"Caqet e gjuhës sime janë edhe caqet e botës sime". Kjo maksimë e Ëittgensteinit më erdhi sërish ndër mend në ato orë të vona të natës, kur goja e Kryeministrit aktual të Shqipërisë la pa gojë bashkëkombësit e tij, duke e shndërruar selinë e Parlamentit në një mejhane të fëlligë e të rrezikshme, prej së cilës duhet dalë me vrap, pa kthyer kokën pas. Shtysa e brendshme e arratisë nga e keqja më kish servirur përsëri këtë maksimë, si reagim ndaj dikujt që duhej t'i ish hequr filli prej kohësh. Por një shtysë ende më e fortë, ajo e ndërgjegjes qytetare shumë herë të dhunuar, ma shprishi këtë moment ngushëllimi.
Një reagim i tillë shpërfillës vlen kur është fjala për ndonjë të dehur të plogët e të papërgjegjshëm, që u lëshon kalimtarëve fjalë fyese e të pacipa nga skuta ku është kruspulluar. Porse këtu nuk është aspak rasti për t'u dëftuar tolerant njëlloj si me një qyqan trumpirë e të padëmshëm, të cilin jeta e ka vënë poshtë. "Nuk e kemi shqyp fjalën tolerancë, - thotë padër Anton Harapi, - por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, por nuk barim as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me qëllim na merr nderin". Kryeministri i këtij vendi, ai që ka marrë përsipër t'u drejtojë jetët shqiptarëve, në fakt po u merr nderin atyre. Ndaj merret vesh se indinjata ndaj fjalëve të tij është pjesë e tolerancës, pasi jemi para fakteve që më nuk mund të tolerohen.
Për sa kohë kufijtë e gjuhës së një individi janë edhe kufijtë e botës së tij, kjo mbetet punë e vetja, por kur këto kufij janë ato të botës që drejton Kryeministri ynë, kësaj i thonë që faqe nesh e në sytë e botës rrotull nesh, këto të shndërrohen bash në kufijtë e universit shqiptar. A përnjimend të tilla meritojnë të jenë kufijtë e gjindjes sonë?! Në breshërinë e ndytë të sharjeve që ky prijës lëshoi nga goja, shënjestra e tij e poshtërimit qenë gratë: nëna, gruaja, motra. Kjo të kujton menjëherë veprimet e njerëzve të egjër të Karaxhiçit, të cilët zgjidhnin përdhunimet e grave si rrugë për të përgjunjur e poshtëruar etninë tjetër apo kundërshtarët. Nuk është aspak prej shqiptari, pra, një sulm i tillë.
Në traditën zakonore tonën, qyshse mbahet mend shqiptari, figura e gruas dhe vashës janë rrethuar nga kulti i respektit, dhe pikërisht ky pozicionim në majë të hierarkisë etike, ka përbërë një nga tiparet e shquarsisë së universit tonë. E nëse në ditët e sotme na duhet ende të luftojmë për ta konsoliduar fort këtë hierarki vlerash, kjo vjen kryesisht prej veprimeve e mendësive antinjerëzore si kjo e Kryeministrit. Këto nuk janë kufijtë që universi shqiptar meriton t'i ngucen!
Më anë tjetër, pikërisht se kjo është gjuha që përdor prej kohësh ky drejtues - herë President, herë lider opozite, e herë Kryeministër - gjuhë që përforcohet nga të ngjashmit me të në Parlament, jemi sot para faktit se kjo po shndërrohet në gjuhën përfaqësuese të këtij grupimi politik. Përvoja e studimeve linguistike ka dëftuar se gjuha e përdorur nga stafi drejtues i një shteti është njëri nga modelet e imitimit për publikun, madje procesi i imitimit është diçka e pakontrolluar dhe fiziologjike për çdo shoqëri. Është e tillë edhe për ato shoqëri, rrjedha e të cilave nuk ka pësuar thyerje të rënda të traditës, si dhe përmbysje të shpeshta të sistemit të vlerave. Afërmendsh pra, është tejet më e rrezikshme, për një shoqëri me ekuilibre të brishta si kjo jona, e cila pikërisht për faj të kësi individësh, nuk e ka kaptuar ende qerthullin e mbrapshtë e të mundimtë të tranzicionit.
Nga shfaqje të tilla, publiku priret të përvetësojë ligjërimin e institucioneve tona mjerane që e udhëheqin, bash këtë ligjërim, që fillimisht ka gërryer e degjeneruar institucionet vetë. Një ligjërim i sëmurë, dëftues i qartë i një lëngate politike të këtij vendi, mendoni pak ç'mund t'u shkaktojë fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët nuk i kanë ende të formuara plotësisht filtrat mendore për ta ndarë qartas ushqimin nga helmi? Sot shumëkush e di se shoqëria shqiptare po vuan, veç tjerash, edhe pasojat psikologjike të një modeli politik destruktiv e çorientues, si ai që u ofrua në mëse gjysëm shekulli. E pra, a duhet të tregohemi sërish ligaçë në "tolerancën" tonë e të lejojmë që brezat e shqiptarëve, sot rioshë, të zëvendësojnë gradualisht një model edukimor helmues me një tjetër model njëlloj helmues, madje edhe më të rrezikshëm? Këtë shpërblim duhet t'u japim vallë miliona familjeve shqiptare, të cilat në luftë të përditshme me të keqen, mundohen që përmes edukimit e shkollimit, t'i ndajnë bijtë e vet nga e keqja?
Justifikuesit mëtuan t'i thonë publikut të shtangur nga dhuna e pështirë se nuk qe faji i dhunuesit, pasi ai veproi ashtu pa vetëdije, për shkak se u provokua. A me gjithë mend e kanë këta justifikues, apo janë edhe ata nën psikozën e dhunës? Me këtë logjikë, deputeti Balla mund të vritej në atë sallë, se qenkësh ai provokuesi. E tmerrshme!
Pra, nëse dhunuesi i ka thënë ato fjalë pa vetëdije, kjo është diçka shumë herë më e rëndë. Të thëna me ndërgjegje, fjalët edhe mund të shkëmbeheshin me një presion verbal politik, pas të cilit autori ndalon dhe arsyeton. Por meqë, siç konfirmuan justifikuesit, fjalët dhe kërcënimet ngjethëse u lëshuan në mungesë të vetëdijes, kjo ka hak ta trembë vërtet shumë shoqërinë tonë, pasi ajo konfirmon me të drejtë se udhëhiqet nga dikush që e humbet kontrollin mbi veten dhe veprimet e tij; dhe kush dreqin e merr vesh atëherë se deri ku mund të shtyhet autori në prapësitë e veta!
Etika dëfton se skandali i vërtetë për një shoqëri është kur asgjë nuk përbën më skandal. Dy ditët e fundit pohojnë se kjo fjalë vlen për lidershipin e këtij vendi dhe për gardhin e zellshëm të të ngjashmëve me të, por nuk janë e nuk mund të jenë tipar i shoqërisë shqiptare. E them këtë pasi shumëkush mund ta ketë vënë re që këto ditë, në përcjelljen e lajmit, folësit e mediave elektronike, të gjithë pa përjashtim, u treguan të përkorë në përcjelljen e këtij skandali etik, duke mos i shqiptuar të plota në asnjë rast fjalët e turpshme.
Kjo është shenjë e qartë se niveli i qytetarisë së mediave tona elektronike qëndron shumë herë më lart se niveli i forcës aktuale drejtuese. Duhen falënderuar pra këta mediatorë, të cilët së paku ua kursyen veshëve të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë ato fjalët rrëqethëse. Ky rezervim i njëzëshëm, bashkë me kufijtë vërtetë të gjerë të universit shqiptar, tregojnë se shoqëria shqiptare e ka të fortë brenda vetes vullnetin për t'u distancuar nga e keqja morale dhe besojmë se do ta ketë po aq të fortë këtë vullnet për t'u ndarë përfundimisht nga kjo e keqe që duket se mban peng të ardhmen e saj e të fëmijëve të saj.
Machiavelli vërente se: "Ka dy mënyra për t'u ndeshur. Njëra mënyrë është ajo përmes ligjeve, mënyra tjetër përmes forcës. E para i përket njeriut, ndërsa e dyta është tashmë tipike vetëm për kafshën". Kjo sentencë i takon viteve të para të shek.XVI. Veç tjerash, prej saj mund të deduktojmë se njerëzimi, këtu e plot pesë shekuj të shkuar, e kishte mëse të qartë në vetëdijen e vet, dallimin thelbësor të njeriut nga kafsha: çfarë zgjedh ai ndaj kundërshtarit, arsyen apo instinktin? Kësisoj çdo qenie njerëzore që rron në këtë bashkësinë e shoqërisë shqiptare, sapo ka dëgjuar fjalët e mnershme, të dhunshme e të pacipa që lëshoi Kryeministri ndaj kundërshtarit të tij politik, dhe mandej sapo ka parë të shtyrat dhe grushtet që pasuan ndaj tij, çdo shqiptar pra, e ka kuptuar mirë e qartë brenda vetes, se nga ç'nivel botëkuptimor po udhëhiqet sot. E ka kuptuar, edhe në mos e pastë lexuar ndonjëherë Machiavellin.