Enjte, 08 Janar 2009 01:31:21

Lexoni versionin Print

Autonomia universitare dhe e drejta e një emri

Vendimi i rektorit Shaska për ndryshimin, fillimisht faktik dhe më pas edhe formal të emrit të Universitetit “Ismail Qemali” në atë të gjithëpërdorur, “Universiteti i Vlorës”, inicioi një debat sa të nxehtë, me pro-t dhe con-s ndaj tij, duke pushtuar faqet e para të të përditshmeve dhe nxitur prononcimet e figurave publike,

Nga Ilir Kalemaj
Enjte, 31 Korrik 2008 08:23:00

 

Vendimi i rektorit Shaska për ndryshimin, fillimisht faktik dhe më pas edhe formal të emrit të Universitetit “Ismail Qemali” në atë të gjithëpërdorur, “Universiteti i Vlorës”, inicioi një debat sa të nxehtë, me pro-t dhe con-s ndaj tij, duke pushtuar faqet e para të të përditshmeve dhe nxitur prononcimet e figurave publike, aq edhe të kotë, pasi u fry tej përmasave reale të tij. Ndër argumentet kundër këtij vendimi mund të përmenden me të drejtë, fakti që ky nuk mund të ishte kurrsesi një nga prioritetet e një universiteti me cilësi të dobët dhe ende të paafirmuar në rrethet shkencore brenda dhe jashtë vendit, apo problemet e tjera infrastrukturore dhe substanciale, që duhet të marrin zgjidhje përpara se të tentohej një vendim i tillë në dukje provokativ.

Nga ana tjetër, ndonëse argumente të tillë si mosqenia e Ismail Qemalit akademik (???), a thua se George Washingtoni në Amerikë, apo Mathias Corvinusi në Hungari kanë qenë të tillë, për të përmendur veç dy shembuj të ngjashëm në botë, nuk qëndrojnë, arsye më praktike si marketingu i universitetit në marrëdhëniet me jashtë apo realizimi juridik i diçkaje që tashmë “defacto” njihet me emrin e ri, mund të merren si argumente më konkretë dhe realë në favor të vendimit të rektorit Shaska. Në lidhje me argumentin e dytë, ky universitet rrallëherë referohet me emrin zyrtar, “Ismail Qemali” dhe shumë më shpesh si Universiteti i Vlorës, pra mund të thuhet se vendimi i Senatit thjesht përforcoi dhe shpalli publikisht këtë emër të gjithëpranuar. Edhe në marrëdhënie me institucione partnerë në Perëndim apo rajon, identifikimi me qytetin ku ky universitet shtrihet, krijon një memorizim më të mirë të këtij universiteti dhe për rrjedhojë një reklamim më të lehtë të tij.

Teoritë e konspiracionit apo tezat se rektori i ri nuk qenkërka patriot janë disi qesharake, ashtu sikundër batareja e kundërshtive ndaj vendimit të një të riu vizionar dhe profesori të talentuar që në mënyrë të herëpashershme ka përsëritur dëshirën e tij për kthimin e Universitetit të Vlorës në një universitet dinjitoz jo vetëm në vend, por edhe në rajon edhe më gjerë. Disa nga nismat që më parë janë theksuar në intervista të këtij rektori për një farë profilizimi të këtij universiteti, që mund ta kthejë për shembull në një pikë referimi për shkencat ekzakte, si Matematika, apo veçoritë rajonale si Inxhinieria Navale, si dhe duke hapur programe doktorature që synojnë të tërheqin donatorë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, janë nisma vizionare që duhen përshëndetur. Ashtu sikundër edhe programet e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve intelektuale me universitete partnerë ndërkombëtarë.

Në këtë prizëm mund të kuptohet edhe vendimi për thjeshtëzimin e emrit të universitetit duke e lidhur me emrin e qytetit, sikundër janë të identifikuar edhe shumica e universiteteve të botës, veçanërisht ato të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së. Por natyrisht, referenca të tilla denigruese, si “Ismail Qemali nuk ka qenë akademik,” janë “lapsus lingua” që duhen evituar dhe që hedhin hije dyshimi mbi një vendim që në thelb i shërben më tepër marketingut të vetë universitetit në marrëdhënie me të tretët. Qëndrimi “hands-off” i qeverisë në lidhje me këtë vendim, megjithëse irritues në pamje të parë, përforcon konceptin e autonomisë universitare nga ana tjetër dhe krijon një normë apo precedent që e mira është të ruhet edhe në raport me raste të tilla të ngjashme në të ardhmen. Por kjo nuk do të thotë që rektorët dhe përgjithësisht drejtuesit e universiteteve të marrin vendime të nxituara dhe të pakonsultuara më parë me palët e interesuara apo në organet kolegjialë. Sa më tepër transparencë në lidhje me vendimet që merren, aq më e madhe është garancia që vendime që duken dhe janë rutinë, mos të interpretohen nën drita dhe ngjyra të ndryshme.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML