Premte, 21 Nentor 2008 18:44:09

Lexoni versionin Print

Shqiptarja e sekreteve të Vatikanit

Etleva Lala sapo ka mbaruar doktoraturën (PhD) për Studime të Mesjetës në Universitetin Amerikan të Budapestit. Tema e doktoratës “Regnum Albaniae” dhe Kuria Papnore” është një temë e vlerësuar në kontekstin mesdhetar nga profesorati i CEU-së,

Nga Ilir Kalemaj
Diel, 12 Tetor 2008 10:34:00

Tre profile studiuesish shqiptarë nga Shqipëria e Kosova që punojnë në institucionet shkencore ndërkombëtare. Vlerësimet rreth situatës politike, ikjes së trurit dhe sfidave të studiuesve shqiptarë

Dr.Etleva, shqiptarja e sekreteve të Vatikanit që u sponsorizua nga Rugova

Etleva Lala sapo ka mbaruar doktoraturën (PhD) për Studime të Mesjetës në Universitetin Amerikan të Budapestit. Tema e doktoratës “Regnum Albaniae” dhe Kuria Papnore” është një temë e vlerësuar në kontekstin mesdhetar nga profesorati i CEU-së, por edhe nga specialistë të studimeve mesjetare me famë botërore për fushën si David Abulafia, Gerhard Jaritz etj.

Në temën e saj, Etleva fokusohet në dokumentet e pabotuara që gjenden në disa arkiva të ndryshme evropiane. Dominojnë dokumentet nga Arkivi Sekret i Vatikanit. Korrespondenca e Mbretërisë së Arbrit me Papatin konsiderohet në këtë temë si një ndër faktorët kryesorë që ndikuan në konsolidimin e fisnikërisë vendase dhe në përqafimin dhe përhapjen e katolicizmit gjerësisht në trojet shqiptare në shekullin XIV.

Gjatë periudhës së gjatë të hulumtimeve arkivore në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, Etleva bëri kërkime shkencore jo vetëm në lidhje me marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Arbërisë dhe Papatit, por edhe punoi për projekte të tjera, ndër të cilat ishte ai për vazhdimin e projektit të Shuflajt Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis, me shtrirje kohore nga vitet 1404-1455.

“Projekti për mbledhjen, editimin dhe botimin e dokumenteve arkivore nga Archivio Segreto Vaticano (ASV) për shekullit XIV u mbështet dhe financua nga ish-presidenti i Kosovës, Rugova,” – na pohon Etleva për SH2.

Ky vëllim përfshin 651 dokumente të pabotuara nga Arkivi Sekret i Vatikanit. Është interesant se Etleva bën kërkime shkencore në fondin sekret edhe sot e kësaj dite. (fondi në fjalë, edhe zyrtarisht ka termin “sekret”, pasi është i padisponueshëm për studiues dhe të tjerë). Këtë të drejtë e ka Etleva së bashku me tre kolege të tjera (një kroate dhe një çeke dhe një hungareze). Ajo është përgjegjëse për dokumentacionin mbi Evropën qendrore, lindore dhe juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Etleva ka marrë pjesë në një numër konferencash ndërkombëtare ku ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë, duke sjellë në vëmendjen e studiuesve ndërkombëtarë mesjetën shqiptare me standardet e saj evropiane. Një arsenal i tërë burimesh të mbledhura gjatë viteve të hulumtimeve arkivore gjendet akoma për t’u studiuar dhe analizuar në duart e Etlevës.

Pjesë nga këto hulumtime shkencore i ka botuar në libra, revista dhe periodikë të ndryshëm, si në formë rreptësisht shkencore ashtu edhe në formën e shkrimeve shkencore popullarizuese (pa citime dhe referenca).

Në bashkëbisedimin e SH2 me Etlevën, dallojmë se ndër temat më të preferuara është ajo e rishkrimit të historisë, rolit aktual të historiografisë në kulturën shqiptare, dhe kujdesit të pamjaftueshëm që është treguar në lidhje me fushën e albanologjisë për hulumtimin dhe botimin e dokumenteve dhe dorëshkrimeve të pabotuara që ruhen në biblioteka dhe arkiva të ndryshme të Evropës.

Përsa i takon rishkrimit apo rishikimit të historisë, e cila është një ndër temat më aktuale si në shtyp ashtu edhe në debatin publik, Etleva na tregon që “nxjerrja në dritë e dokumenteve të pabotuara do ridimensiononte kuptimin dhe interpretimin që kemi sot për historinë e shkruar”.

Në lidhje me këtë Etleva shton se “nuk do të shkruhet vetëm historia e luftërave dhe ngjarjeve heroike, pra një histori alla-folklorike, por një histori që do të përfshijë edhe kulturën dhe zhvillimet socio-ekonomike dhe sesi këto kanë formësuar dinamikat politike dhe diplomatike në hapësirën shqiptare”.

“Kjo formë e re historiografie do ofrojë edhe një aparat kritik e vlerësues, në mënyrë që lexuesi, qoftë ai i thjeshtë, qoftë ai akademik, të mund ta vlerësojë faktin historik pa e mitizuar atë në mënyrë partizane, - thotë Etleva.

Fondi i Ekselencës, (Etleva ka qenë një prej fituesve të vitit 2007), dhe projekti Brain Gain janë nisma që duhen mbështetur dhe zhvilluar akoma më tej dhe u duhet bërë publiciteti i nevojshëm. Ka nevojë për transparencë në mënyrë që studiuesit të njihen me to dhe të kenë mundësi të përfitojnë prej tyre. Ekziston një fond gjigant prej 57 miliardë eurosh të vëna në dispozicion për shkencën dhe kërkimin shkencor nga BE.

 

Dr.Lulzim Dragidella: Kthimi i trurit në Shqipëri e Kosovë, pengohet

Lulzim Dragidella është nga Klina e Kosovës. Ai u largua prej vendit të tij në drejtim të Gjermanisë pas situatës së rëndë të shpërthimit të luftës në ish-territoret e Jugosllavisë. Në Gjermani fillon studimet e pedagogjisë sociale në Universitetin e Shkencave Kooperative te Heidenheimit dhe të Open University of London të cilat i mbaron në vitin 2002 me diplomë të dyfishtë.

Në vitin 2004 regjistron doktoraturën në lëmin e sociologjisë në Universitetin e Komenskit në Bratislavë ku dhe mbaron në vitin 2006 me gradën Doktor i Filozofisë. Momentalisht është duke përfunduar doktoratën e dytë në lëmin e shkencave politike në universitetin elitë të Gjermanisë “Freie Univeristaet Berlin ».

Mbi një vit tashmë punon si pedagog në Universitetin e Shkencave Aplikative në Regensburg, dhe tani është pedagog në Universitetin e Shkencave Aplikative në Nurenberg dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës.

Në bisedën me SH2, Lulzimi ngre si problem madhor të shteteve në zhvillim si Shqipëria dhe Kosova ikjen e trurit. “Ne kemi sot shumë të rinj që ikin nga vendi ynë në kërkim të një dije më të mirë,”- shprehet Lulzimi. Natyrisht kërkesa për një dije më të mirë është pozitive, por kjo në rastin tone do të thotë se ata të rinj shumë vështirë të kthehen në vendin tonë.

Vendi ynë - vazhdon ai dhe këtu nënkupton si Kosovën dhe Shqipërinë, - duhet patjetër të bëjë hapa konkret në kthimin e njerëzve të shkolluar në vendet e ndryshme perëndimore.

Për një intelektual të dorës së parë, si Lulzimi, “politikanët në të dyja anët e kufirit, duhet të largohen nga deklaratat pompoze dhe sipërfaqësore. Ka shumë raste konkrete ku “kthimi i trurit” jo vetëm nuk është përkrahur ashtu siç politikisht deklarohet, por është penguar duke filluar nga procedurat e nostrifikimit të diplomave të Universiteteve perëndimore deri te punësimi konkret.

Dr.Dragidella mendon se është gabim që shumë akademikë që vazhdojnë të jenë profesorë pranë katedrave të ndryshme, njëkohësisht janë edhe politikanë aktivë: deputetë, ministra. “Kjo sjell pështjellim në rastin më të mirë dhe ulje cilësie pasi të ngarkuar me funksione administrative, ata fillojnë e shkëputen nga jeta akademike. Kjo sjell varfëri të kërkimit shkencor, mospërkushtimin e duhur ndaj edukimit të brezit të ri, dhe shkakton handikapë të tjerë në drejtim të qeverisjes së vendit nga zyrtarë të ‘hallakatur’, nënvizon ai.

Lulzimi e sheh zgjidhjen në këtë drejtim në një ndarje më funksionale të pozicioneve të ndryshme në shkencë, qeverisje dhe fusha të tjera të jetës dhe veprimtarisë së përditshme. Gjithashtu kjo vlen edhe për ndarjen e pushteteve, ku një sistem ‘checks and balances’ sipas modelit amerikan është i nevojshëm për një funksionim më të mirë dhe të pavarur të gjyqësorit, duke ushtruar njëkohësisht trysninë e nevojshme ndaj legjislativit dhe ekzekutivit dhe e kundërta. E njëjta gjë vlen edhe për shoqërinë civile dhe median të cilat duhet të arrijnë të transmetojnë zërin e qytetarit në arenën e politikëbërjes.

 

Prof.Arben Merkoçi: Shkenca, shpesh, nuk varet nga fondet e mëdha

Arben Merkoçi është Profesor Kërkimor dhe drejtor i Laboratorit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoteknologjisë në Barcelonë (Spanjë) dhe profesor në Universitetin Autonom të Barcelonës, dy nga institucionet më të fuqishme shkencore dhe mësimore në Spanjë.

Ai ka kryer studimet e larta ne degën e Kimisë Industriale dhe doktoratën në Universitetin e Tiranës në 1991 dhe më pas studimet postdoktorale në një seri universitetesh dhe laboratorësh në Greqi, Hungari, Itali, Spanjë dhe USA.

Është Editor i Enciklopedisë së Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë (Ëiley). Bën pjesë në borde drejtuese, drejtim projektesh dhe komisione drejtuese të kongresevendërkombëtare në fushën e tij duke përfshirë dhe një aktivitet të veçantë në vlerësimin e projekteve shkencore të Komunitetit Europian, USA, Kanadasë dhe Australisë. Kohët e fundit Prof. Arben Merkoçi është zgjedhur Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ekipi që ai drejton, prej më se 10 kërkuesish shkencorë nga vende të ndryshme të botës, punon në një seri temash të lidhura me nanoshkencën dhe nanoteknologjinë dhe aplikimin e tyre në ndërtimin e sensorëve dhe biosensorëve të gjeneratës së fundit. Së pari, sensorët dhe biosensorët që ky ekip po punon kanë një interes të veçantë në fushën e mjekësisë.

Ekipi që drejton Prof. Merkoçi ka zbuluar dhe vazhdon me sukses kërkimin në krijimin e modeleve të reja të biosensorëve për zbulimin e shpejtë dhe me ndjeshmëri të lartë të proteinave, ADN apo dhe qelizave (p.sh. atyre kanceroze) në lëngjet fiziologjike dhe gjak. Së dyti, sensorët që po përgatit ky ekip kanë një interes të veçantë për monitorimin e shpejtë të ndotësve të mjedisit. Disa prej këtyre arritjeve janë në periudhën e patentimit apo aplikimit të tyre në bashkëpunim me qendra të tjera kërkimore ndërkombëtare.

Për profesor Arbenin, “shkenca shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm”. Një demonstrim i shkëlqyer i saj ishte dhe takimi i fundit i organizuar nga Instituti Albshkenca. Shqiptarët tashmë i kanë të gjitha mundësitë t`i dedikohen shkencës më tepër se kurrë ndonjëherë. “Disa prej nesh-- na tregon profesori, duke qenë vetë një nga ata-- i kemi këto mundësi ndoshta nga të qenurit në institucione prestigjioze të botës”. Por ai kujdeset të specifikojë se kjo nuk do të thotë se shkencëtarët që tashmë punojnë brenda territorit të Shqipërisë nuk i kanë këto mundësi. Ai na thotë se është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që kanë kolegët në Shqipëri apo Kosovë:

“Eshtë për t`u admiruar aktiviteti i shumë shkencëtarëve shqiptarë në universitetet apo institucionet kërkimore shqiptare megjithë vështirësitë që ata kanë. Kjo është për t`u admiruar. Kolegët e tyre në botë, ndoshta në situata të tilla, do të tërhiqeshin”.

Megjithatë, ai që vërtet e do shkencën kurrë nuk duhet të tërhiqet. “Shkenca shpeshherë nuk varet nga pajisjet e fuqishme dhe fondet e mëdha. Shkencën e bëjnë shpesh edhe laboratorë modeste. Shembuj të tillë ka nga e gjithë bota. Ajo që shkenca ka më shumë nevojë është dëshira për kërkim shkencor, vendosmëria për të mos u tërhequr nga vështirësitë. Tashmë që Shqipëria është përfshirë edhe në mekanizmat ndërkombëtarë të aplikimit për projekte (p.sh. Programi i 7-të Kuadër i Komunitetit Europian) bën që të gjithë shkencëtarët shqiptarë t`i kenë mundësitë të tregojnë aftësitë e tyre.Ajo që kërkohet është vetëm punë, - thotë prof.Merkoci.

Tashmë si në çdo fushë të jetës, edhe në shkencë konkurrenca është e madhe. Edhe shkencëtarët duhet të mësohen dhe sa më parë të hidhen në këtë konkurrencë me idetë dhe mundësitë e tyre dhe pa frikë, por me besim tek kapacitetet e tyre.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Solana takon Ban Ki Mun për Kosovën

21/11/08 11:30:00 | Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,..

Brown takon Sejdiun e Thaçin: Mbështetje për Kosovën

20/11/08 20:54:00 | Kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML