Enjte, 18 Mars 2010 06:01:02

Lexoni versionin Print

Deputetë, heqja e imunitetit s'është gijotinë!

"Zhurmnaja" e këtyre ditëve për heqjen apo jo të imunitetit të deputetëve, nuk është një risi e re si debat. Fakti që dy liderët e forcave më të mëdha politike, Berisha dhe Rama janë "në muajit e mjaltit", pavarësisht se ata nuk e duan njëri-tjetrin as politikisht dhe, natyrisht, as shpirtërisht, ka bërë që shumë deputetë të tundohen dhe, për arsye që vetëm ata i dinë, të kenë frikë nga heqja e imunitetit!

Nga Agim Neza
Shtune, 17 Maj 2008 08:42:00

 

"Zhurmnaja" e këtyre ditëve për heqjen apo jo të imunitetit të deputetëve, nuk është një risi e re si debat. Fakti që dy liderët e forcave më të mëdha politike, Berisha dhe Rama janë "në muajit e mjaltit", pavarësisht se ata nuk e duan njëri-tjetrin as politikisht dhe, natyrisht, as shpirtërisht, ka bërë që shumë deputetë të tundohen dhe, për arsye që vetëm ata i dinë, të kenë frikë nga heqja e imunitetit!

Pse kanë frikë? Pse duhet të insistojnë të ruajnë këtë privilegj, nëse e ndjejnë veten të pastër, pra, të papërfshirë në afera korruptive apo ndonjë trafik? Pse duhet të frikësohen për imunitetin përfaqësues të ndryshëm të politikës, kur dy liderët kryesorë që kanë "vjellur vrer" ndaj njëri-tjetrit, me akuza dhe kundër akuza, nuk i frikësohen njëri-tjetrit?

Nëse deputetët kanë vila, nëse kanë makina luksoze, nëse kanë sasira të konsiderueshme parash në numrat e tyre të llogarive, ata nuk duhet të frikësohen për faktin se janë aq të zgjuar sa "për të justifikuar pasuritë", aq më tepër, se janë të ndërgjegjshëm që "i kanë venë me djersen e tyre"?!

Dinjiteti i tyre, është që të shprehin gatishmërinë se janë të predispozuar të përballen me organet e drejtësisë. Kjo, për faktin e thjeshtë se të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit. Nga ana tjetër, do të ndihmojnë edhe organin e akuzës për të proceduar direkt me ata që kanë aktualisht imunitet, gjë që do të ndikojë drejtpërsëdrejti për të vërtetuar nëse akuzat kanë "ndikim politik" apo janë të mbështetura në fakte.

Në fakt, sipas mendimit tim, ky do të jetë "Fillimi i ri për të luftuar korrupsionin" për gjithë klasën politike.

Ky është një moment i përshtatshëm, në kohën dhe momentin e duhur, që të gjitha forcat politike të kërkojnë heqjen e imunitetit, në veçanti për rastet kur një deputet akuzohet për afera korruptive, pastrim parash, mbështetje të grupeve terroriste, apo përfshirje në trafiqe të ndryshme.

Praktika e këtyre 18 viteve të demokracisë ka treguar se politika, në një mënyrë apo në një tjetër, është përpjekur të ndërhyjë tek drejtësia, aq më tepër kur janë prekur sadopak interesat e ndonjë politikani.

Pikërisht për këtë është e rëndësishme, pavarësisht nga "pingpong policy" ("politika e pingpongut"), deputetët duhet të miratojnë heqjen e imunitetit dhe të përballën me drejtësinë. Teologu amerikan Rajnholld Nibut, thoshte: "Aftësia e njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundur, ndërsa prirja e njeriut për padrejtësi e bën demokracinë të domosdoshme".

Pra, duke qenë se jeni të prirur për drejtësinë, deputetët tanë të nderuar, në veçanti ish-Ministrat dhe Ministrat aktualë, të mendojnë të paktën për pozicionin e kolegëve të tyre Zv/Ministra të cilët nuk kanë imunitet!? Pse duhet që Zv/Ministri të përballet me drejtësinë direkt, ndërsa Ministri apo deputeti të kalojë disa procedura për t'u përballur me drejtësinë?

Pra, të nderuar deputetë, heqja e imunitetit nuk është Gijotinë për Ju, është thjeshtë një gatishmëri e juaja se jeni të gatshëm të përballeni me ligjet e drejtësisë, të cilat i keni miratuar vetë dhe të cilave u nënshtrohet çdo shtetas shqiptar.

Të gjithë e kemi të qartë se "demokracia është premtim dhe sfidë". Në këtë rast, premtimi i deputetëve është se duke hequr imunitetin, do të jeni të barabartë përpara ligjit, siç është elektorati që i ka zgjedhur dhe, nga ana tjetër, do të jetë "sfidë" nëse përballeni me organet e drejtësisë, për faktin se keni vepruar dhe zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, duke faktuar se "imuniteti" juaj është përballja me drejtësinë, në të gjitha ato raste kur aludohet apo mendohet se keni shkelur ligjin.

Nuk keni më kohë për të humbur, për faktin se, nëse qytetari shqiptar ka humbur besimin tek politika, me aktin tuaj për të hequr imunitetin, të paktën do t'i jepni shpresë njerëzve të fillojnë të kenë besim tek politika dhe t'iu besojnë Ju më shumë sesa thashethemnajave të kafeneve, sesa akuzave që i bëni njëri-tjetrit herë pas here, sesa shkrimeve të gazetave që ju "damkosin" në vazhdimësi.

Mendoj se heqja e imuniteti të deputeti është "fillimi i ri" për politikën shqiptare, aq më tepër që tani edhe ndërkombëtaret e kanë kuptuar se sa më shumë "takime", "sa më shumë tryeza të rrumbullakëta", "sa më shumë shkëmbim mendimi" me politikanët shqiptarë, aq më e vështirë është të miratosh apo të ndryshosh diçka.

Përsëri, faktet janë konkrete, merren vesh dy të mëdhenjtë e dy partive politike më të mëdha dhe çdo gjë bëhet realitet brenda javës, siç ndodhi dhe me ndryshimet në Kushtetutë! Pra, deputetë të nderuar, këtu është thjeshtë çështje dinjiteti, që ka të bëjë me vullnetin për ta shprehur dëshirën tuaj drejtpërsëdrejti tek opinioni publik për heqjen e imunitetit. Nga ana tjetër, besoj se eksperienca juaj politike u ka dhënë Ju leksionin e duhur, se në qoftë se e vendosin të "dy udhëheqësit", Ju nuk ju mbetet asgjë për të bërë, veçse të shfaqeni përsëri si cironka, sa për të shtypur butonin në seancën parlamentare.

"Më mirë kërkoni ta hiqni vetë, sesa t'ua heqin Ata!".


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML