Një tabelë e exel e qarkulluar në mënyrë pirate dy ditë më parë, na habiti pa masë të gjithëve. Tabela tregonte se në krye të tre viteve, paga e punonjësve buxhetorë qe gati dyfishuar. Burimi i tabelës qe deklarata e kryeministrit Sali Berisha, i cili i cilëson gazetarët që përpiqen të verifikojnë gënjeshtrat e tij të përditshme si “shpirtkazma dhe shpirtzinj”.
Habia qëndron në faktin e thjeshtë se buxheti i shtetit qe 206.5 miliardë lekë në 2005 dhe është këtë vit 283.7 miliardë lekë, pra me një rritje prej 37%, gjë që nuk të jep mundësi aritmetike të dyfishosh paga e pensione. Rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit gjatë këtyre viteve, është e barabartë me rritjen që ka patur Shqipëria që nga viti 1992. Pra, një situatë fare normale. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur.
Shifrat kokëforta
Diku në një cep të faqes në internet të Institutit të Statistikave, ekziston një tabelë me titull: “Paga mesatare në sektorin shtetëror dhe paga minimale”. Sipas kësaj tabele, në fund të vitit 2007, paga mesatare bruto qe 35650 lekë. Duke marrë parasysh rritjen e taksimit nga Taksa e Sheshtë, rritja nominale e pagës bruto është 28%. Edhe këtu, nuk ka ndonjë gjë për t’u shënuar, as për mirë e as për keq. Rritja nuk ka qenë as shumë më e lartë sesa mesatarja e rritjes në periudhën post-komuniste, as më e ulët.
Një grafik tjetër i publikuar po nga INSTAT, tregon se rritja e pagave në periudhën ‘99-2002, është shumë më e lartë sesa rritja e viteve ‘02-‘06. Por kjo nuk ka lidhje me qeverinë. Qeveritë e asaj kohe nuk kanë shumë të drejtë të mburren me atë grafik.
Diçka e jashtëzakonshme, në fakt, ka ndodhur te paga minimale. Rritja e pagës minimale ka qenë me të vërtetë e jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Gjermanët, thonë se “djalli fshihet pas detajeve” dhe detaji te paga minimale qëndron në sasinë e taksave që një numër i madh shqiptarësh do të paguajnë si pasojë e rritjes së pagës minimale.
Ka edhe diçka tjetër që ka pësuar rritje të jashtëzakonshme në buxhetin e qeverisë së sotme. Ai është zëri i shpenzimeve buxhetore për Sigurimet Shëndetësore. Ai zë është rritur me të vërtetë 88%, duke arritur këtë vit në 90 milionë euro. Këto janë paratë e shqiptarëve që qeveria i shpenzon për të blerë ilaçe, por ilaçet duket se nuk gjenden gjëkundi. Gjatë muajve të fundit, media raporton për krizë permanente ilaçesh në spitalet kryesore të vendit. Shëndeti i popullatës, në fakt, nuk është diçka që përkeqësohet ose përmirësohet shumë shpejt brenda pak vitesh. Që të dyfishosh shpenzimet për ilaçe të subvencionuara, do të thotë të trajtosh dy herë më shumë të sëmurë. Por ka edhe një rrugë tjetër, atë të rritjes artificiale të çmimeve që qeveria e sotme paguan për të njëjtat ilaçe.
Pse nuk publikohet vendimi
Kishte edhe diçka tjetër të zakonshme, në qeverinë e të zakonshmes. Z.Berisha lëshoi deklarata me bollëk, por nuk e publikoi vendimin për rritjen e pagave. Nuk sqaroi se sa do t’i kushtojë qeverisë rritja dhe nuk sqaroi se sa nga rritja e tij e pagave për buxhetorët ulet për efekt të Taksës së Sheshtë. Natyrisht, deklaratat e z.Berisha nuk kryhen për efekt të gazetarëve, por për efekt të publikut të gjerë. Politika shqiptare e të gjitha kohërave, ka një llogari shumë të rehatshme. Ka për llogari faktin se 50% e popullatës, e cila jep 70% të votave në zgjedhje, jeton në fshat. Niveli i tyre ekonomik është i njëjtë, ka qenë i njëjtë dhe ka gjasa që do të mbetet i njëjtë edhe për shumë vite. Ata jetojnë në kushtet e mbijetesës. Prodhojnë vetë bukën dhe zarzavatet që konsumojnë. Blejnë rroba të vjetra dhe për këtë u del ajo pagesë qesharake që qeveria e jep si “ndihmë ekonomike”, mesatarisht 15 euro në muaj, dhe që ka pësuar rënie të fortë gjatë kohës së qeverisë së sotme. Statistikat e të gjitha qeverive i paraqesin 100% të vetëpunësuar.
Duke i shpallur të vetëpunësuar, qeveritë i kanë larë duart nga hallet e tyre. Zgjidhja që ata kanë për jetën, është të kalojnë malin për në Greqi si punëtorë sezonalë. Inflacioni i prek pak ose aspak. Ajo që konvencionalisht njihet si “krizë ekonomike” është fenomen thelbësisht urban, aty ku njerëzit nuk e prodhojnë vetë bukën që konsumojnë dhe ku njerëzit kanë sedër e jo të gjithë blejnë rroba të përdorura. Për këtë kategori, politika nuk ka pse të shqetësohet shumë. Sepse qytetet japin një numër shumë të vogël votash. Ata që votojnë e kanë ndarë mendjen prej të gjitha kohërave se kujt do t’ia japin, pavarësisht gjendjes ekonomike.
Gjatë ditës së djeshme, pata rastin të dëgjoj edhe disa kritika nga politikanë nga opozita, që bënin të njëjtën deklaratë që e kemi dëgjuar gjithmonë: “Rritja e pagave është e gënjeshtërt se janë rritur çmimet”. Politika këtu te ne jeton në ekranet e televizioneve. Synimi i parë dhe i fundit është të bëhet një deklaratë dhe të dilet në ekran. Nuk ka rëndësi se çfarë thua.
Disa media, e dinë që të gjithë qytetarët presin të mësojnë se a do t’u rriten të ardhurat apo jo dhe për këtë arsye, nuk kanë pse të shqetësohen për kokëfortësinë e shifrave. Rritja e pagave “shet”. Mosrritja, “nuk shet”. Vërtetësia ka po aq pak rëndësi për median mendjelehtë sa edhe për politikën në lajmet mbi pagat. Disa gazeta madje, gjatë javëve të fundit nxituan të shpallin pagat e reja para se vetë z.Berisha t’i deklaronte. Dhe kur vendimi final i qeverisë të zbardhet, a kur mjekët e mësuesit të marrin pagat e reja e të mësojnë se sa është rritja (dhe a ka rritje), vala e akuzave dhe kundërakuzave, do ta ketë mbytur të vërtetën.