere isha më e qetë në makinë, por që nga koha kur fillova t’i jap edhe vetë e më qëllon të jem “pasagjere” e bashkëshortit tim tentoj duke reaguar për t’i dhënë mend në ndonjë kryqëzim të ngatërruar. Atij duke mos i pëlqyer më kthehet: S’ke faj ti, kam faj unë që të bëra me makinë...
A ju ka qëlluar ndonjë herë që bashkëshorti juaj të jetë pasagjeri juaj?
Zakonisht kur shkoj për ta marrë me makinën time, për të shkuar diku, sa i afrohem trotuarit ku ai po pret zbres nga makina duke i liruar vendin e shoferit, duke i kursyer vetes vërejtjet e rastit... Kur qëllon që ai ulet në vendin e pasagjerit, pasi bën disa vërejtje e shikon më me vend të vejë rripin e sigurimit e të hapë gazetën para xhamit duke lexuar me pamjen “bëj çfarë të duash vetëm mos na përplas”...
PYETSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Të shoh fëmijët e mi të lumtur
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Të prek timonin e makinës
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Me dialogun mes bashkëshortit tim dhe një pacienteje të “pa pame”
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Mirëkuptimi
Defekti juaj kryesor?
Tolerancae tepërt
Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Ndaj atyre që bëhen pa dashje
Hera e fundit që u përlotët?
Humbja e babait
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
As që më ka shkuar ndonjëherë në mend për këtë...
Udhëtimi juaj i preferuar?
Në SHBA
Shkrimtari yt më i dashur?
Xhek London
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Sinqeritetin
Tek një grua?
Zgjuarsinë
Kompozitori juaj i preferuar?
Johan Shtraus
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
S’para fërshëllej në dush
Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Historia e dashurisë (Erik Segal)
Filmi që ju la mbresë të thellë?
Shkoj me erën
(autorja-Margaret Mitchell)
Piktori juaj i dashur?
Gustav Klimt
Ngjyra juaj e preferuar?
Bluja
Kë konsideroni si suksesin tuaj më tëmadh?
Dy fëmijët e mi të mrekullueshëm
Pija juaj e preferuar?
Vera e kuqe
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Kur lëndoj padashur njerëzit që dua më shumë
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Mosmirënjohjen
Frika juaj më e madhe?
Insektet e shëmtuara
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur s’kam rrugë të dytë
Cila është motoja juaj?
Mos të më cenohet lumturia
Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa e kuptuar
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
Të na shikojë me sy të mirë
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Në formë
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?”
As që me ka shkuar ndonjëherë në mend për këtë...