Konsumatorët konsiderohen si aktorët kryesorë të ekonomisë dhe mbrojtja e tyre prioritet i strukturave shtetërore. Tek ne, në tre vjet, hapat janë shumë të ngadalshëm. Vonesave në miratimin e ligjit "Për ushqimin" dhe ngritjes se Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili pritet të filloje mbas mandatit të kësaj qeverie, u shtohen moszbatimi i ligjeve të tilla themelore si ai " Për shërbimin veterinar dhe "Për mbrojtjen e bimëve". Inspektoratet janë pothuajse të atrofizuar dhe nuk mund të zbatojnë kërkesat e ligjit për arsye të: 1) Strukturës së gabuar funksionale të Ministrisë, 2) Paaftësisë së stafeve të pakualifikuara në inspektorate, 3) Mungesës së fondeve për funksionim në zbatimin e kërkesave të ligjit, 4) Prishja e strukturave kontrolluese dhe analizuese (p.sh rasti i laboratorit të analizimit të plehrave kimike pranë ish-Institutit të Tokave, i cili në kuadër të (ri)strukturimit nga 6 specialistë profesionistë u konvertua në 2 pensionistë me shall blu. Kjo bën që sot në treg të gjenden plehra kimike ku çfarë tregon vitrina nuk e ka magazina, duke u shitur fermerëve, "kombinime" të cilat më tepër helmojnë tokën dhe bimën, sesa rritin rendimentin dhe cilësinë, 5) Abandonimi prej më se dy vjetësh i laboratorit të kontrollit të mbrojtjes së bimëve në Durrës në kuadër të ristrukturimit të kërkimit shkencor ku edhe sot askush nuk e di se si do të funksionojë sistemi i mbrojtjes së bimëve në Shqipëri.
Sot produktet bujqësore tregtohen jashtë kushteve higjieno-sanitare. Nga 61 tregje në vend, vetëm 14 plotësojnë kushtet minimale të higjienës. Viti 2007 e kthehu nivelin e sëmundjes së brucelozës në nivelin e viteve 1960-1965, duke e bërë konsumatorin tonë tepër të ekspozuar para kësaj sëmundjeje gjatë konsumit të bulmetrave. Sot ka zëra që bruceloza ka rënë edhe në gjedhët. I kërkoj Ministrit përgjegjës t'i bëjë me dije opinionit publik nëse ka rënë apo jo bruceloza në gjedhet. Nëse kjo është e vërtetë nuk mbetet vend për koment.
***
Niveli i ulët i eksporteve të produkteve primare dhe të përpunuara, deficiti tregtar dhe raporti import-eksport kërkojnë nga strukturat shtetërore njohje të proceseve, ekspertizë, mbështetje realiste për prodhuesit dhe ndërmarrjet eksportuese. Raporti import-eksport i fundvitit 2007 nga Ministria e Bujqësisë u deklarua 7/1. Megjithëse nga politikëbërësit ka interpretime të ndryshme për nivelin e importeve, do të ndalemi pak të eksportet që qeveria pretendon se janë rritur.
Po të shohësh nomenklaturën e mallrave të eksportuara nga Shqipëria, 14 artikujt kryesorë të eksportuar janë: acuget, bimët për parfumeri, ujëra minerale, lëkurë gjedhi e plotë, duhan, lëkurë keci, lëkurë shelegu, ullinj në kavanoz, lëkurë gjedhi dhe kali me bisht me apo pa qime etj., kafe e pjekur etj. Pyetja është: Çfarë politike institucionale sektoriale apo nënsektoriale është bërë në këto tre vjet në fushën e bujqësisë dhe të agro-industrisë për nxitjen e eksportit të kafes së pjekur, lëkurës së kalit me bisht me qime apo pa qime?! Përpara demagogjisë qëndrojnë shifrat dhe treguesit statistikore të cilët flasin vetë dhe janë të lexueshme nga votuesit. Çdo tendencë është rastësore dhe nuk ka tregues dhe aksione ku të tregojnë politika nxitëse të eksporteve.
Fermerët dhe banorët në zonat rurale kane ngritur shqetësimin e tyre për cilësinë shumë të ulët të farërave dhe fidanëve (këta të fundit objekt i fondeve buxhetore nëpërmjet programit të Ministrisë së Bujqësisë !!) Siguria e pastërtisë varietore dhe fito-sanitare tanimë është më e rrezikuar se kurrë me ristrukturimin e Institutit të Mbrojtjes së Bimëve, Durrës. Ky institucion me organizimin e ri kalon në vartësi të Universitetit Bujqësor kur në shumicën e vendeve të botës dhe në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ky shërbim (i mbrojtjes së bimëve) është shërbim shtetëror dhe jo mësimor. Shteti dhe autoriteti i tij kontrollojnë dhe certifikojnë produktet bimore, jo strukturat mësimdhënëse.
*Autori është Deputet i Kuvendit të Shqipërisë