Merkure, 07 Janar 2009 22:15:42

Lexoni versionin Print

Rusia: Propozime të Reja, me Ngarkesa të Vjetra

Këto kohët e fundit kanë rënë në sy përpjekjet e Moskës për të dalë me një propozim të ri për një temë të rëndësishme, sikurse është ajo që ka të bëjë me Sigurinë Ndërkombëtare.

Nga Muhamet Kapllani
Enjte, 31 Korrik 2008 08:31:00

   

Këto kohët e fundit kanë rënë në sy përpjekjet e Moskës për të dalë me një propozim të ri për një temë të rëndësishme, sikurse është ajo që ka të bëjë me Sigurinë Ndërkombëtare. Para disa javësh Presidenti rus Medvedev, në një takim me ambasadorët e Rusisë në botë, u foli atyre në Moskë për atë që ai e paraqiti si “një arkitekturë moderne Europiane të sigurisë të projektuar për të përballuar realitetet e reja të shekullit të 21”. Sipas Moskës është fjala për krijimin e një Strukture të Sigurisë Ndërkombëtare që do të shtrihej nga Kanadaja e Europa, në Rusi e deri në Kinë. Presidenti rus u kërkoi në mënyrë metodike për të shpjeguar dhe bindur kancelaritë ndërkombëtare për këtë koncept dhe propozim të Moskës.

Dhe ja, pa humbur kohë, ambasadori rus pranë NATO-s, Rogozin, më 28 korrik, ditën e hënë, elaboroi para Ambasadorëve të NATO-s në Bruksel këtë propozim të ri rus i cili, sipas Moskës, bëhet i domosdoshëm sepse Europa nuk është në gjendje të përballet me problemet e shumta që kërcënojnë sigurinë e saj, “duke filluar nga zgjerimi i NATO-s, për të vazhduar me imigracionin ilegal, trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin”.

Në mënyrë të përshtatshme, lind pyetja: Çfarë e shtyn Moskën të dalë në këto momente me këtë propozim “spektakolar” që prek marrëdhëniet ndërkombëtare dhe arkitekturën aktuale të Sigurisë? Nuk është dhe aq e vështirë të shohësh në këtë lëvizje një synim të qartë të Rusisë që, duke bërë protagonizëm me një çështje sa të rëndësishme dhe aq delikate të anashkalojë, bile të bëjë inekzistente NATO-n dhe OSBE-në, dy struktura tashmë të afirmuara të Sigurisë së sotme në Europë e përtej. Por njerëzit nuk kanë harruar e nuk mund të harrojnë se Shembja e Murit të Berlinit dy dekada të shkuara u pasua me rënien e sistemit komunist, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe me fundin e Luftës së Ftohtë.

Këto ndryshime epokale u shoqëruan me procese të thella integruese në Perëndimin europian (BE) dhe me “shpërbërjen e familjes socialiste” në Europën Lindore, që shumë shpejt u fut në rrugën e shndërrimeve të vrullshme demokratike. Të gjitha këto sollën transformimin në mënyrë rrënjësore të tablosë politike të Europës. Në këtë tablo të re mbeti e fortë dhe e paprekur NATO, deri dje garante e sigurisë dhe e vlerave të demokracisë perëndimore dhe tani shpresë e sigurisë së re, ndërsa Traktati i Varshavës u përmbyt në ujërat e fryra pas shkrirjes së akujve të Luftës së Ftohtë. Në atë kohë pati zëra konservatore në Moskë që nuk donin ta pranonin këtë të ashtuquajtur “asimetri” që rezultonte nga shembja e Traktatit të Varshavës dhe mbetja e paprekur e NATO-s.

Por këto ishin zëra në shkretëtirë që binin ndesh dhe nuk donin të pranonin realitetin e ri të “luftës së humbur” që ishte zhvilluar pa u shkrepur as edhe një fishek apo raketë. Kjo ishte Lufta e Ftohtë, tashmë e fituar nga ai krah që kishte përfaqësuar e mbrojtur vlerat e lirisë e të demokracisë gjithmonë superiore ndaj totalitarizmit. Për të marrë në konsideratë dhe reflektuar realitetet e reja në Europën post-komuniste dhe të pas-Luftës së Ftohtë lindi OSBE-ja, që së bashku me NATO-n u bënë dy kolonat bazë të arkitekturës së Sigurisë Europiane.

Dhe ja tani, si krejt papritur na vjen një propozim nga Moska, që anashkalon dhe synon të bëjë inekzistente NATO-n dhe OSBE-në, pa sqaruar më parë se përse na u dashka bërë e pavlefshme një strukturë ekzistuese e Sigurisë që e ka justifikuar veten si e tillë. Për një analogji paksa bulevardeske, kjo na ngjan me fenomenin e atyre firmave të dyshimta të ndërtimit që shembin godina e ndërtesa ekzistuese me vlera të veçanta, në emër të gjoja ngritjes së pallateve shumëkatëshe moderne, nga të cilët ata sigurojnë fitime të majme, por krejt të dyshimta.

Ky propozim i ri rus vjen në një kohë kur Rusia ndjen forcimin e muskujve të saj ekonomikë si dhuratë prej çmimeve të naftës e të gazit, që kanë kapur shifra të pabesueshme, si në një lojë bixhozi. Rusia gjykon se duhet ta kthejë këtë forcë ekonomike në avantazh politik dhe strategjik. E pse jo të marrë dhe një rol të dorës së parë në çështje të tilla të ndjeshme si ato të Sigurisë, duke i bërë diversion dhe mundësisht, ta hutojë Perëndimin... Në këtë propozim të ri të Rusisë nuk mund të shihen recidiva nga “pleviti” i luftës së Ftohtë humbjen e së cilës Rusia, me sa duket në thelb nuk e ka pranuar, por synon në kushtet e reja ta rikuperojë. Janë këto arsyet që shpjegojnë, veç të tjerash, sjelljen dhe qëndrimin e Moskës si ndaj zgjerimit të NATO-s, ndaj marrëveshjeve për vendosje e mbrojtjes anti-raketë në Poloni e çeki, si dhe qëndrimin hakmarrës e aspak konstruktiv ndaj Kosovës.

Këto sjellje e qëndrime kanë mjaft ngarkesa dhe reminishenca nga periudha e Luftës së Ftohtë. Dhe ky propozim i ri i Rusisë nuk mund të fshehë këto ngarkesa të vjetra.

Është në këtë optikë që bëhet e shpjegueshme pse Rusia akoma nuk e gjen me vend të përshëndesë kapjen e kriminelit serb Karaxhiç dhe dërgimin e tij para Gjykatës së Hagës. A mund të jenë bindëse e të sinqerta propozimet e reja ruse për një strukturë ndërkombëtare, për mundësinë që njeriu i akuzuar për gjenocide dhe krime kundër njerëzimit të përballet me drejtësinë? Po kështu nuk mund ta shohim të shkëputur nga këto ngarkesa të vjetra qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës. Rusia shprehet shumë e “shqetësuar” se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës po shkelet e drejta ndërkombëtare dhe Rezolutat e OKB-së, por harron se Kosova erdhi këtu ku është sot, sepse Serbia dhe regjimi i Millosheviçit, që shkaktuan aq luftëra e gjakderdhje në tërë Jugosllavinë, kryen spastrim etnik duke vrarë e përzënë dhe popullsinë civile shqiptare nga vatrat e veta. Millosheviçi dhe nacionalizmi serb e donin tokën e Kosovës të zbrazur e pa shqiptarë. Dhe sot që në gërmadhat e ish-Jugosllavisë janë ngritur shtete të pavarur përfshirë dhe Kosovën, të cilët kanë nisur udhëtimin e tyre europian e Euro-Atlantik, në thelb të injorosh realitetin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e t’i kundërvihesh vullnetit të popullit të Kosovës është shumë larg të qenit i sinqertë dhe konstruktiv në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që do t’i hapnin rrugën një realiteti të ri që shkon në të mirë të një ambienti të sigurt e paqësor në rajonin historikisht të trazuar të Ballkanit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML