Premte, 21 Nentor 2008 19:16:06

Lexoni versionin Print

Si më duket “Shekulli”...

I nderuar zoti Thano! Si lexues i rregullt i gazetës tuaj, dëshiroj të përshëndes përparimin e dukshëm të “Shekullit” përsa i përket zgjerimit të tematikës, trajtimit analitik të problemeve dhe, mjaft e rëndësishme, vendosjes së lidhjeve dhe tërheqjes së mendimit të lirë të lexuesit! Lidhur me artikullin tuaj “Si ju duket “Shekulli”?”, ndonëse jo si gazetar i mirëfilltë, por si një bashkëpunëtor i rregullt i shtypit, dëshiroj të shpreh disa mendime rreth pyetjeve që parashtroni.

Nga Selman Bllaca (*)
Premte, 04 Korrik 2008 08:46:00

I nderuar zoti Thano! Si lexues i rregullt i gazetës tuaj, dëshiroj të përshëndes përparimin e dukshëm të “Shekullit” përsa i përket zgjerimit të tematikës, trajtimit analitik të problemeve dhe, mjaft e rëndësishme, vendosjes së lidhjeve dhe tërheqjes së mendimit të lirë të lexuesit! Lidhur me artikullin tuaj “Si ju duket “Shekulli”?”, ndonëse jo si gazetar i mirëfilltë, por si një bashkëpunëtor i rregullt i shtypit, dëshiroj të shpreh disa mendime rreth pyetjeve që parashtroni.

Para së gjithash, Ju përgëzoj për Lajmin. Përmbajtja e tij karakterizohet drejt vërtetësisë dhe problemeve tona jo të pakta si shoqëri. Duke qëndruar këtu, dua të shpreh një mendim, i cili përfshin gjithë mediat (të shkruara dhe vizive). Në faqet e para, me germa kapitale, fotografi etj., gjejnë shprehje kryesisht ngjarjet më të dhimbshme të këtij populli: vrasjet, vetëvrasjet (deri në fëmijët), skandalet gjithfarëshe, dhe përgjithësisht politika, grindjet e partive dhe politikanëve.

Padyshim që kjo “rubrikë” kërkon pjesën e vet të pasqyrimit. Por, këto 18 vjet tranzicion, jeta e shqiptarëve ka qenë vetëm një “rubrikë” e tillë, me efekte të padiskutueshme praktike e psikologjike negative nga ku burojnë vetëm strese dhe pesimizëm, që çojnë madje deri te shprehja fataliste “Shqipëria nuk bëhet!”. Në këtë vështrim, në faqe të parë, me germa kapitale, fotografi, etj., a nuk mund të gjejnë vend, herë pas here, edhe ngjarje e fenomene pozitive, ekonomiko-shoqërore?

Kohët e fundit kam vënë re përpjekjet për të prezantuar në faqet e gazetës jo vetëm pjesën e varfër, jo vetëm pjesën problematike, por edhe shqiptarët e suksesshëm, si dhe shqiptarët e pasur. Por a duhet t’u drejtohemi vetëm milionerëve?

Mendoj se do të ngjallnin interes masiv, p.sh., sukseset e një bujku, të një bariu, të një emigranti të kthyer në Shqiperi, me pak fjalë sukseset e njerëzve të thjeshtë, në fusha të ndryshme, që përbëjnë e përfaqësojnë shumicën dhe nxisin shembullin e praktikën pozitive për masën e gjerë. Kjo natyrisht, pa u thurur himne partive, të cilat mund dhe duhet të kritikohen për kontribut krejtësisht të pamjaftueshëm apo inekzistent.

Së dyti: Meritoni përgëzime për analizat e mjaft fenomeneve politiko-shoqërore dhe ekonomike, të trajtuara me kompetencë, dhe nga pena prestigjioze. Me sa konstatoj, tematika ka qenë e larmishme, duke u shtrirë sipas rastit në probleme aktuale, sidomos të karakterit politik, pa përjashtuar edhe tema të tjera.

Unë nuk jam në gjendje të përcaktoj raportet konkrete që ekzistojnë ndërmjet tematikës politiko-shoqërore dhe asaj ekonomike, të cilat, kur janë trajtuar, përgjithësisht kanë qenë serioze. Por, duke u nisur nga plagët e mëdha që karakterizojnë vendin e që kanë tendencë përkeqësimi - papunësia kronike, rritja galopante e çmimeve dhe në tërësi ulja e nivelit të jetesës, bilanci tepër i rënduar i import-eksportit dhe keqësimi i pandërprerë i bilancit të pagesave, emigrimi i pandalshëm “pa e kthyer kokën mbrapa” e deri te fenomenet e krimit ekonomiko-financiar etj., mendoj se kërkojnë më shumë vend në gazetën tuaj, problemet themelore të zhvillimit ekonomik, si “ilaçi” i vetëm i mënjanimit të fenomeneve negative që përmenda më lart.

Qeveritë, të paktën deri më sot, (kanë kaluar 18 vjet tranzicion), kanë bërë gjithçka për ta paralizuar, shkatërruar e zhvleftësuar e përvetësuar gjithë kapitalin e pallogaritshëm ekonomik të trashëguar, por vetëm një “strategji të zhvillimit ekonomik, për çdo degë të saj” nuk kanë patur. Dhe, sipas njohurive të mia si ekonomist, ky është çelësi i një kthese të vërtetë, i një revolucioni të gjithanshëm që kërkon vendi.

Të kesh rezerva të pallogaritshme mineralesh të çmuara si kromi, bakri, hekur-nikeli, qymyr-guri, etj., duke zënë vende prestigjioze në botë dhe ta lësh pothuaj të paralizuar e në dorë të disa koncesionarëve të pafuqishëm e mashtrues që nuk bëjnë asnjë investim; të kesh një industri të përpunimit të naftës me kapacitete të larta të pashfrytëzuara dhe të mjaftohesh me atë pak naftë që nxjerr në vend, duke mos bërë asnjë përpjekje për të shfrytëzuar kapacitetet e lira me naftën e të tretëve, të ofruar qysh në vitin 1992 nga vende arabe konkrete si Kuvajti; të kesh një klimë kaq të favorshme për çdo degë të bujqësisë e të frutikulturës dhe t’i lësh pa punuar e pa shfrytëzuar për shkak të një politike fiskale diskriminuese për prodhimit vendas; për mungesa absolute subvencioni buxhetor për naftën e mekanikën bujqësore, duke u rikthyer 60 vjet prapa, me punimin e tokës me parmendë! Të gjitha këto po inkurajojnë haptas, direkt apo indirekt, importin e gjithçkaje dhe konkurrencën e atij pak prodhimi bujqësor vendas që përveç kostos së lartë, mbetet pa shitur e kalbet në fushë!

Politikat tona fiskale janë dritëshkurtra. Tentohet në çdo mënyrë që biznesi, fshati dhe punonjësit vetëm të paguajnë, sepse kështu “sigurohen të ardhurat e buxhetit të shtetit”. Në zërat e buxhetit tonë pothuaj nuk ekziston “subvencioni” për zhvillimin e degëve të ekonomisë, për të nxitur rritjen e prodhimit vendas në të gjitha drejtimet.

Dhe këtu veç bujqësisë ka edhe degë të tjera ku mund të përdoret me sukses. Peshkatarët po heqin dorë nga peshkimi, për shkak të çmimit të naftës, ku shteti nuk po bën asgjë. Në vend që kjo degë interesante të mund të zhvillohet deri në industrinë e konservimit, që dikur ishte në gjendje edhe të eksportonte!

Pra, një politikë fiskale e buxhetore më elastike për nxitjen e prodhimit, do të ishte një rrugë kryesore për të siguruar edhe rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit!

Unë mendoj se në këto fusha, gazeta, duke afruar ekonomistë me përvojë, mund të japë një kontribut shumë të madh për të sensibilizuar, e pse jo, për të imponuar vënien në rrugën e zgjidhjes të disa problemeve të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Edhe një vërejtje shoqërore: Vë re se në trajtimin analitik të problemeve në faqen e komenteve, disa nga autorët kanë tendencën që për tema të ndryshme, të shkruajnë pjesën më të madhe të shkrimit, në këndvështrimin filozofik, kurse për vetë problemin, flasin pak. Kjo e bën të mërzitshme për publikun e gjerë, trajtimin konkret të temës e cila mbetet si “kokoshi një thelë”. Sidoqoftë, ky është një konstatimi im që sigurisht kërkon vlerësimin tuaj.

Duke dashur të jap një kontribut sado modest, si lexues i rregullt i “Shekullit”, ju përshëndes dhe uroj suksese e përparim të vazhdueshëm cilësor.

(*) Ish-drejtor i Buxhetit të Shtetit në Ministrinë e Financave (1981-1992)

Artikulli është një nga përgjigjet që na ka ardhur në redaksi pas shënimit “Si ju duket Shekulli”, me autor drejtorin e gazetës, Adrian Thano, ku lexuesit ftoheshin të na jepnin këshilla dhe sugjerime. Shënimin në fjalë mund ta gjeni gjithashtu në blog.shekulli.com.al.

Redaksia falënderon z.Bllaca dhe gjithë lexuesit e tjerë për letrat dhe e-mailet e këtyre ditëve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

Solana takon Ban Ki Mun për Kosovën

21/11/08 11:30:00 | Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML