9 vjet më parë, problemet e shumta që karakterizonin dhe që fatkeqësisht ende mbajnë peng arsimin e lartë shqiptar më detyruan edhe mua, njësoj si shumë të rinj të tjerë, të zgjidhja largimin nga Shqipëria për të përfituar një shkollim më cilësor.
Gjatë pesë viteve të studimeve në Shtetet e Bashkuara, muaji korrik ishte i preferuari i vitit. Përfundimi i shkollës mundësonte kthimin në Shqipëri, për t'u ritakuar me familjen, miqtë e të njohurit. Dhe ashtu si për ju, vera kalonte shpejt e këndshëm në Shqipëri. Fundjavat në Jug të vendit, festat në Tiranë, lokalet në Bllok, ushqimi i mirë, ndjesia e të qënurit në shtëpi, gjithçka perfekte në plan të parë.
Por gjatë bisedave me të afërmit, mes njërit udhëtim në Vlorë a Dhërmi, ishte e pamundur të qëndroje indiferent ndaj asaj që shikoje, dëgjoje, ndieje. Infrastrukturë e rrënuar, natyrë e shpërfytyruar, shërbime që linin për të dëshiruar, papunësi dhe varfëri që qëndronin duarkryq në çdo qytet a fshat ku të binte rasti të kaloje. Dhe nëse do rastisje të lexoje ndonjë gazetë apo shikoje ndonjë lajm, situata ngjante edhe më dëshpëruese. Shikoje të njëjtët politikanë, që flisnin për të njëjtat gjëra, vit pas viti. Fatkeqësisht, retorika politike nuk ndryshonte, as problemet. I vetmi ndryshim dallohej tek qeveritarët, që vit pas viti trasheshin, dhe jo vetëm në përmasa.
Por çdo sfidë është në vetvete edhe një mundësi. I gjithë ky realitet, të gjitha këto arsye, ishin shtysat kryesore që së bashku me disa miq të tjerë të themelonim Lëvizjen “Mjaft!”. Gjatë pesë viteve në “Mjaft!”, nga shumica e studentëve shqiptarë që jetonim jashtë shiheshim si një grupim simpatik, modern, me të cilët ia vlente të identifikoheshe. Gjatë gjithë asaj periudhe, por edhe tani, mbështetja e shqiptarëve që jetonin jashtë vendit ishte e pakursyer. Mijëra telefonata dhe e-mail-e të cilat në vetvete përbënim një inkurajim të veçantë, pasi përmes tyre arrije të kuptoje se puna jote kishte vlerë, angazhimi linte shenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Megjithatë, edhe pse inkurajuese, herë pas here këto mesazhe kishin efektin e kundërt dhe të linin një shije të hidhur. Sidomos kur merrje e-mail-e që të përgëzonin për punën dhe të shprehnin gatishmërinë e dërguesit për t’u kthyer në Shqipëri sapo gjërat të ndryshonin. “Urime dhe suksese, pasi bashkë me kolegët tuaj, po ia ndryshoni faqen Shqipërisë! Dhe në momentin e parë kur në Shqipëri situata të stabilizohet, ne do të kthehemi, pasi nuk ka si vendi jot". Me pak fjalë, kurajë, luftoni të vetëm e kur beteja të ketë përfunduar, ne aty do jemi!
Unë dëshiroj të shmang pikërisht këtë logjikë, të cilën refuzoj ta pranoj. E refuzoj për faktin e thjeshtë se nëse të gjithë do të mendonin kështu, atëherë ndryshimi nuk do të ndodhte kurrë. Nëse të gjithë do të prisnim që dikush, dikur, të vinte e të ndryshonte Shqipërinë, jam i sigurt se do të prisnim pa fund. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata për të cilët kemi pritur kaq shumë kohë.
Studentët që koleksionojnë njohuri, vlera dhe eksperiencë të vyer jashtë vendit janë një kapital i vyer i atdheut tonë, një kapital intelektual, ende i pashfrytëzuar ashtu siç duhet. Ndaj unë dëshiroj të dëgjoj prej jush idetë tuaja, për t'i dhënë përgjigje problemeve me të cilat vendi ynë përballet prej të paktën tetëmbëdhjetë vjetësh. Dëshiroj të dëgjoj prej jush pengesat që ende ju mbajnë larg Shqipërisë dhe njëkohësisht mënyrat për t'i kapërcyer ato bashkërisht. Si mund ta lehtësonim burokracinë? Cilat mund të ishin disa incentiva që ta bënin më të lehtë rikthimin tuaj? A ekziston ndonjë mundësi për ta thjeshtëzuar ekuivalentimin e diplomave? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga eksperiencat e shteteve të tjera, si Irlanda apo Izraeli, që rikthimin e trurit e kanë kthyer prej vitesh në prioritet? Por më shumë se gjithçka, unë dëshiroj të marr prej jush konfirmimin se besoni ende që Shqipëria jonë mund të ndryshojë, se jeni të gatshëm për të dhënë kontributin tuaj, për ta bërë këtë ndryshim real e të prekshëm, se keni vullnetin dhe dëshirën për t'u investuar në të ardhmen e vendit tonë.
Një nga qëllimet strategjike të “G99” është të sjellim më të mirët në shërbim të publikes. Dhe këtë qëllim, jam i sigurt se mund ta përmbushim bashkërisht. Mes nesh ndodhen me dhjetëra profesionistë të shkëlqyer, angazhimi i të cilëve në administratën publike do i bënte nder shtetit shqiptar. Edukimi, respekti për punën, profesionalizmi, vullneti, idealizmi dhe përkushtimi janë vlerat më të rëndësishme që i nevojiten menaxherëve të ardhshëm të Shqipërisë.
Dhe mendoni për një moment impaktin që kthimi juaj do të kishte. Mendoni pak për ndryshimin që angazhimi juaj do të provokonte. Përfytyroni një Shqipëri ku politikëbërësit janë në radhë të parë qytetarë, janë të aftë të frymëzojnë, të përgatitur intelektualisht e profesionalisht. Përfytyroni një Shqipëri në të cilin interesi parësor është ai publik e jo privat, ku të gjithë përpiqen të përmbushin një sfidë të vështirë, por jo të pamundur, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të ketë të sigurt mundësinë që përmes punës së ndershme të arrijë të jetojë i qetë e i sigurt.
Ashtu si Kennedy thoshte rreth gjysëm shekulli më parë, sot para nesh janë dy mundësi. Mund t'i vështrojmë gjërat ashtu siç janë dhe të pyesim pse, ose të ëndërrojmë për gjëra që ende nuk kanë ndodhur e të pyesim pse jo?!
Miq të dashur, ky është udhëkryqi në të cilin ndodhet sot Shqipëria. Mund të jeni indiferentë, ose mund të angazhohemi bashkërisht për të zgjedhur rrugën e duhur, me vetëdijen se kjo sfidë nuk do të jetë as e lehtë e as e shkurtër, por të lehtësuar nga fakti se pas disa vitesh mund t'u thoni fëmijëve tuaj: Unë isha aty, unë isha pjesë e ndryshimit.
*Fjala e mbajtur në dëgjesën "BRAIN-GAIN: Kthimi i elitave, një domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare", të organizuar nga “G99” me studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.