Shtune, 22 Nentor 2008 01:32:49

Lexoni versionin Print

Gërdeci si “kufi”!

Eshtë! Edhe pse një fshat’th i vogël, gati i padukur, dhe fare i panjohur. Mbase edhe Vaterlonë, nuk e njihte askush, para se të bëhej varri i Napoleonit. Mirëpo sot, ajo është shndërruar në një simbolikë, sa herë duhet lajmëruar shkurt për një rrënim!

Nga Arben Bllaci*
Diel, 11 Maj 2008 08:08:00

 

Eshtë! Edhe pse një fshat’th i vogël, gati i padukur, dhe fare i panjohur. Mbase edhe Vaterlonë, nuk e njihte askush, para se të bëhej varri i Napoleonit. Mirëpo sot, ajo është shndërruar në një simbolikë, sa herë duhet lajmëruar shkurt për një rrënim!

Nejse. Le t’i kthehemi Gërdec(losë) tonë.

U pastë shpirti dritë jetëhumburve, u dhëntë Zoti kurajo të afërmve të tyre! Amin!

Dhe le të rrimë pak në pjesën politikë të Gërdecit. Jo ngaqë vlen më shumë se jetët e humbura. Kurrësesi! Por thjesht dhe vetëm, se edhe pse i themi rëndom “curvë”, politika sidoqoftë, është një lloj “curve” që ka në dorë shumë, për të mos pasur Gërdecë të tjerë të shkretuar. Politika pra, ka shpërthyer në një fushatë të tmerrshme akuzash ulëritëse për korrupsion respektiv. Dhe të mendosh se fushata elektorale është ende tepër larg, të zë frika të përfytyrosh ç’mund të ndodhë, e ç’trajtë mund të marrë karta “korrupsion” në ditët e epiqendrës së fushatës. Kuptohet, si ajo që bën “curva” jonë.

Si në një tërmet, s’do mend që një diskutim, niset nga epiqendra. Të gjithë e dinë që epiqendra s’mund të jetë veçse pushteti, që këtu tek ne, nëkupton:

Kryeministrin. “Ata e dinin” dmth edhe kryeministri e dinte, u tha në një emision televiziv. Aty për aty opozita e shpalli si provë të çeliktë, një libër dorëzimesh postale me ca firma korjerësh dhe marësish në dorëzim të zarfeve zyrtarë. Mirëpo “e dinin dhe s’e dinin” mund të thoshja unë dhe shumëkush tjetër. Ja ta them edhe sepse! Vite më parë Lutfi Dervishi, atëherë drejtues i një gazete, më tregonte me shumë entusjazëm për një intervistë që kishte bërë me presidentin turk Demirel, në rezidencën e tij. Siç e do protokolli, kishte bërë edhe një fotografi me presidentin turk. Dhe ç’kishte ndodhur, që Lutfiu ishte entuziast? Ajo fotografi kishte mbërritur në redaksinë e Lutfiut, para se ai vetë të mbërrinte në Shqipëri. Nuk dua të bëj komente që nënkuptohen lehtësisht. Po shkurt mund të them: Ky është shteti tipik, tek i cili gjallon me ngarkesë të plotë serioziteti, edhe qeliza më periferike. Këtë lloj shteti, ne s’mund ta shohim as në ëndërrën më të lumtur. Morali? Në shtetin si ky ini që dimë të gjithë, kryeministri ka shumë të ngjarë të mos e ketë marrë fare infon që po përmendet si provë dijenie. Po edhe në e pastë marrë, nuk e ka hiç problem t’i thotë “sus” ndonjë veshllapushi nga ata që vënë letrat në tavolinë. Në të dy rastet dijenia e tij, s’mund të provohet. Po edhe në të kundërt, s’përbën fajësi. Mund të dërdëllitet se kryeministri e ka detyrë kushtetuese e qysh e tek, të dijë gjithçka. Se duhet të qeverisë më shumë se sa të bëjë politikë etj etj.. por përfundimi është po ai. Në këtë kënd pamje, kryemistrit i mbetet e pacënuar e drejta të shtijë me gojë si me top, gjyle lufte ndaj korrupsionit, sot dhe ca më shumë nesër në fushatë.

Radha respektohet jo vetëm në dolli.

Pollo. Patjetër që edhe ai, dmth “partia” e tij. Le të mos përmendim si korrupsion më vete, kthimin në PD pas plangprishjes së gjatë. Gjëra që ndodhin këto në politikën tonë, që ca më sipër, të skuqur nga turpi, e quajtëm ashtu… Por të përmendim vetëm shifrën disa qindra milonëshe të kompensimit për çmimin e librave shkollorë, që nuk u pa gjëkund se nga u tret. Hajt le të përmendim edhe fillin blu e zbehtë të tipit PDR në gjithë sistemin arsimor dhe atij afër tij, në të gjithë vendin. Pellg ca i madh, për të mos zënë leshterikë të ndryrë korrupsioni. Mirëpo zotërinj, në prokurori s’është thënë gjëkund se ka letra akuzuese. Dmth? Dmth që edhe Pollo sot e, ca më shumë nesër në fushatë, të shtijë me ”topthin e tij, ca gjyle antikorrupsion!

Ndoka. C’na duhet të zëmë në gojë, e ca më shumë ta përgojojmë si korruptiv, “pazarin” e marrjes së partisë së Nikollë Lesit dhe telashet që i kanë plasur tani së fundi Nardit! Pavarësisht se sot Nikolla i bie kokës me grushte që e “shiti” e që i hyri zahmetit për të bërë një tjetër Demokristiane. C’na duhet me to. Vetë i bëjnë, vetë i “shesin” e vetë i “blejnë”. Ne paguajmë ca taksa për këto punë, po ku ikën mija, rruga e mbarë i qoftë dhe qindit të portofolit tonë “tip hudhër”. Ndaj të themi shkaraz, fillin e kuq demokristian në gjithë sistemin tonë shëndetsor. C’është e vërteta, nuk kemi prova kurrupsioni në këtë sektor. Dimë vetëm që të “korruptuar” janë mjekët e pavioneve. Po ç’punë ka ministry, me një kope mjekësh! Qafën thefshin ata! Ama s’mund të mos zëmë në gojë, skuadrën e madhe demokristiane të rrugëve, me zv.ministrin në krye, që sot është në burg. Bile edhe në proces gjykimi të shkurtuar, që dmth pranim faji. Në fillim Ndoka shkomëzoi jashtë çdo norme kristiane, për padrejtësi e komplot ndaj partisë së tij. Po në fund të fundit, ashtu iu duk dhe ky s’mund të jetë faj. Larg qoftë të jetë, marje në mbrojtje të të korruptuarve! Ata sot janë në bangën e drejtësisë dhe, ku është parë e thënë, që partia të identifikohet me ca hajdutë mosmirënjohës! Ndaj edhe Ndoka sot, e ca më shumë nesër në fushatë, ka të drejtë legjitime, bile të bekuar edhe nga Krishti vetë, të predikojë si inkuizitorët dikur, zjarr e hekur mbi të pafetë e korruptuar të këtij vendi.

Xhuveli, si veteran koalicjonesh dhe terezi paprishur se u bë emblematik me koalicionin e fundit. Mirë e ka. Tjetër gjë karvani, tjetër ca qen që lehin. C’nuk është folur për të, edhe nga kryeministri i sotëm, për korrupsion, kur kishte domen bujqësinë. Deri edhe ndyrje ambjenti me goma në guroret e Krujës. Po nuk e dinë të gjithë nëse ka ndonjë denoncim në prokurori për të, a ndonjë të afërm në “partinë” e tij. Dinë ndërkohë të gjithë, që ai po mbretëron në pashallëkun e vet. Lidhur me fijen e blertë në të gjitha strukturat përkatëse në mbarë vendin. Bile për shtatë palë qejfe. Pse atëherë, sot e më shumë nesër në fushatë, të mos lëshojë edhe ai ca gjyle kundër korrupsionit!

Mediu. I pafati! Vetehumburi, tha për veten publikisht. Ndoshta! Por nga ata vetehumbur të vetëshpallur, për të cilët s’mund të ndjesh keqardhje. Se nuk të mbetet për Mediun, përballë viktimave kapicë të Gërdecit. Një herë për një here, partia e tij po mbetet veçmas përbaltjes. Është, si të thuash, në pritje. Ama pritje aktive, tipike republikane. Si? E thjeshtë fare! Nuk rihyn në qeveri, sa të llagarohen ujërat e barutëzuara e të përgjakura që tallaziti Gërdeci. Mesazhi? Edhe ai i thjeshtë sa më s’bëhet: “Kujdes me republikanët, z. Kryeministër, se bëhemi nja pesë vota neto republikane në parlament! Bashkë me votat e opozitës, shto këtu dhe ndoca kokra të pakënaqurish nga sistemi projekt eloktoral. Edhe ca të tjera nga brenda të tuve që u ka ardhur në majë të hundës për një “kockë” në dhëmbë, pse jo edhe për këmborën e përçorit që ti e tund akoma!. Dhe… Dhe llogaria nuk të del aq mirë, në një rast mocioni mosbesimi në parlament! Ndaj vuri gishtin kokës…Kryetari nën akuzë dhe nën synim imuniteti? Punë e madhe fort! Ka qenë pa imunitet Ilir Meta, Azem Hajdari, bile edhe vetë kryeministri për ’97-ën. Etj., etj. Po kujt i hyri gjëmb në këmbë?! Kur u harrua shkatërrimi i vitit ’92, apokalipsi i ’97, kur iu harrua edhe “rahmeti” i Azem Hajdarit, Otrantoja etj etj., pse të mos harrohet edhe Gërdeci? Fundja, një copë Gërdec e ca gërdecarë qenë, e nuk ra bomba atomike në Shtëpinë e Bardhë!” Dhe kryeministri mbase e gjen veten me gishtin në kokë, mbështetur në skrivaninë e trashëguar paqësisht nga Nano, “më i zi se zia” e këtij vendi…Dhe republikanët dalin llagar! Me Mediun në krye, sot po ca më shumë nesër në fushatë, bombardojnë republikanisht, korrupsionin barbar!

Kaq sikur ishte koalicioni.Radha?

Rama. I sikterisur si askush në trajtë “Edvini”. Deri edhe me vizore në dorë për matjen e trashësisë së asfalteve, iu kërkuan provat e korrupsionit e iu bënë dosjet e dorëzuara me ceremoni në Prokurori. Cështë më zi akoma, edhe në krye të PS, ai është “strumbullari” reth të cilit vërtiten “tulakët” e korrupsionit dhe gjithë “klani i Zemunit” me soj e sorollop.Shumica tani pa imunitet e pa Sollak që “t’i mbrojë”. Po mbushet viti i tretë i kalërimit të kryeministrit që kishte bërë be rrufera, se do të ishte “Napoleon” kundër korrupsionit. Po…nuk e dinte Vaterlonë pak kilometra larg Tiranës. Dhe të përbindëshzuarit prej tij si të korruptuar, dishepujt e “më të ziut se zia”, jetojnë të lumtur në familjet e tyre dhe tërësisht të angazhuar në dobi të shoqërisë, në luftën e madhe kundër korrupsionit! Dhe iu ka aq hije fyelli i tanishëm, me një vrimë, i akuzave për korrupsion të kryeministrit dhe qeverisë së tij! Fyelli që nesër në fushatë, do të shndërrohet në trumpetë kushtrimi ndaj kurrupsionit blu katërvjeçar.

Meta. Ky “Zorro” me shpatën dytehëshe, që gdhënd “Z” akuzash sa majtas aq dhe djathtas, në emër të polit të tretë dhe LSI-së, siç thotë, mazhorancë e së ardhmes së shpejtë. U përfol ca kohë kur qe kryeministër, për biznese të paligjshme të së shoqes. Edhe një drejtuesi të LSI të tanishme, iu plasarit keq kallaji si drejtor i KESH. Po asgjë më shumë. Për disa qindra milionë abuzime, u dënua me ca ditë punë në dobi të publikut, një drejtor i përgjithshëm rrugësh, kanakar i Metës kryeministër. Po pse të mos interpretohet kjo, si provë që Meta s’të fal qimen, kur bëhet fjalë për korrupsion! Dhe kështu, pse sot ai të mos bërtasë kunder korrupsionit? Dhe nesër në fushatë, edhe pse I “prangosur me xhaketën e jekurt të proporcioanlit”,pse të mos shkumëzojë në emër të luftës ndaj korrupsionit! Që çke me të!

Kjo pak a shumë është pamja. Dmth tym lufte antikorrupsion, në formë kërpudhe Gërdeciane. Ajo që nuk duket asgjëkund, është rezultati, sado minimal, i kësaj lufte retorikash. Gjithë ky kiamet shashkash pa kuptim e pa brendi, kjo retorikë politike, bëhet edhe gjetiu. Në fushata elektorale zakonisht. Por me një përjashtim. Ato nuk kanë Gërdec. Gërdec që i jep fund retorikës rutinë politike, dhe e shndërron atë në një problem akut për zgjidhje. Një gur prove, përballë të cilit politika, në prag të startit elektoral, detyrohet pa derman, jo të shpallë triumfin mbi korrupsionin, se ajo punë e pat. Por të shpallë më në fund dhe një herë e mirë, nisjen seriozisht të krasitjes së tij. Paradoksalisht, i takoi Gërdecit të vogël të shpallë dhe të provojë, ose jo, një fund të vjetër dhe një fillim të ri. Që të ndëshkojë cilindo që ka ndyrë ose përgjakur duart në të, duke e shndërruar këtë ndëshkim në një simbolikë. Prova do të jetë banka e drejtësisë mbushur me shkaktarët e rinj dhe të vjetër të Gërdecit”! U bë Gërdeci, “thana kufi” për kuçedrën korrupsion, për këlyshët thithës të gjinjve të saj. Dhe të viktimave të saj. Dhe me këtë rast, mbase dita e shpalljes së fitimtarëve të ardhshëm, do të ishte një mëngjes shprese për të gjithë. E kush e di, shijonim edhe ne populli, ca pak sherbet nga kadaifi i pushtetit. Kadaif, sepse torta, është tepër e fisme për këtë bizantinin tonë!


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML