Gjatë gjithë këtyre muajve nëpër Shqipëri janë zhvilluar tryezat rajonale të bujqësisë, pas përfundimit të tryezave në gjithë komunat e Shqipërisë. Në pjesën e parë, pra në tryezat e komunave, u investiguan problemet dhe në fazën e dytë (tryezat rajonale) u tërhoqën mendimet e sugjerimet e ekspertëve lokalë se si do të zgjidhen këto probleme. Gjatë gjithë kësaj “maratone” të vërtetë, në kronikat televizive kemi dëgjuar Kryeministrin, në potencë të së majtës, të shqiptojë në mënyrë lakonike shprehjen “përtej së majtës e së djathtës”.
Ky popull, i mësuar të dëgjojë nga goja e politikanëve të vjetër vetëm thirrje denigruese, sharje e tundje, është pak i çoroditur kur dëgjon një thirrje të tillë të padëgjuar më parë në historinë e politikës shqiptare.
Si askund në botë, ka në Shqipëri militantë që pozicionohen në frëngjinë e kuzhinës së apartamentit të tij të vogël, në përgjim të militantit të forcës politike në pushtet; sapo dëgjon zhurmën e motorit të makinës së tij, e cila nis të parkohet aty para pallatit të tyre të përbashkët, përqendrohet për të mos i shpëtuar asnjë detaj, që nga rrobat që ka veshur ai dhe e shoqja, çfarë kanë nëpër duar, çfarë marke janë qeset e pazarit dhe ashtu si Mr.Bean-i kur numëronte 1000 delet e tij, nxjerr me shpejtësi makinën llogaritëse dhe konkludon se sa ka vjedhur ky socialist i ndyrë, apo në rastin e kundërt, ky demokrat. Urrejtja shtohet duke dëgjuar udhëheqësit e tyre shpirtërorë se si akuzojnë njëri-tjetrin. Sytë verbohen e inati shkon deri aty sa ashensori nuk punon, se ai socialisti i poshtër s’ka paguar, paçka se ky i fundit merr bukën me listë e ky demokrati mezi shtyn muajin me atë rrogën e vogël që merr si shpërblim për besnikërinë e tij ndaj partisë.
Po me militantët e zonave rurale çfarë ndodh?
Në literaturën e shkencës ekonomike botërore, ekziston një teori, që ekonomistët kanë rënë dakord ta quajnë fenomeni “free rider”, që përkthehet në shqip “kalorësi i lirë”. Sipas kësaj teorie, nëse në një zonë rurale është e domosdoshme të ndërtohet një rrugë e shkurtër për të nxjerrë produktet në treg, ose një magazinë e vogël për grumbullimin e mallrave, dhe për këtë gjë duhet të paguajnë vetë fshatarët, në rast se një ose dy fshatarë megjithëse nuk paguajnë, në mënyrë të pashmangshme e përdorin këtë rrugë apo magazinë. Kështu, fshatarët e tjerë që janë gati të paguajnë për këtë investim, nga inati i atyre që përfitojnë pa kontribuar, heqin dorë edhe këta vetë nga investimi. Si përfundim, rruga nuk ndërtohet e magazina nuk ngrihet.
Pra gjithë bota mbarë e njeh këtë fenomen frenues të zhvillimit dhe gjithë qeveritë e botës kanë ngritur organizata këshillimi për t’i ndihmuar fermerët të kapërcejnë vështirësi që vijnë nga perceptimi i gabuar i situatave të ndryshme. Në fakt, ferma është në fokusin e zhvillimit bujqësor dhe qeveritë hartojnë programe që sjellin në mënyrë të pashmangshme zhvillimin e saj, por përpara se të ndryshojë fermën qeveria e përgjegjshme, e ndjen si detyrë të rëndësishme të modifikojë sjelljen e fermerit.
Por unë jam e sigurt dhe dua t’i siguroj të gjithë ata që do të marrin mundimin të lexojnë këtë shkrim, se jo literatura ekonomike botërore, por gjithë historia botërore, para e pas Krishtit, nuk e njeh armiqësinë politike midis fermerëve, e cila bëhet shkak për pengesën e zhvillimit të bujqësisë. Po natyrshëm shtrohet pyetja: Në ç’cep të botës, në një komunitet rural drejtues të vegjël të një komune të vogël të harruar jo vetëm nga tregu botëror, por edhe nga qeveria e tyre, ndërtojnë një rrugë të vogël rurale me një gjatësi që shkon deri tek shtëpia e “kundërshtarit politik” e asnjë centimetër më tej, paçka se pjesa e pandërtuar dëmton “kundërshtarin” e tij, por edhe atë vetë?
Më vjen keq ta pohoj, por për të qenë e sinqertë duhet të them se, në gjithë punën time të gjatë në sektorin e bujqësisë, kam parë e dëgjuar gjëra nga më absurdet, por një të tillë nuk e kam ditur. Pra, e deshi fati që lideri i ri i opozitës të konstruktonte këtë politikë të re me bazë shkencore sipas së cilës, lideri i ri, pasi shpalos platformën e vet, ndërton një strategji (të mos harrojmë se edhe politika është një shërbim që mbështetet në teorinë e kërkesë-ofertës) sipas së cilës promocioni i shërbimit që do të ofrojë fillon nga edukimi i konsumatorit, që në këtë rast është populli i gjerë. Me edukim në fakt nuk duhet kuptuar thirrje për vota dhe premtime boshe, por investigim për të zbuluar dëshirat e shprehura dhe ato të fshehura, synimet dhe vështirësitë e tyre dhe sqarimet e mundshme si p.sh., se ku fillon dhe mbaron përgjegjësia e atij që ofron shërbimin dhe ku fillon e mbaron përgjegjësia e atij që kërkon shërbimin. E kjo strategji është krejt e ndryshme nga ato të partive të tjera. Ndërsa ato kanë synuar të rrëmbejnë ca vota, pra të realizojnë shitblerjen, kjo e reja synon të krijojë një klient të qëndrueshëm e besnik me synim sigurimin e mirëqenies së këtij të fundit. E veçanta është se kjo strategji po aplikohet duke respektuar kriteret shkencore sipas së cilës mashtrimi nuk është strategji e mirë. Pra kështu duke ndërtuar këtë dialog, dolën shumë probleme që ekspertët e zyrave i kanë ditur, por doli edhe problemi i militantizmit ekstrem, që s’ka shkencë në botë që e zgjidh.
Prandaj desha të sqaroj sipas mënyrës sime një numër njerëzish, disa edhe militantë të Partisë Socialiste, që logoja “të punojmë së bashku përtej së majtës e të djathtës” të dëgjuar gjatë gjithë këtij turi maratonë të liderit të së majtës, nuk do të thotë të marrim votat e të majtëve e të djathtëve, sikundër është nxituar të përkthehet, por ka për qëllim të bashkojë ata njerëzit e thjeshtë në zonat rurale e urbane për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Në fakt, fatkeqësia më e madhe e kësaj bote, është se ata njerëzit e thjeshtë nuk dinë të bashkohen, por poshtërsia më e madhe është që liderët politikë e kanë nxitur e shfrytëzuar këtë fatkeqësi.
Siç dihet, OKB e ka cilësuar Norvegjinë, disa vite rresht, si vendin më të mirë për të jetuar, por ama jo vetëm përsa i përket zhvillimit ekonomik, po përsa i përket çiltërsisë, dashamirësisë, ndihmës reciproke etj., gjëra që ndër ne, për fat të keq, janë në doza shumë të vogla. Se sa e rëndësishme është harmonia në mbarëvajtjen e një vendi, atë më mirë se kushdo e kupton një grua. Nuk do të ndihmonte gjithë thesari i botës në suksesin e një familje sesa ndihmon çiltërsia, marrëveshja e respekti reciprok.
Vetëm një njeri i mençur di të zgjerojë shtratin e lumit ku gëlojnë ambiciet dhe idetë e njerëzve, në vend që t’i mbytë ato, siç ka vepruar politika e vjetër deri sot e gjithë ditën.