Enjte, 08 Janar 2009 01:23:12

Lexoni versionin Print

Një kurs i ri në politikën serbe?

Me kapjen e inskenuar të Karaxhiçit në një moment më tepër se oportun dhe marrjen e vendimit për ridërgimin e ambasadorëve në vendet e BE-së, nga të cilat i tërhoqën për shkak të njohjes së Kosovës, qeveria e re serbe e udhëhequr nga një pinjoll i partisë së Millosheviqit, duket se po tenton të luajë në një terren tjetër.

Nga Ilir KALEMAJ
Merkure, 30 Korrik 2008 08:29:00

 

Me kapjen e inskenuar të Karaxhiçit në një moment më tepër se oportun dhe marrjen e vendimit për ridërgimin e ambasadorëve në vendet e BE-së, nga të cilat i tërhoqën për shkak të njohjes së Kosovës, qeveria e re serbe e udhëhequr nga një pinjoll i partisë së Millosheviqit, duket se po tenton të luajë në një terren tjetër. Rregullat e lojës pra ndryshojnë, por qëllimi është i patjetërsueshëm. Me një gur, synohen të vriten dy zogj: anëtarësimi në BE dhe lobimi i fortë kundër pavarësisë juridike, faktike dhe reale të Kosovës. Një lobim që më tepër se kthimin e rrotës së historisë mbrapsht, duket se ka për qëllim, realizimin e ndarjes funksionale të Kosovës. Marrja e bekimit ndërkombëtar për shkëputjen e Mitrovicës së Veriut nga shteti i ri i Kosovës, mos-negocimi në asnjë rrethanë i krahinave shqiptare të Preshevës, Bujanovcit dhe asaj me shumicë shqiptare të Medvegjës, shkojnë krahas përfitimeve territoriale që ndërkohë i kanë të garantuara nga plani i Ahtisarit dhe që, sipas llogaritjeve, shkojnë në rreth 10-15 për qind të territorit kosovar.

Pra, një situatë “win-win” e ideuar, projektuar dhe realizuar në mënyrë inkrementale për të arritur objektiva të qarta, të cilat realizohen nëpërmjet një loje diplomatike të fortë në momente ku shteti i ri i Kosovës është ende i brishtë dhe shteti shqiptar është kaherë i ngërthyer në problemet e veta meskine dhe andrallat e zakonshme që pengojnë të shumëpërfolurin integrim evropian.

Por disa nga lëvizjet më të fundit të diplomacisë dhe sjelljes politike ndërkombëtare të Serbisë, i kanë zanafillat shumë më herët dhe mjafton të kthehemi disa vite pas në kohë për të kuptuar një logjikë uniforme nacionaliste, por edhe pragmatiste, që mbizotëron në të gjitha kahet e politikës serbe ndaj Kosovës. Për shembull, në librin e Agim Neshos, “Në Mirëbesim: Shënime të një ambasadori”, përmendet një takim me Piter Kolbyn, i cili në atë kohë ishte Ambasadori i Norvegjisë në OKB dhe kryesonte një mision faktmbledhës në Kosovë. Pyetjes së Kolbit drejtuar Koshtunicës (sipas përshkrimit që i bën në libër Nesho), se a i kuptonte ai realitetet dhe se Kosova do ishte e vështirë, për mos të thënë e pamundur për t’iu rikthyer Serbisë, Koshtunica iu përgjigj se ai e kuptonte shumë mirë këtë gjë. Por procesi nuk mund të ndodhte pa realizimin e disa kushteve të veçanta.

Para së gjithash, duhet të riktheheshin në Kosovë serbët që ishin shpërngulur prej aty nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj tyre pas ndërhyrjes së NATO-s duke i rishitur shtëpitë, i shqetësuar se po të rrinin në Serbi, do votonin në bllok për rivalët e tij të atëhershëm, radikalët. Së dyti, Koshtunica u shfaq i bindur në bashkëbisedimin e tij me diplomatin norvegjez, se asnjë politikan serb nuk do pranonte të hiqte dorë vullnetarisht nga Kosova, përndryshe ai do ishte i “vdekur politikisht”. Nga kjo bisedë, e thjeshtë në dukje, mund të nxirren disa deduksione të rëndësishme të logjikës funksionale të qeveritarëve serbë të cilët shpesh përdorin një retorikë me dy standarde, për të arritur objektiva të studiuara dhe përpunuara qartë më parë.

Këto taktika të zakonshme të politikanëve të Beogradit, si dhe planet taktike për copëzim të territorit kosovar, të mbështetura shpesh padashje edhe nga faktori ndërkombëtar, janë vënë shpesh në pah nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe sidomos lideri i saj karizmatik, Albin Kurti, të mirënjohur tashmë edhe nga opinioni publik shqiptar, prej kohësh kanë ngritur zërin si ndaj qasjeve intransigjente serbe të cilat kërkojnë të fitojnë sa më tepër territor, nëpërmjet formulave të tipit: autonomi substanciale, apo pavarësi funksionale të pjesëve të ndryshme të territorit të Kosovës. Siç e vuri re me të drejtë z.Kurti në emisionin “Deja vu” të Mustafa Nanos, rreth një javë më parë, territoret mbarëshqiptare sot (pra duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe territoret tradicionalisht të populluara nga shqiptarë të Malit të Zi), zënë vetëm gjysmën e territoreve shqiptare në kohën e Ismail Qemalit (ku numëroheshin mbi 90 mijë km katrorë).

Ky fiksim serb ndaj territorit duket se nuk ka gjasa të ndryshojë shpejt, sado llogaritë pragmatike të disa qarqeve racionalë në politikën serbe, e kuptojnë se vetëm orientimi evropian ngelet alternativa e vetme dhe se rruga për në Evropë kalon kah njohja dhe respektimi i së drejtës për ekzistencë të shtetit të ri kosovar. Paradoksalisht, në këtë pikë, qasja serbe i përafron asaj të Hamasit në Palestinë apo Hezbollahut në Liban, të cilët refuzojnë të drejtën e shtetit izraelit për ekzistencë dhe nuk njohin sovranitetin e tij.

Ky fiksim, pra, ndaj territorit dhe dëshira për të kapitalizuar politikisht për të rritur kuotacionet politike në një vend ende të ushqyer nga mitet (sidomos ai i sakrificës) dhe të suportuar vazhdimisht nga “big brother”-i rus dhe disa shtete të tjera të fuqishëm, mund të shpjegojnë edhe sjelljen diplomatike të Serbisë në këto vitet e “moderuara” post-Millosheviq, ku logjika nacionaliste ende shfaqet dominante. Kapja e studiuar e Karaxhiqit në një moment të rëndësishëm paszgjedhor dhe që kombinon “natyrshëm” edhe me lëvizje të tjera, në dukje të zbutura të politikës serbe- në një kohë që kolegu i tij më influencial, Mlladiç, thuhet se ende ruhet në arrest shtëpiak nga Koshtunica dhe organet e Sigurimit për t’u bërë “kokë turku” në një moment të caktuar- nuk duket të jenë aspak rastësore dhe aq më pak, tregojnë një kurs të ri në politikën serbe. Derisa ky kurs të shfaqet, ngelet vetëm të shpresohet në një presion më të madh, efikas dhe konstruktiv të faktorit ndërkombëtar, vëmendja e të cilit, për hir të së vërtetës, nuk ngelet gjithnjë konstante në raport me këtë pjesë gjithnjë të trazuar të Ballkanit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML