Merkure, 07 Janar 2009 22:26:49

Lexoni versionin Print

Një shumicë në delir...

Një sezon i lodhshëm qeverisës sapo ka ulur siparin. Politika gjithashtu pothuaj i ka mbyllur megafonët. Tani të gjithë kanë nevojë për pak pushim. E dukshme është se shumica mendon që qeveria e saj dhe ajo vetë kanë shkëlqyer ndërkaq.

Nga Vangjush Saro
Enjte, 31 Korrik 2008 08:27:00


Një sezon i lodhshëm qeverisës sapo ka ulur siparin. Politika gjithashtu pothuaj i ka mbyllur megafonët. Tani të gjithë kanë nevojë për pak pushim. E dukshme është se shumica mendon që qeveria e saj dhe ajo vetë kanë shkëlqyer ndërkaq. Një fitore tjetër në zgjedhje të pjesshme (në Kashar, në vendin ku bëhet batërdia me tokat), e ngriti optimizmin e demokratëve edhe më lart. Gjatë gjithë kësaj kohe, zhurma vetëmburrëse dhe cilësimet narciste kanë mbuluar çdo kritikë dhe të gjitha skandalet që qeveria e sotme e shqiptarëve ka prodhuar. E vërteta është se këto gjashtë muajt e fundit, sikundër edhe gjashtëmbëdhjetë të tjerët, kanë qenë të qetë. Qetësinë dhe vetëkënaqësinë, kësaj qeverie ia blatuan partnerët ndërkombëtarë, me qëndrimet e tyre “hiq e mos këput”.

Nga ana tjetër, vetë situata rajonale ishte tepër inkurajuese; (Kosova, afrimi në NATO). Po ashtu, edhe qëndrimi i zbutur e vende-vende korrekt i opozitës, e ka vënë këtë qeveri pak a shumë në pozita komode. Këto ditë, sapo kanë përfunduar disa ndryshime të pjesshme të kabinetit Berisha; ato shumë pak i kanë dhënë performancës copë-copë të qeverisë në delir të shqiptarëve. Megjithatë, si kurrë ndonjëherë në historinë e pushteteve që kanë ushtruar mandatin e tyre në këtë vend, vetëkënaqësia dhe mburrjet kanë marrë përmasat e groteskut.

Po çfarë ndodhi në këtë gjysmëviti spektakolar dhe gjatë të cilit shumica mbetet kaq e lumtur? Tani kabinetit i mungon ish-Ministri i Mbrojtjes dhe tragjedia e Gërdecit rëndon pak a shumë mbi gjithë administratën shqiptare. (Vetë numri një i ekzekutivit, pranonte në javët e para pas ngjarjes së rëndë se shumë institucione nuk funksionuan.) Atëherë, që ta themi me shumë butësi, në këtë fushë, (ku përzihen siguria, mbrojtja, çarmatimi, trafiqet, etj.) nuk kemi shkëlqyer. Shëndetësia gjithashtu është një fushë ku ne nuk shkëlqejmë; dhe jo thjesht e vetëm për shkak të kontributit modest të demokristianëve. Reformat e premtuara kanë degjeneruar në zëvendësime individësh dhe transferime interesash; fondet për sektorin, kanë qenë minimale.

Mandej, kemi shkruar edhe herë tjetër, ka një diferencë tronditëse midis eksporteve dhe importeve, përjashtuar pjesën më të mirë të sezonit të verës. Revista e njohur “Forbes”, në një nga studimet më të fundit, flistepër deficitin e lartë tregtar; (që e zbusin deri diku të ardhurat nga emigrantët, mbi punën dhe jetën e të cilëve, qeveria nuk ka as përgjegjësi, as influencë). Zhvillimi i bujqësisë, thuhet më tej në këtë studim, pengohet për shkak të mungesës së makinerive, sa edhe problemeve me pronën; po ashtu, edhe për faktin që mbizotëron prona e vogël dhe joefikase. Vështirë pra, të thuash se ne shkëlqejmë në fushën e bujqësisë. Të njëjtat epitete do të mund të vinim në punë edhe për sa i takon mjedisit. Por nuk ka më pak probleme në disa sektorë të tjerë, tashmë të rënduar, si minierat, peshkimi, etj. Këtu, bie fjala, ka disa muaj që u lajmërua heqja e akcizës për naftën; por gjer më sot, peshkatarët shqiptarë vazhdojnë “ta gjuajnë” naftën në portet e huaja. Jashtë vëmendjes sonë, nuk mund të mbeten gjithashtu problematikat sociale, si papunësia, gjakmarrja, braktisja e shkollës, etj. Pas këtij numeracioni të përmbajtur, me të drejtë mund të pyesim se ku e shikojnë shkëlqimin shumica dhe vetë kreu i qeverisë shqiptare.

Duke rifreskuar sadopak kujtesën e gjithësecilit, duhet thënë se në të gjitha ditët e këtyre tre vjet qeverisjeje, ka patur vazhdimisht apele për ndryshime e përmirësim të qeverisjes. Që nga fushata e nxehtë elektorale e qershor - korrikut 2005, koalicioni demokrat la në harresë shumë premtime. Disa prej tyre, kishin të bënin me dyfishimin e pagave të ulëta e të pensioneve; me reduktimin e taksave për të gjitha kategoritë e bizneseve dhe heqjen e tyre krejt, për një periudhë të caktuar, për bizneset që sapo fillojnë aktivitetin; më tej, është premtuar, si edhe në fillim të viteve ‘90, kthimi dhe kompensimi i pronave; po ashtu, larja e hesapeve me korrupsionin, etj. Qeveria nuk ka shkëlqyer edhe në vlerësimin e kësaj kurbe virtuale zotimesh pa fund. Është e papranueshme që ajo kaq lehtë e shkëmben modestinë me narcizëm. Sot edhe vetë struktura e bizneseve, do të ishte një argument që i shërben tkurrjes së hapësirave për suksese. Në një sens të caktuar, reformat janë konceptuar vetëm si një forcim i rolittagrambledhës të administratës.

Kështu, vërehet se 50% e ndërmarrjeve aktive janë përqendruar në zonën Tiranë - Durrës, ku edhe janë punësuar rreth 60% e të punësuarve të sektorit privat. Po ashtu, rreth 70% e ndërmarrjeve me kapital të huaj, janë të përqendruara në prefekturën e Tiranës. Shumëkush mund të habitet po të mësojë më tej se vetëm 5% e tyre veprojnë në Korçë, po kaq në Shkodër dhe vetëm 3% në Vlorë. Nivel të ulët përfaqësimi të ndërmarrjeve, ka në Lezhë (2.1%), Dibër (1.4%) dhe Kukës (0,5%). Shpërndarja e bizneseve sipas sektorëve të ekonomisë, gjithashtu paraqitet mjaft problematike. (Bie fjala, tregtia: 49%; shërbimet: 24%; etj.) Ndërkaq, prodhimi vendas nuk është inkurajuar asnjëherë me seriozitetin e duhur.

Më në fund, tabloja e mësipërme shpjegon qartë pse në disa studime radhazi (më i fundit ai i CIA-s) vendi ynë renditet i teti në Ballkan, sa i takon PBB për frymë. Pavarësisht nga ndryshimet, gjendja reale në Shqipëri mbetet problematike, me një theks të rënduar për sa i takon papunësisë, pasigurisë për jetën, perspektivës së lëvvizjes së lirë, etj. Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit përpiqen t’iu ikin shifrave të mëparshme. Krahasimet nuk mund të bëhen më me vitin 2005; po ashtu, mund të shikohet më me seriozitet se çfarë ka që nuk shkon në privatizimet strategjike, përfshirë atë të ARMO-s, INSIG-ut, etj. Rritja e kontrollit mbi të ardhurat nga tatimet dhe doganat, kalimi i transanksioneve financiare përmes bankave, fillimi i disa rrugëve të rëndësishme, këto dhe lëvizje të tjera pozitive të qeverisë, janë ende pak për të folur për shkëlqime të papara(!) Po kush e ka humbur modestinë, që ta gjejë Berisha, qeveria dhe shumica e tij!... Megjithatë, iu duhet thënë: Shkoni për pushime, çlodhuni dhe (mundësisht) kthehuni me mendje tjetër!


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML