Hene, 13 Tetor 2008 16:22:46

Lexoni versionin Print

Ikja e mundimshme nga tranzicioni

Këto ditë, ka një intensifikim të lëvizjeve dhe aksioneve politike. Kryetari i PD-së, ashtu si homologu i tij i PS-së, sapo ka filluar edhe ai një biçim dialogu me shqiptarët. (Monolog do të shkonte më mirë.)

Nga VANGJUSH SARO
Diel, 11 Maj 2008 08:09:00

 

Këto ditë, ka një intensifikim të lëvizjeve dhe aksioneve politike. Kryetari i PD-së, ashtu si homologu i tij i PS-së, sapo ka filluar edhe ai një biçim dialogu me shqiptarët. (Monolog do të shkonte më mirë.) LSI dhe partnerët e saj, e kanë ngritur zërin më shumë se kurrë në mbrojtje të Kushtetutës, siç është formuluar tashmë kjo devizë edhe nga një komitet (shpëtimi) që sapo është shpallur. Lëvizja G99 ofroi edhe ajo programin e saj paraprak. Ndërkohë, ka patur edhe shakara. Kështu, ishte për të qeshur, por njëherësh edhe për t’iu dhimbsur gjithkujt skena që televizionet i ofruan këto ditë publikut, skenë në të cilën Kryeministri Berisha bënte humor me praninë “e gjerë” të demokristianëve në mbledhjen e qeverisë. Përballë tij, ishte ministri Ndoka; në krah zv/Ministrat demokristianë... Tre figura nga e njëjta parti (e vogël?). Një skeç i vërtetë.

Në fakt, të nesërmen e kësaj mbledhjeje plot humor, u publikua një sondazh tejet negativ për këtë qeveri. Niveli i korrupsionit, i rritur 13 për qind. Përcjellja e përfundimeve të këtij sondazhi, u bë përmes kritikash të drejtpërdrejta: korrupsioni nuk është lojë, por luftë; korrupsioni nuk luftohet me fjalime. Kështu pra, situata paraqitet mjaft e ngatërruar, kur mendon se ka një nonsens tjetër të paparë, që ka të bëjë me formulimin e akuzave dhe heqjen e imunitetit për një sërë ministrash, pastaj edhe drejtorësh të rëndësishëm të administratës shqiptare, si kryetatimori Sefgjini. Pakënaqësi ka edhe ndaj veprimeve apo mosveprimeve të opozitës. Kështu, midis pyetjeve që shtrohen në këtë situatë (fushate elektorale jashtë kohe), janë edhe ato që herë pas here nxirren nga sirtarët e tranzicionit: A do të ketë një Pol të Tretë me peshë në politikën shqiptare apo harta do të vazhdojë të dominohet nga PD dhe PS? A do të thyhet e ndryshojë diçka në të majtë e në të djathtë, apo edhe më tej “krahët” e politikës do të vazhdojnë të përzihen, daç në fluturim e sipër, daç në prehje? (Është vendi këtu për ndonjë parantezë. Edhe më parë, kemi qenë të një mendjeje me lexuesin e nderuar në lidhje me arbitraritetin e konceptimit dhe dinamikën e termave “e majtë” dhe “e djathtë”. Por kjo nuk na pengon të vëzhgojmë lëvizjet me këso prirjesh.)

Në cilat hapësira pra, mund të vepronte apo të gjente veten ky Poli i Tretë i shumëherëpërfolur? Në të majtë, në qendër, në të djathtë, përtej tyre? Endjet nëpër këto segmente, duken sa të vështira, aq edhe të kollajshme. Ato të kujtojnë anekdotën me atë studentin, të cilit i vunë përpara një gotë plot me ujë, për t’i thënë se nuk kishte më vend (në atë universitet). Dhe ai rrëshqiti me kujdes, pikërisht nëpër faqet e kësaj gote të mbushur plot, një gjethe, që edhe pse zuri vend në gotë, nuk derdhi asnjë pikë uji. Në të majtë, mjaft e vështirë për t’u pranuar dhe krijuar i ashtuquajturi Poli i Tretë; PS ende është mjaft dominante. Pozicionet strategjike ku mund të krijohej poli në fjalë, mund të përkojnë ose me qendrën e politikës shqiptare, ose me të djathtën e saj. Madje edhe kjo e fundit, është mjaft e banuar nga PD dhe aleatët e saj, pavarësisht peshës së tyre në politikë. Këtu është fjala kryesisht për PDR, PR dhe PDK, që sipas të gjitha gjasave do të vazhdojnë të ndjekin pothuaj të njëjtin kurs, atë “të dashurisë me pushtetin”. Asnjë prej këtyre forcave politike nuk ka vullnetin dhe as energjitë e duhura për ta kapërcyer gjendjen e të qenit vasal. (Natyrisht, shkëmbyer gjithnjë me përfitime.) Nga ana tjetër, një grupim i brishtë - mbase më bindës në ide, por modest - si LZHK, është shumë pak për të krijuar një Pol të Tretë të Djathtë. Kjo për shkak edhe të pozicionit të paqartë të legalistëve apo edhe të lëvizjes Ngjela. E djathta pra, realisht është ajo që e vuan më shumë mungesën e principialitetit e të mundësive për zgjidhje; edhe pse në radhët e atyre që quhen ish-pronarë dhe ish-të persekutuar ka aq shumë individë, madje edhe personalitete që nuk duken deri më sot të angazhuar në politikë. Ashtu në përgjithësi dhe aspak për të paragjykuar ndokënd, deri më sot kemi qenë dëshmitarë të krijimit dhe falimentimit të shumë lëvizjeve të djathta. Mjaft e vështirë që një Pol i Tretë të krijohet në të djathtë të politikës shqiptare.

Segmenti më i mundshëm për një lëvizje të tillë, me sa duket, mbetet qendra. Edhe këtu ka patur përvoja të dështimit, si njëfarë “Poli i Qendrës”, që mbase rrallëkush e sjell tani nëpër mend. (Krijuar nga PSD e PAD, diku aty nga viti ‘94.) Por sot për sot, duket se në qendër është pozicionuar pak a shumë LSI, deri diku e ndjekur edhe nga PAD dhe PDS; gjithsesi, LSI është shumë pak për një performancë që do të kërcënonte seriozisht territoret e PD-së dhe PS-së. Nuk do t’i shtonte ndonjë gjë të madhe kësaj aleance (të qendrës) as PSD e Gjinushit, që endet ende midis PS-së dhe ish-aleatëve të saj. Nga ana tjetër, modeli i ardhshëm zgjedhor - proporcional rajonal - që tashmë është votuar nga Kuvendi i Shqipërisë, mund të jetë një pengesë më shumë për të gjitha nismat dhe lëvizjet e reja politike, përfshi të djathtët e papërfaqësuar në Kuvend, G 99, Ngjelën, madje edhe Polin e Tretë të Qendrës. Nga sa duket, edhe këtë herë është e vështirë që zgjidhja të mund të vijë nga manovrat e partive (të reja e të vjetra); ose nga koalicionet e brishta. Realizimi i ëndrrës me Polin e Tretë mbase do të mund të qëndronte diku midis politikës dhe votuesve shqiptarë, tamam-tamam atyre që nuk votojnë dhe që nuk janë pak: rreth 50 për qind e elektoratit.

Se si do të jetë konfiguracioni i hartës politike deri në zgjedhjet e vitit 2009, kjo vështirë të thuhet që tani. E sigurt është që politika, (më e pakta, disa segmente të saj), po njatjetohen me tranzicionin; dhe kjo gjë vazhdon të jetë mjaft e mundimshme.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML