Hene, 13 Tetor 2008 16:27:16

Lexoni versionin Print

Postulati “Merkel” dhe ndryshimet në qeveri

Rikompozimi i qeverisë “Berisha” është tashmë realitet i padyshimtë, temë e ditës për politikën dhe opinionin publik shqiptar, sepse normalisht, rikompozimet në fund të mandatit nuk janë të lehta.

Nga Gëzim Tushi
Enjte, 24 Korrik 2008 08:09:00

 

Rikompozimi i qeverisë “Berisha” është tashmë realitet i padyshimtë, temë e ditës për politikën dhe opinionin publik shqiptar, sepse normalisht, rikompozimet në fund të mandatit nuk janë të lehta. As politikisht e as nominalisht. Por ato janë të domosdoshme të bëhen, duke u nisur nga vlerësimi i performancës tërësore të qeverisë dhe e punës së secilit ministër. Presionet që kanë filluar të përplasen në “derën” e z.Berisha, janë të kuptueshme, të natyrshme, normale, për çdo qeveri të kompozuar mbi bazë koalicioni. Rikompozimi i qeverisë dhe përzgjedhja e ministrave, qoftë në qeveritë e majta apo të djathta, këto dy dekada, jo gjithnjë ka qenë punë serioze dhe e suksesshme e politikës shqiptare. Kriteret e përzgjedhjes së ministrave në postet e tyre, nuk kanë qenë gjithnjë të bazuar në nominalizmin meritokratik, por mbi bazën e presionit dhe parapëlqimeve subjektive të partive aleate.

Që të zgjedhësh ministra nuk është e lehtë, sepse thuhet se ministër i suksesshëm është ai që ministrinë e bën “shtëpi të tij”. Këtë postulat politik, këtë mekanizëm për vlerësimin dhe përzgjedhjen e ministrave, e ka evidentuar Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Sipas saj, ministri dhe ministria janë dy institucione, që në një moment të caktuar, kanë efektivitet kur bëhen “një”. Këtë bindje personale për kualitetet e çdo ministri, ajo e mendon mbi bazën e konceptit të saj, se “ministria duhet të jetë shtëpia e ministrit”. Jo në kuptimin që ministri fle aty. Jo, por në kuptimin, që ministri e do ministrinë dhe është po aq i lidhur me “fatin e saj”, sa është i lidhur me shtëpinë e tij. Merkel, ka të drejtë që e mendon vlerën dhe personalitetin e ministrit, në lidhje të ngushtë me performancën e punëve në ministrinë e tij. Ky mentalitet modern i qeverisjes është bërë masiv në tipologjinë moderne të qeverive të kohës tonë. Ky mentalitet i politologjisë, ka filluar të ndikojë në pretenciozitetin e opinionit tonë publik, në zgjerimin e kërkesës së tyre për të patur ministra sa më cilësorë në qeveri, pavarësisht ngjyrës së saj.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të jenë indiferentë. Ata janë të shqetësuar, në pritje, se cili do të jetë qëndrimi i kryeministrit Berisha për të riformatuar një kabinet të ri, me ministra më të mirë, më të suksesshëm. Nuk është rastësi që qytetarët janë bërë kaq sensibël, sidomos për kandidaturat e reja që mund të inkorporohen në qeverinë e re...

Në shoqëritë e hapura, demokratike, përveç perceptimit dhe vlerësimit “en bloc” të eficiencës së qeverisë si “kabinet”, si “strukturë kompakte”, monokolore apo rezultat aleancash, ka një perceptim nominal, të veçantë të punës së secilit ministër. Kohët kanë ndryshuar dhe relacionet e publikut me performancën e punës së ministrave, janë bërë më të ngushta. Herë pas here, mediat kanë organizuar intervistime të opinionit të qytetarëve. Janë organizuar anketime për të tërhequr mendimin qytetar, se cili është “ministër i suksesshëm” dhe cili nuk është i tillë.

Me gjithë defektet e organizimit të anketimeve mediatike dhe të mundësisë së ndonjë instrumentalizimi të opinionit, apo për shkak të mungesës së përvojës së medias për aplikimin e teknologjisë së “demoskopisë” (matjes së opinionit), duket se reagimi qytetar ka qenë përgjithësisht i pjekur, i kujdesshëm. Ka një dëshirë të dukshme të opinionit, një përgjegjësi qytetare reaguese për rikompozimin e qeverisë “Berisha”, për ta bërë atë të aftë, eficiente, rentabile.

Qeverinë e përbëjnë ministrat e saj. Në këtë kontekst, veprimtaria e tyre nuk është më e mbyllur nga opinioni publik, i cili reagon jo vetëm ndaj problemeve që kanë të bëjnë me sjelljen, moralin dhe ndjeshmërinë publike, por dhe me aftësitë për të ndryshuar punët, nëpërmjet reformave të menduara, pozitive e progresive. Në kohën moderne ka shumë forma dhe mënyra të alambikuara për të “maskuar” thelbin e sendeve, esencën e të gjërave, duke krijuar imazh dhe mirazh, në të cilin shpesh shfaqja mbulon thelbin, ose që thelbi të mos duket si shfaqje. Në perceptimin e punës së një ministri mund të ndikojë pasqyrimi jorealist i punës nga media, për shkak të fuqisë dhe trafikut të influencës, lojës me manierat ministrore të ministrave që nuk janë, por që duken të suksesshëm. Lidhjet me median, janë “meraku i parë” i çdo ministri. Kjo nuk është gjë e keqe. Marrëdhëniet e ministrit me publikun përmes medias, janë të nevojshme dhe të domosdoshme, deri në nivelin e nevojës së publikimit të arritjeve, rezultateve dhe dëshirës normale për sensibilizim mediatik të opinionit publik. Mirëpo, kjo nuk mjafton. Nuk është ministri më i mirë ai që di të “komportohet” mediatikisht. Puna e tij nuk matet vetëm me relacionet e tij me gazetat dhe televizionet publike dhe private, as me sasinë e kronikave për publikun. Ministri nuk është nëpunës, që e mat suksesin e tij me “produktin e mediatizuar”. Ai është misionar sepse, vjen nga politika, sepse është politikan, përfaqësues “omnipotent” i një politike të caktuar

Këtë raport të ministrit me ministrinë, e trajton së tepërmi politologjia moderne bashkëkohore, si një problem të veçantë. Sepse, siç ka thënë me të drejtë politologu gjerman, Erhard Epler, “ministritë ekzekutojnë vullnetin politik të ministrave”. Në këtë kontekst, përgjegjësia e ministrit është shumë më e madhe se ajo e administratës së tij. Roli personal i ministrit është shumë i madh, i veçantë, i fuqishëm në drejtimin dhe udhëheqjen e punëve, sipas specifikës së secilës ministri.

Ndërtimi i kabineteve qeveritare moderne, është i konceptuar dhe ndërtuar, sipas parimit “ministri vendos”. Kjo prerogative e fuqisë personale të ministrave, është e lidhur me përgjegjësinë e tyre për mbarëvajtjen e punës në sektor.

Dihet që, në distancë, puna e një ministri dhe rezultatet e reformave të tij, janë më të kuptueshme, më të perceptueshme. Impakti i punës së ministrit, jo gjithnjë është i përputhur me kohën e qëndrimit të tij si ministër. Efektiviteti i ministrit, shpesh duket në distancë. Gjurmët që lë në ministri, shpesh janë më të rëndësishme sesa “hija” e tij, kur është në pushtet. Çështja që duhet shtruar është nëse ministri drejton, apo udhëheq? Në të vërtetë, kur zgjedhim apo përzgjedhim ministra, duhet që kryeministri të niset nga parimi se Ai edhe drejton ministrinë jo vetëm politikisht, (kjo është bërë formulë shpëtimtare për disa ministra), por duhet të jetë i aftë të udhëheqë administratën e ministrisë, e cila është plotësisht në dispozicion të tij. Nuk ka vlerë, statura dhe përkatësia politike e ministrit që nuk është në gjendje të udhëheqë administratën e ministrisë. Këtë rast, kur ministri nuk është në gjendje të drejtojë dhe udhëheqë administratën e tij, Merkel e tipizon me fjalët se “nuk është ministri që udhëheq ministrinë, por është ministria që udhëheq ministrin”.

Detyra e ministrit nuk është kaq e lehtë sa që të pretendoj se mund ta bëjë kushdo. Këtu tek ne mundet, sepse deri tani asnjë prej ministrave të qeverive të majta dhe të djathta nuk ka mbajtur përgjegjësi për punën dhe dështimet. Ministra që e shikojnë nga jashtë ministrinë, vetëm si tërësi të drejtash dhe kompetencash, mund të gjesh sa të duash, majtas dhe djathtas. Ndoshta koha kërkon që t’i japim fund konceptit se mund të bëhesh ministër duke imituar modele e “tipologji ministrash”, që janë bërë të shquar, madje kanë lënë edhe maniera për t’u imituar nga të tjerët, pasi kanë lënë pas një karrierë personale të suksesshme. Në situatën e tanishme të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kryesore është dora përzgjedhëse e Kryeministrit, e cila duhet të jetë e vetëmjaftueshme, për të zgjedhur ministra që kanë aftësi ta bëjnë ministrinë “shtëpi të tyre”. Ndryshe, rikompozimi nuk do të ketë ndonjë vlerë kushedi se çfarë. Ky është mësimi i gruas së fortë gjermane, Kancelares Angela Merkel, që besoj se i duhet z.Berisha, tani që është duke riformatuar qeverinë e tij.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML