Prita 24 orë, për t'i dhënë kryeministrit Sali Berisha shansin që të ngrihet nga bataku i primitivizmit ekstrem, ku u zhyt kokë e këmbë në mes të natës, duke spërkatur me baltë gjithë Parlamentin e Shqipërisë e duke turpëruar të gjithë popullin që e ka kryetar qeverie, dhe për të kërkuar ndjesë.
Prita 24 orë, për t'i dhënë kryeministrit Sali Berisha mundësinë që të kujtohet se nuk jemi as në kohën e kacafytjeve mes fiseve primitive dhe as në vendin e hakmarrjes a të gjakmarrjes, po në shekullin e XXI dhe në Shqipërinë kandidate për NATO e për Bashkimin Europian, ku është e papërfytyrueshme të qeveriset duke sharë nga motrat e duke dhunuar me fjalë e me grushte deputetët e opozitës dhe ku ndjesa publike, pas shfaqjesh shumë herë më pak të papëlqyeshme sesa ajo e Kryeministrit tonë parmbrëmë, është normë e pashmangshme.
Prita 24 orë, për t'i dhënë kryeministrit Sali Berisha kohën e nevojshme për të mbledhur forcat e për të gjetur kurajën që t'u thotë, jo thjesht deputetit Taulant Balla e familjes së tij, as edhe thjesht deputetëve socialistë dhe atyre që i kanë zgjedhur, po të gjithëve pa përjashtim, qytetarëve shqiptarë pa dallim përkatësish e simpatish politike, se është penduar për atë shfaqje monstruoze që ka skandalizuar e shqetësuar çdo shqiptar, të madh e të vogël, prindër e fëmijë.
Të nesërmen nuk ishte dita për të bërë replikën bajate të radhës dhe aq më pak, për të kërcitur dhëmbët duke iu përgjigjur vulgaritetit qeveritar me vulgaritet opozitar, po dita për t'u lënë të gjithë shqiptarëve mundësinë të njiheshin me dëshminë rrëqethëse dhe të dëgjonin dëshmitarët, në emër të të cilëve foli dje kryetarja e grupit socialist.
Ndërsa sot është dita për të thënë se Sali Berisha e mbuloi veten me një turp tjetër, të pashembullt e të padëgjuar në historinë e Shqipërisë e të Europës, por edhe se turpi i asaj nate sot rëndon akoma më shumë sepse duke mos kërkuar asnjë lloj ndjese, Kryeministri i Shqipërisë u thotë të gjithë shqiptarëve, pa dallim, se për të s'ka asnjë fije rëndësie dinjiteti i tyre si qytetarë e si zgjedhës.
Këtë turp të madh asnjë shqiptar e shqiptare s'duhet ta harrojë dhe, madje, duhet ta kujtojë mbi të gjitha ato që duhen mbajtur mend për ditën e zgjedhjeve të ardhshme. Sepse kjo e këtyre dy ditëve ishte shprehja më shembullore e faktit se shqiptarët e shqiptaret, qofshin ata që nuk e kanë votuar, qofshin ata që e kanë votuar Sali Berishën, për Kryeministrin e Shqipërisë s'janë vëllezër e motra, s'janë nëna e baballarë, s'janë gjyshër, nipër e mbesa, s'janë njerëz të cilëve ai duhet t'u shërbejë me përkushtim e përulësi, po janë thjesht një turmë ndaj së cilës zoti Kryeministër s'ka as detyrimin të përmbajë pulsionet e tij primitive, e as obligimin minimal të ndjesës publike.
Përkundrazi, në vend të ndjesës me duart e shërbëtores së tij Jozefinë, Kryeministri përjashtoi për 15 ditë nga Kuvendi, viktimën e barbarisë së tij.
Kush ka sy të shikojë kush na qeveris, kush ka veshë të dëgjojë si na qeveris, kush ka mend të mos harrojë asgjë, për të mos lejuar që ky njeri jo vetëm i paaftë e i papërgjegjshëm, po edhe pa asnjë skrupull, të na qeverisë përtej afatit që i skadon në më pak se një vit.
Ora e Sali Berishës në krye të vendit po mbaron. Ka filluar ora e një Shqipërie të re, përmes një bashkimi të ri...