FITUESIT MË TË MËDHENJ me pavarësimin e Kosovës, gjithsesi, janë serbët! Sado që mund të tingëllojë paradoksal dhe miop një konstatim i tillë, vështirë se do të dalë dikush mendjekthjellët që të mund të argumentonte të kundërtën. Assesi, pra, nëse vlerësojmë rezultatet e gjendjes në terren. Dhe assesi në qoftë se nuk do të ndryshojë radikalisht kursi i deritashëm i politikës së strucit së institucioneve kosovare, dhe vetëm kosovare. E çka është dashur të bëhet - mund të pyesë dikush - të mos shpallet fare pavarësia e Kosovës?! Fatkeqësisht, është e pafalshme për institucionet edhe vetëm nëse dikujt i kalon vetëtimthi nëpër mendje një mëdyshje e këtillë. E dorën në zemër, pushteti vendor sot në Kosovë, e për më tepër, dinjiteti i këtij pushteti është duke prekur dërrasat e dyshemesë së realitetit të pasluftës më shumë se çdo tjetër para tij.
Përse ky reagim i mbështjellë me mllef dhe i rrezikuar nga keqkuptime të çfarëdollojshme? Po ja që mund t'i numërojmë së bashku, ngadalë.
Një. Shkatërrohen dy pika kufitare në kufirin Kosovë-Serbi. Institucionet e Kosovës nuk provokohen. UNMIK-u nuk reagon. (Por, përse të reagojë UNMIK-u kur nuk ngulin këmbë institucionet?). Serbët fitojnë: është hera e parë e pasluftës, kur dy pika kufitare bëhen të paadministrueshme nga Prishtina.
Dy. Dëbohen punëtorët shqiptarë nga ndërtesa e gjykatës në veri të Mitrovicës. Institucionet provokohen pak. UNMIK-u reagon: pak. (Por, përse të reagojë UNMIK-u më shumë, kur nuk ngulin më shumë këmbë institucionet?). Serbët fitojnë: është hera e parë e pasluftës kur punëtorët shqiptarë të gjykatës nuk mund të shkojnë në vendin e tyre të punës.
Tre. Dëbohen (tërhiqen, siç!), më 17 mars, pjesëtarët shqiptarë të Shërbimit Policor të Kosovës nga veriu i vendit. Institucionet nuk provokohen. UNMIK-u aq më pak. (Por, përse të provokohet UNMIK-u kur institucionet krenohen me ruajtjen e skajshme të gjakftohtësisë). Serbët fitojnë: është hera e parë e pasluftës kur pjesëtarët shqiptarë të SHPK-së vazhdojnë të mos kthehen në vendet e tyre të punës.
Katër. Mbahen zgjedhjet edhe lokale të Serbisë në territorin e Kosovës. Institucionet s'presin të informohen zyrtarisht nga Beogradi, por i kundërshtojnë menjëherë (siç!). UNMIK-u nuk informohet zyrtarisht. (Por, përse t'i lihet faji mosinformimit të UNMIK-ut, kur as institucionet nuk e paskan informuar atë vetë). Serbët fitojnë: është hera e parë e pasluftës kur serbët mbajnë zgjedhje lokale të Serbisë në territorin e Kosovës.
MIRËPO, NDONËSE KA edhe shumëçka tjetër që do të mund t'i shtoheshin këtyre katër pikave, që nuk ndodhnin para pavarësisë, e po ndodhin tash, e kam nijet të ndalem pak më gjatë te kjo e fundit. Teksa, për secilën nga mosprovokimet e mëparshme pasojat mund të jenë të riparueshme, rreziku më serioz vjen nga mosprovokimi edhe me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë.
E para: është dashur të mos lejohen. Si? Të kapitalizohet qëndrimi i prerë i shteteve që e kanë njohur pavarësinë, si SHBA-ja, Gjermania e Franca, të cilat kanë qenë të qarta duke thënë se zgjedhjet lokale serbe nuk duhet të mbahen në Kosovë. Këto janë tri nga pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe, me Kinën abstenuese dhe Rusinë kundërshtuese, ndonëse jo me konsensus, sërish llogaritet që organi më i madh vendimmarrës ndërkombëtar ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve. Së këndejmi, edhe qeveria e Kosovës ka mundur që ta mbajë UNMIK-un përgjegjës për mosreagim të duhur. UNMIK-u e ka dhënë një arsyetim se nuk ka mekanizëm praktik për të ndaluar votimin e serbëve për zgjedhje lokale, pasi që serbët duke votuar në zgjedhjet parlamentare të lejuara, mund të fusin njëkohësisht në kuti edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale. Por, përgjigjja e qeverisë ka mundur të jetë e prerë: nëse nuk arrihet marrëveshje me Beogradin për t'i mbajtur vetëm zgjedhjet parlamentare, atëherë nuk do të lejohen fare votime në territorin e Kosovës. Në të kundërtën, qeveria ndërpret tërë bashkëpunimin me UNMIK-un, pasi që ky i fundit e dëshmon edhe vetë se është i paaftë të zbatojë vendimet e veta, që i ka marrë edhe si mandat nga OKB-ja, e cila është shprehur kundër zgjedhjeve lokale. Paaftësia e një organi ekzekutiv në ekzekutimin e vendimeve të veta (rikujtim i (pa)nevojshëm: organi ekzekutiv ekzekuton vendime, nuk shpreh sugjerime) sjell delegjitimimin e tij në raport me palët. Në gjendjen e sotme, UNMIK-u ka delegjitimuar vetveten, duke e delegjitimuar dorë për dore edhe qeverinë e Kosovës.
KËTU FLEKA LEPURI, do të thoshte ironikisht Lirak Çelaj në rolin e Gjermanit të Trashë (KTV). Çka ka legjitime, dhe çka jolegjitime në Kosovë, pas zgjedhjeve të 11 majit?! Kjo edhe është beteja në të cilën është hyrë nën flamurin e mosprovokimit.
A është legjitime pavarësia e shpallur e Kosovës?
Ne do të thoshim 'Po', pasi që me San Marinon janë bërë 40 shtete që e kanë pranuar.
A është legjitime mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë?
Ne do të thoshim "Jo", pasi që po mbahen në territorin e një shteti të pavarur dhe në kundërshtim edhe me UNMIK-un (1244).
TË KUPTOHEMI, të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm për provokimet që do t'i ndërmerr Serbia për të nxitur shqiptarët e Kosovës të reagojnë, e rrjedhimisht, të kapitalizohet ky reagim si kundër-argument për njohjen/zhbërjen e pavarësisë së shpallur. E dimë që shumë shtete na shikojnë me llupë për të parë gabimet në hapa të shqiptarëve të Kosovës, për të bërtitur: "Yeah, ja përse nuk e pranojmë pavarësinë!". Por, ja që mund të vijë një kohë kur pikërisht ky mosprovokim, duke shkuar në skajshmëri, mund të sjellë realizimin e synimit të kundërshtarëve të pavarësisë – zhbërjen e saj praktike. Në këta tre muaj Kosova dhe qytetarët e saj shumicë e kanë ridëshmuar se e kanë merituar pavarësinë edhe për skeptikët. Erdhi vala e parë e njohjeve, nga shtetet sponsorizuese të pavarësisë, e dyta - e shteteve që kanë dashur ta gjykojnë situatën në terren, dhe e treta - e shteteve të vogla, që natyrshëm pavarësinë e Kosovës nuk e kanë të parën në agjendën e çështjeve që i preokupojnë. Kurse të tjerët që kanë vonuar njohjen, kryesisht e kanë për arsye që fare nuk kanë të bëjnë me situatën e brendshme në Kosovë dhe përkushtimin e shumicës ndaj pakicave. Më tepër ka mbetur çështje situatës së tyre të brendshme politike, interesave gjeostrategjike të rajoneve të ndryshme, ose edhe, thjeshtë, mungesës së lobimit nga vetë Prishtina.
E teksa liderët e Kosovës të mos e adoptojnë mendësinë e të qeverisurit me një shtet të pavarur – si lojtarë, e jo si spektatorë - paradoksalisht rrezikojnë ta kuptojnë vonë se kanë kaluar shumë vjet e kanë mbetur liderë të vetëm një pjese të asaj që dikur ka qenë Kosovë.
...DHE, NATYRISHT, të mos vazhdojnë të provokohen.
*Autori është kryeredaktor i Televizionit Koha Vizion në Prishtinë