Vija e Fatit
Vija e Saturnit, që njihet dhe si vija e fatit, gjendet vetëm në 40% të duarve dhe shpesh është e përbërë nga dy ose më shumë vija vertikale. Ajo shtrihet nga kyçi i dorës drejt gishtit të mesit dhe shpesh ndërpret vijat e kokës dhe të zemrës. Ajo tregon çfarë mendoni për anën materiale dhe mundësitë ekonomike që keni. Kur kjo vijë është e qartë dhe e drejtë, tregon se jeni të kënaqur me situatën në të cilën ndodheni, nëse është e shkëputur ose me vija të zbehta, tregon se nuk jeni aspak të kënaqur me gjendjen tuaj, dëshironi të keni më shumë para dhe vlera.
Kur kjo vijë merr kthesë për nga gishti i madh, tregon se ju duhet patjetër ndihma e të tjerëve që të keni sukses. Keni mjaft dëshirë të ndiheni i dobishëm për ta. Nëse vija e fatit është e dyfishtë, do të thotë se mund t´ju ecin ortakëritë dhe jeni të mirë për të organizuar të tjerët. Gjithsesi, keni prirje të jeni më i kujdesshëm dhe dyshues nga ç´ duhet, gjë që shpesh bën të humbisni raste shumë të mira përftimi.
Nëse vija e Saturnit fillon brenda vijës së jetës, në shumë nga provat apo vështirësitë tuaja financiare përfshihen shtëpia dhe familja juaj. Familja ju bën të ndiheni të sigurt dhe të qëndrueshëm. Jeni tradicional dhe u qëndroni besnik ideve konservatore. Vazhdimisht ndiqni shembullin e të parëve tuaj. Me këto veçori tuajat ka të ngjarë të merrni trashëgimi nga të afërmit tuaj.
Një vijë fati që përfundon te vija e kokës, paralajmëron fatkeqësi ose humbje parash në moshën e mesme, kjo si pasojë e gjykimit tuaj të keq. Ju e keni të vështirë t´i ndani çështjet e zemrës nga ato të logjikës. Madje e keni të vështirë të shihni edhe përtej nevojave dhe dëshirave tuaja. Kur vija e fatit ndalon tek vija e zemrës, do të thotë se pengesat në biznes do të vijnë si pasojë e një zgjedhjeje jo të duhur të partnerëve ose të të dashurve tuaj. Vazhdimisht kërkoni të dini se çfarë mendon për ju i dashuri ose kolegët tuaj. Suksesi në publik ose njohja e vlerave tuaja, do të vijnë nëse vija e fatit kthehet drejt gishtit tregues.
Vija e Venusit
Vijat që shkojnë drejt gishtit të unazës quhen vijat e Venusit. Nëse vija e Venusit është e gjatë dhe e drejtë, është rasti më i mirë, pasi tregon për një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën tuaj. Ju jeni shumë joshës dhe ndonjëherë edhe lajkatar, kur ua kërkon nevoja, sidomos në rastet kur keni dëshirë të jeni i tillë. Jeni tip i shoqërueshëm dhe shumë i komunikueshëm. Flisni lirshëm me të gjithë ata që janë gati t’ju dëgjojnë. Çdo bisedë për ju është një mundësi për të mësuar gjëra të reja. Nëse keni një ose më shumë vija të thella Venusi që arrijnë deri në mes të pjesës së sipërme të dorës, tregon se do të jeni të lumtur, që keni imagjinatë dhe e vlerësoni shumë artin. Jeni largpamës. Ju pëlqen të ndiqni ecurinë e një pune deri në përfundimin e saj. Vitet e moshës së mesme dhe ato të mëparshme do t’ju sjellin sukses e lumturi.
Kur vija e Venusit fillon në pjesën e poshtme të dorës ose brenda vijës së jetës dhe përfundon poshtë gishtit të unazës, tregon se do të keni ndihmë nga familja juaj. Jeni të vëmendshëm, të dashur dhe nuk i tradhtoni asnjëherë ata që ju duan. Gjithsesi, bëheni shpejt viktimë e rutinës dhe sakrifikoni veten tuaj për të tjerët. Nuk i përkisni atij grupi njerëzish që bëjnë ndryshime rrënjësore, apo marrin iniciativa të guximshme. Nëse keni shumë vija Venusi, tregon se mund të merreni me shumë çështje financiare njëkohësisht. Të jeni të bindur se do t’ia dilni me sukses me forcat tuaja.
Vija e Mërkurit
Vija e Merkurit, që quhet ndryshe dhe Hepatika, përfundon poshtë gishtit të vogël dhe tregon sa qartë i shprehni mendimet tuaja tek të tjerët. Ashtu si vija e fatit, e Saturnit apo rrethi i Venusit, kjo vijë nuk gjendet në të gjitha duart. Nëse ju e keni këtë vijë në një mori vijash të ndërprera ose të valëzuara, tregon se jeni gjaknxehtë, i padurueshëm. Mund të keni probleme me tretjen. Gjithashtu, mund të keni probleme për të qëndruar gjatë në një punë, ose për të patur një lidhje të qëndrueshme. Merrni përsipër të kryeni disa gjëra njëkohësisht. Interesat tuaja janë të shumta e të ndryshme. Gjithçka jua tërheq vëmendjen vetëm për pak kohë. Shpesh bëni premtime që nuk mund t’i mbani.
Nëse keni një sërë vijash që shkojnë deri te gishti i vogël, tregon se keni shumë dëshirë për të mësuar dhe për t’u përmirësuar. Ndonëse keni një vlerësim të lartë për veten, keni nevojë që të tjerët t’ju dëgjojnë. Kjo kërkesë për vëmendje, mund t’ju krijojë vështirësi me lidhjet e ngushta që keni. Motoja juaj është: “Sa më shumë, aq më mirë!”. Nëse vija juaj e Mërkurit është e qartë dhe e drejtë dhe fillon te kyçi i dorës e përfundon poshtë gishtit të vogël, tregon se ju dini si t’ia bëni qejfin vetes. Dhe kurrë nuk e merrni jetën seriozisht. Jeni optimist dhe bëni zgjedhjet e duhura në jetë. Nuk bini lehtë në pesimizëm, depresion, madje nuk lejoni që shqetësimet të mbizotërojnë jetën tuaj.
Vijat e Dashurisë
Për shekuj me radhë, është shfaqur mjaft interes për ato që quhen vijat e martesës. Lexuesit e dorës të shekullit XI nuk kanë njohuri për këtë vijë. Këta mendojnë se lidhjet “e ligjshme” dhe numri i fëmijëve nuk mund të parashikohen në dorën e njerëzve. Martesa jo gjithnjë është shenjë e dashurisë dhe e emocioneve të thella shpirtërore. Kështu, le t’i quajmë këto vija nën lëkurë, vijat e dashurisë.
Këto shenja të vogla horizontale të vendosura brenda zonës së dorës, ndodhen midis bazës së gishtit të vogël dhe sipër pjesës së vijës së zemrës. Kryesisht janë në drejtim të drejtë me vijën e zemrës.
Kur në këtë pjesë të dorës gjenden të gdhendura, një ose më shumë vija të thella, ju jeni të aftë të falni dashuri të sinqertë dhe miqësi të përjetshme. Ju karakterizoheni nga një dëshirë për qëndrueshmëri dhe siguri në lidhjet tuaja. Për ju, në dashuri, ka rëndësi cilësia dhe jo sasia. Një vijë e thellë dashurie e mbështetur mirë nga vija e zemrës dhe e kokës, tregon se ju kërkoni qëndrueshmëri dhe barazi në lidhjet tuaja. Jeni bujar dhe të dashur me të afërmit tuaj, dini si ta kënaqni partnerin tuaj.
Kur këto vija janë të zbehta, të ndërthurura ose të thyera, ju jeni i pasigurt dhe i kujdesshëm në lidhjet e dashurisë, madje edhe pak kritik ndaj të metave tuaja. Jeni i pasigurt në lidhjet tuaja, kështu keni prirje të jeni shumë idealist ose disi dembel- nuk e kryeni si duhet “pjesën tuaj”. E keni të vështirë të ndiqni atë që doni ose të ngrini zërin për të drejtat tuaja. Një vijë dashurie është e duhur kur është e drejtë dhe kalon drejt zonës poshtë gishtit të unazës, pa asnjë thyerje ose vija të ndërprera.
Kur kjo vijë është në formë zinxhiri dhe ka shumë vija të tjera të pjerrëta, tregon shqetësim, varësi ose probleme emocionale në lidhjet tuaja. Nëse ka dy vija paralele, tregon pabesi në dashuri. Kur nuk ka vija të dukshme do të thotë se ju mund të martoheni sa për sy të botës, ose për interes, por asnjëherë për dashuri.
Edhe mund të thuhet se që t’ju trokasë në derë lumturia, apo që ta ndieni që në moshë të re mrekullinë e dashurisë, duhet që vija e dashurisë të jetë pranë vijës së zemrës. Kur ajo është pranë gishtit të vogël, tregon se do dashuroheni në moshë të vonë.