Kohë pas kohe, politika kthehet dhe rikthehet në temën e vjetruar tashmë të hapjes së dosjeve për ish-sigurimsat. Edhe në këtë verë “të nxehtë”, po përsëritet e njëjta histori; po kërkohet një ligj për zbardhjen e dosjeve. E ndërsa deputetët zhvillonin debate për draftet në fjalë, (që paskëshin mbetur për dy vjet në sirtarët e Kuvendit), publiku i gjerë ende ishte nën përshtypjet e deklaratave të bëra pas shfaqjes së dokumentarit “Gjembat e flakëve dhembin”; një film që pasqyron persekucionet e kohës së diktaturës. Në ato deklarata, u lexua qartë vazhdimi i përplasjes midis maxhorancës dhe presidentit Bamir Topi. (Përpjekja për kufizimin e autoritetit dhe të kompetencave të këtij të fundit, është një frymëzim i vonë, por tashmë i verifikuar.)
E kështu, tani është shpallur si një gjë e ditës tema e spiunëve; kurse kanë mbetur në sfond disa nga arsyet pse përplasja (në vetë shumicën) filloi me dekretet dhe vazhdoi me histori spiunësh. Një prej këtyre arsyeve, është zbardhja e tragjedisë së Gërdecit, përfshirë trafikun e armëve; por aty, në radhë, qëndrojnë edhe shpenzimet e pakufizuara për Kalimashin, kaosi i “bakër-kërkuesve” në Bulqizë e gjetkë, grevat e urisë, mungesa e lëvizjes së lirë, kërkesa për ujë, shtrenjtimi i jetesës, e kështu me radhë. Për rastësi, këto ditë kemi patur rastin të rishohim, në një kanal televiziv jo fort të njohur, filmin “Vdekja e kalit”, të regjisorit Saimir Kumbaro. Ky film pasqyron dramën e një njeriu të thjeshtë, veteriner i një qendre mbarështimi kuajsh, që përndiqet e vuan maksimalisht në kushtet e shkatërrimit të kësaj qendre; gjithçka ndodh në kuadrin e fushatës kundër “armiqve në ushtri”. (Bëhet fjalë për vitin e largët 1975.) Loja brilante e aktorëve të njohur Timo Flloko dhe Rajmonda Bulku, nën një regji sa të thjeshtë, aq edhe të veçantë, zbulon për shikuesit detaje të dhimbshme të një jete që shkatërrohet. Dhe në finalen e filmit, viktima përballet me ish-përndjekësin dhe denoncuesin e tij, i cili pasi kishte bërë njëherë karrierë në kurriz të presë së vet, rikthehet të fillojë një tjetër karrierë demoni, tashmë si... demokrat(!)
Shumë kohë pas atyre çka rrëfejnë dokumentari “Gjembat e flakëve dhembin” dhe filmi “Vdekja e kalit”, historia e dosjeve është sjellë në skenë edhe njëherë. Për të qenë sa më pranë së vërtetës, duhet thënë se disa nga përbetimet kryesore të demokratëve, përpara se ata të vinin në pushtet, ishin: hapja e dosjeve, distancimi nga krimet e komunizmit, demaskimi i ish-byroistëve, integrimi i shtresave të të përndjekurve politikë dhe ekonomikë, e kështu më tej. Në ardhjen e tyre të parë në pushtet, në vitet ‘91-‘97, demokratët zhvilluan gjyqin e famshëm të kafeve. Pastaj u bënë një me socialistët për të miratuar Ligjin famëkeq 7051. Në Kuvend, në qeveri dhe në institucione, përfshinë shumë ish-spiunë. Është e dyta herë që ata (dhe jo vetëm ata) po përpiqen të japin një përgjigje në lidhje me atë se ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj së shkuarës dhe individëve që (për përfitime vetjake apo edhe për shkak rrethanash ekstreme), i shërbyen diktaturës si mashë. Në këtë temë, ka një apel të kahershëm edhe nga Strasburgu; integrimi i vendit në BE dhe në strukturat e tjera perëndimore, nuk mund të realizohet pa një “Lamtumirë!” me të shkuarën. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, gjithashtu kanë kërkuar - në mënyra të ndryshme - që vendi të mos drejtohet më nga ish-komunistët dhe bijtë apo vazhduesit e tyre; që ish-sigurimsat dhe përndjekësit e shtresave të persekutuara politikisht dhe ekonomikisht, të demaskohen; më e pakta, të mos flirtojnë lirisht me (të gjitha) pushtetet e në mënyrën më cinike. Në përgjigje të këtij vullneti, ka patur vetëm variacione të rrëfimit të legjendës. Kurse mbajtësit e pseudonimeve, janë fshehur dhe vazhdojnë të fshihen.
Do të duheshin shumë më tepër radhë se kaq, për të shtjelluar shkaqet e kësaj sjelljeje të pakuptimtë ndaj së shkuarës dhe ndaj “të shkuarve”. Por nuk do të ishte ndonjë konstatim i padëgjuar të thuhej se përgjithësisht kjo bëhet për të hequr vëmendjen e publikut nga problematikat që shkaktojnë kokëçarje; për të patur në dorë situatën, në rastet kur jo të gjitha institucionet janë nën kontroll; më së fundi, për të luajtur fijet e kukullave (që kanë dosje) sipas interesave të çastit. Siç thotë edhe Niche, bota është arenë e luftës së ashpër e të përjetshme për pushtet. Dhe kështu, vit pas viti, pushtet pas pushteti, puna e dosjeve ka ardhur duke u bërë legjendë; kurse ndarja me komunizmin, një vuajtje e madhe. Përgjatë gjithë tranzicionit, kemi jetuar sërish mes spiunëve dhe historive të tyre. Përkrahja e shtresave të persekutuara politikisht dhe ekonomikisht, është bërë me hope e sipas rrethanave. Administrata e shumicës së sotme, institucionet kryesore, kanë në gjirin e vet - madje edhe në postet më të larta - jo pak ish-komunistë të konvertuar në demokratë. Për fat të keq, edhe ish-spiunë. Më tej, kthimi dhe kompensimi i pronave, edhe pse një nga detyrat e shtëpisë që Evropa priret t’i korrigjojë me shumë vëmendje, kalon nëpër një kalvar të vërtetë; (përjashto pronat e familjeve të drejtuesve kryesorë të shtetit, prona që kanë gjetur sakaq të zotin). Përballë detyrimeve për zgjidhje afatgjata, shumica, edhe njëherë, po përpiqet të përfitojë në kurriz të të persekutuarve dhe duke prodhuar bubullima; shiu i shumëpritur është ende larg. Përkundër intrigave të politikanëve, shumica e opinionit publik është shprehur qartë se individët që dëshirojnë të bëjnë emër në politikë, duhet të jenë “të pastër”; po ashtu edhe ata që mëtojnë postet më të rëndësishme dhe institucionet kryesore të shtetit; në “sitë” duhet të kalojnë gjithashtu edhe drejtuesit e mediave kryesore, sikundër protagonistët e politikave redaksionale. Por një pjese të politikës nuk i intereson zgjidhja njëherë e mirë e çështjes; asaj i intereson legjenda, sepse kështu nxirren vazhdimisht përfitime dhe vazhdimisht bëhet presion, ndërkohë që humbasin ujq e gjurmë bashkë. Ka gjasa pra, që edhe këtë herë të kemi një shfaqje. Dhe pastaj... “Jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq...” (Xhorxh Oruell “Republika e kafshëve”).