Merkure, 07 Janar 2009 22:22:16

Lexoni versionin Print

Intelektualët dhe “zanatçinjtë e politikës”…

Nuk është ndonjë meritë e veçantë, as prirje pozitive tendenca monopoliste dhe natyra relativisht e mbyllur e politikës shqiptare. Përkundrazi, kjo tendencë është tejet shqetësuese jo për politikën, por për qytetarët dhe demokracinë shqiptare.

Gëzim Tushi
Merkure, 30 Korrik 2008 08:31:00

 

Nuk është ndonjë meritë e veçantë, as prirje pozitive tendenca monopoliste dhe natyra relativisht e mbyllur e politikës shqiptare. Përkundrazi, kjo tendencë është tejet shqetësuese jo për politikën, por për qytetarët dhe demokracinë shqiptare. Megjithëse kohët e fundit, jeta politike ka qenë e mbushur me ndryshime esenciale dhe me ngjarje intensive, që fillojnë nga ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore, ndryshimet në qeveri dhe në organet e larta të pushtetit gjyqësor dhe fillimi i plotësimit të moduleve për zgjedhjet e ardhshme për dosjet e ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit, atmosfera ka qenë dhe vazhdon të jetë e dominuar dhe e inonduar, vetëm nga gjykimet e politikanëve të të gjithë krahëve. Qytetarët dhe veçanërisht intelektualët, në përgjithësi, duket se janë tejet indiferentë për këto zhvillime.

Për çudi në këtë vend, si askund tjetër, zëri i intelektualëve ka qenë inekzistent, në minorancë të dukshme në raport me të drejtat e pakufizuara të politikanëve. Duke përjashtuar disa analistë të shtypit apo ndonjë “Komitet” që u ngrit nuk e di pse për “mbrojtjen e Kushtetutës”, pjesa tjetër e inteligjencës shqiptare, qëndron pasive, përballë ngjarjeve të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare. Jo vetëm për këtë rast, por përgjithësisht është bërë dukuri konsistente, indiferenca intelektuale për ngjarjet dhe zhvillimet politike. Nuk mund të mohohet e vërteta se interesimi i tyre përgjithësisht ka qenë dhe vazhdon të jetë në përmasa amatore, thjesht me natyrë kuriozitative. Nuk mendoj se indiferentizmi intelektual është vlerë për intelektualët dhe dobi për demokracinë tonë.

Nuk është vetëm rasti i ndryshimeve kushtetuese, shkak për të “ngritur akuzën” për indiferentizmin, apatinë politike të inteligjencës në këtë vend. Çështja është që kjo “sëmundje intelektuale” në Shqipëri ka ca shkaqe specifike, me natyrë “sui generis” të lidhura me natyrën e politikanëve dhe intelektualëve dhe me relacionet ndërmjet tyre.

Qëndrimi i politikës ndaj intelektualit dhe pozicioni i intelektualit në raport me politikën profesioniste në shoqërinë shqiptare, është një “nyje gordiane” që mbahet e lidhur nga të dy palët. Pavarësisht se në plan të parë nuk duket si problem evident socio-politik, ekzistenca e këtij raporti paradoksal, të zhbalancuar midis intelektualëve dhe politikanëve në Shqipëri, është në thelb e ravijëzuar më shumë si shprehje e “krizës” që ka kapur prej kohësh partitë politike, pikërisht nga mungesa apo largimi i pandërprerë i inteligjencës nga radhët e tyre. Këtu nuk është fjala për atë pjesë të “intelektualëve politikë” që janë bërë pjesë organike, simbiozë e pandarë e partive politike, që kanë synime imediate të karrierës personale. Ata janë “zanatçinjtë” e njohur të politikës.

Një pjesë e tyre, për shkak të kohëzgjatjes dhe vegjetimit në politikë, kanë humbur mprehtësinë dhe energjitë e politikanit profesionist nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, kanë pësuar ruptura intelektuale dhe nuk janë më ato figurat “lucide” të viteve ‘90-të. Nuk është problem “luksi”, nuk është çështje e thjeshtë, fakti që marrëdhëniet e partive politike me intelektualët në këtë vend janë mospërfillëse. Çështja është se po bëhet gjithnjë e më i ftohtë në shoqërinë tonë, raporti midis partive politike dhe “intelektualëve organikë”.

Ndërkaq, partitë politike vazhdojnë të kenë marrëdhënie të shkëlqyera me “zanatçinjtë e politikës”, pavarësisht staturës, aftësive dhe performancës së cunguar intelektuale të tyre.

Pse po humbet roli dhe legjitimiteti i intelektualit në politikën shqiptare? Pse ata qëndrojnë larg partive politike? Natyrisht, politika nuk ka forcë që intelektualin ta nihilojë dhe ta “hedhë poshtë”. Por siç po tregon koha dhe praktika e partive politike shqiptare, politika ka mundur ta “nxjerrë nga rrjedha”, me sforcime stratagjemike të menduara hollë. Intelektualin e vërtetë nuk e duan në jetë aktiv në partitë politike, jo militantët e thjeshtë, të cilët nuk kanë gjë më intelektualin, sepse nuk janë në konkurrencë nominale më të. Atë e urren dhe e sulmon ashpër “militanti gjysëm intelektual” dhe mediokër, zanatçiu i vjetër i politikës, sloganisti i rafinuar, që ia ka marrë dorën partive, dhe i vozit ato sipas interesave, duke i katandisur në “kështjellë të mbyllur” të mbretërimit autarkik të tij, dhe të kolegëve të tjerë, të një tipi dhe kallëpi jo intelektual. Dyert e këtyre “kështjellave” në të vërtetë, janë përgjithësisht të mbyllura për intelektualët. Natyrisht, jo me “çelës”, por duke kultivuar një mentalitet që frenon afrimin dhe praninë e tyre në to.

Nëse do të analizojmë me kujdes përbërjen, strukturat drejtuese të partive politike në Shqipëri, do të vërejmë se po ndodh ajo dukuri e përgjithshme, të cilën politologët modernë e shprehin me fjalët se intelektuali qëndron larg partive politike, sepse ai ka humbur bashkëbiseduesin, sepse partitë janë bërë vatra të ngrohta për “zanatçinjtë e politikës”, dhe zona të vështira për mendimin, ritmin, performancën dhe kualitetet e intelektualëve të vërtetë. Në këtë situatë paradoksale të përplasjes së intelektualit me “zanatçinjtë e politikës”, për fat të keq, këta të fundit dalin gjithnjë fitimtarë. Prandaj dhe janë të përhershëm, madje të përjetshëm në radhët e partive, në strukturat drejtuese të tyre. Edhe pse me njohuri të kufizuara, të deformuara dhe shpesh të pamjaftueshme, ata e hedhin intelektualin në “tuçin e politikës” me lehtësi, sepse ky i fundit nuk zotëron teknikën e “tapetit politik”.

Kjo ka bërë që intelektualët në vendin tonë, më së shumti preferojnë të mos përzihen me partitë politike dhe politikën në përgjithësi, të qëndrojnë të tërhequr dhe indiferentë duke e urryer atë, ngaqë hapësira për të penetruar dhe kontribuar në partitë politike është e mbyllur nga “zanatçinjtë” që jetojnë për birinxhi me politikën, pa i dhënë ndonjë gjë të madhe, por duke marrë ndërkaq maksimumin, gjithçka që ju duhet. Analiza e situatës dhe raportit të intelektualit me partitë politike në Shqipëri, tregon se vetëm një pjesë e tyre për të mbijetuar politikisht, kanë gjetur një rrugë më të lehtë, më komode, më pak kokëçarëse për ta. Ata, ose i janë kthyer profesionit dhe interesave ngushtësisht pragmatiste, duke e anashkaluar krejt “kënetën e politikës” (kështu bën shumica e tyre), ose pastaj kanë gjetur mënyrën e tyre që në vend të dialogojnë politikisht brenda partive politike, kanë gjetur mënyrën e dialogimit interpersonal me “opinionin publik”.

Kjo ka bërë që shumica e intelektualëve të lidhen “indirekt” me politikën, jo nëpërmjet pjesëmarrjes militante në radhët e partive, por në rolin e opinionistit, komentatorit, eseistit politik, gazetarit politik, etj. Kjo situatë e qëndrimit dhe raportit të intelektualit me politikën profesioniste dhe partitë politike, është shqetësuese. Madje kjo tendencë e apolitizimit të inteligjencies në Shqipëri po vjen duke u thelluar, ngaqë “zanatçinjtë e politikës” po i stërhollojnë mjetet që mundësojnë realizimin e qëllimit imediat të tyre, që është të mbajnë sa më larg intelektualët e mirëfilltë nga politika profesioniste. Nuk është e plotë figura e intelektualit, që me politikën lidhet më shumë si gazetar, analist dhe opinionist. Padyshim, kjo gjë ka rëndësi dhe është me vlerë, por shoqëria dhe demokracia jonë nuk mund të shëndoshet, nëse intelektuali qëndron në pozitat e sehirxhiut politik, të analistit të ftohtë, të gazetarit pa pasion.

Partitë janë “Rodi i demokracisë” sepse aty hidhet “vallja e politikës”. Dhe intelektualët e majtë apo të djathtë, duhet të kuptojnë se shoqëria prej tyre nuk është e kënaqur vetëm me kontributet minimale të profesionistit. Përtej kësaj duhen edhe kontributet në politikë, sepse ajo është “instrument” që luan rol të madh në transformimin demokratik të shoqërisë sonë, ndaj së cilës inteligjenca e këtij vendi nuk mund të jetë indiferent. Është e kuptueshme që përveç marifeteve të “zanatçinjve të politikës”, në këtë pozitë të mjerë të intelektualit me politikën profesioniste, ka ndikimin e vet fakti që marrëdhëniet e tij me realitetin, janë të ndërmjetësuara nga logjika e ekonomisë së tregut e cila gjithashtu bëhet një faktor pengues për integrimin politik të intelektualit. Politika shqiptare tradicionalisht, në të gjitha kohët është e ndërtuar mbi principet e një tipologjie të paktën “jo”, për të mos thënë “anti” intelektuale.

Kjo ka bërë që historikisht në këtë vend të kultivohet mentaliteti i epërsisë anormale, të zhbalancuar, midis politikanëve dhe intelektualëve. Kjo ka bërë që të lulëzojë megalomania e klasës politike, ndjenja e epërsisë mbi mendimin e fuqishëm intelektual. Kjo sëmundje e politikës shqiptare është e lidhur dhe në të njëjtën kohë është pasojë e natyrës dhe “zhvillimit artizanal” të politikës shqiptare.

Për të identifikuar këtë dukuri me natyrë ballkanike, nuk duhet shumë mundim. Politika jonë ballkanike bëhet me nervozizëm, me zhurmë, dhunë verbale e cila është e papranueshme për “klasin” e inteligjencës. Mjafton të shikoni intensitetin e betejës mediatike të kohës së fundit në Parlament, për të kuptuar këtë raport të deformuar, që bëhet shkak për epërsi të ekskluzivitetit të politikanit dhe heshtjes së intelektualit. Kjo situatë është edhe kur në vendin tonë diskutohen probleme madhore të demokracisë shqiptare. Në debatin për ndryshimet kushtetuese disa politikanë po përpiqen për të krijuar një “realitet të deformuar” për të garantuar “oazin” e mbretërimit të tyre, duke shmangur skualifikimin e domosdoshëm demokratik të shumë partive të vogla e të panevojshme. Por edhe për këtë çështje të homogjenizimit të situatës politike në Shqipëri, apo për të ndërtuar modelin elektoral me natyrë anglo saksone (shumë i nevojshëm për ne) intelektualët kanë folur fare pak.

Disa politikanë të vjetër (jo në moshë), vazhdojnë të jenë të bindur se kanë “superioritet vlerash” dhe përpiqen të shfrytëzojnë median si terren që i favorizon në hapësirat komunikative me publikun. Nga kjo situatë social mediatike, duket qartë “sëmundja” që ka kapur disa politikanë, të cilët vuajnë sindromën e “mendjes universale”, që di gjithçka, që ka të drejtë të flasë për çdo gjë, të kundërshtojë apo t’u imponohet dhunshëm, publikut dhe intelektualëve. Kjo ka bërë që politikanët të qëndrojnë në çdo rast mbi intelektualët, të nëpërkëmbet dhe nënvleftësohet mendimi i tyre, megjithëse një pjesë e politikanëve kulturalisht janë tepër larg.

Kjo sindromë e megalomanisë së politikanëve dhe e dëshirës së tyre për të mbijetuar me çdo kusht në politikë, është shfaqur dhunshëm në atmosferën e elektrizuar të debatit për ndryshimet kushtetuese. Kundërshtimi i reformës është përpjekja e fundit e politikës për të garantuar “perandorinë e mbijetesës” së saj. Në të vërtetë përveç rezultateve të paimagjinueshme politike të homogjenizimit politik të situatës në Shqipëri dhe ndërprerjes së rrugës së politikës evazioniste, reforma do të ndihmojë në korrigjimin e përmasave të hipertrofizuara të politikës, në të cilën ka pak hapësirë për rolin e veçantë të intelektualit. Politika shqiptare e dy dekadave të fundit, nuk ka qenë dhe aq me dimension të kultivuar intelektual, madje nuk është aq shumë “politikë strategjike”, teorike dhe sistematike, por më shumë një veprimtari artizanale, militante, sloganiste, empirike, për të cilën mund të ketë kurajën të arsyetojë cilido që është politikan, pavarësisht nga kultura, profesioni, aftësitë, gjykimi, elokuenca, personaliteti, etj, etj.

Më është dukur ironike deklarata e paradokohshme e një politikani të rëndësishëm, i cili tha padashur një të vërtetë, për rolin që duhet të luajnë intelektualët në këtë vend. Pavarësisht dozave të pezhorativitetit personal me intelektualët, besoj se megjithatë duhet vlerësuar esenca e thënies, sepse padashur ai pranoi një të vërtetë të hidhur, “rolin e munguar” të intelektualit në politikën shqiptare. Kjo situatë e politikës shqiptare, ka të bëjë me natyrën kritike që intelektualët kanë në shoqërinë moderne, sidomos me ndikimin vendimtar të tyre në politikat dhe strategjitë e zhvillimit të vendit. Politika si rregull nuk e ka shumë për dëshirë involvimin e intelektualëve në “trojet e tyre”, në dominionet e politikës, ngaqë e dinë se logjika racionale, njohuritë e gjëra sistematike, aftësitë për t’i integruar njohuritë në struktura kompakte, për të bërë analiza dhe parashikime, është atribut i dallueshëm i intelektualit sistematik, që nuk punon me sloganet e parafabrikatet e politikës së ditës.

Në mentalitetin e politikës shqiptare sundon ideja se, rëndësi ka të flasësh dhe të dukesh. Kjo është bërë “maksima profesionale” e disa politikanëve shqiptarë, të cilëve ju intereson heshtja intelektuale, oportunizmi i inteligjencies, konformizmi i tyre me realitetet e politikës së përditshme, indiferentizmi përballë mediokritetit. Imazhit të rremë, shkëlqimit të jashtëm të sloganeve nervoze të politikës, u duhet “hequr kallaji” me kontributin esencial të intelektualëve shqiptarë... Kjo është ajo që duhet.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML